KDI ka publikuar ”Transparometrin komunal” edhe për gjashtë komuna tjera, komuna e Rahovecit radhitet e dyta

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konferencë për media në Prizren ka bërë publike rezultatet e “Transparometrit komunal”, edhe për gjashtë komuna të tjera më të mëdha të Kosovës, atë të Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Suharekës, Rahovecit dhe Deçanit. Matja e transparencës është bërë bazuar në 59 indikatorë për periudhën janar – dhjetor 2018, dhe rezultatet e hulumtimit rendisin këto komuna si në vijim: Gjakova 99 pikë apo 83.89%, Rahoveci 94 pikë apo 79.66% , Peja 78 pikë apo 66.10%, Prizreni 76 pikë apo 64.40%, Suhareka 74 pikë apo 62.71%  edhe Deçani 67 pikë apo 56.77%”. Komuna e Rahovecit del të jetë komuna e dytë më transparente, me një nivel të transparencës prej 94 pikë nga 118 pikë sa edhe është maksimalja e vlerësimit bazuar në 59 indikatorë apo shpreshur në përqindje 79.66 %. Nga 40 pikë sa është maksimalja e vlerësimit, Kuvendi i Komunës së Rahovecit është vlerësuar me 36 pike bazuar në 20 indikatorë vlerësues dhe mbetet shtylla më transparente në ketë komunë. Shtylla e dytë më transparentë në komunën e Rahovecit mbeten financat publike, ku nga 8 indikatorë vlerësues ka arrit 12 pikë nga 16 pikë sa është edhe maksimalja për këtë shtyllë Shtylla e tretë më e vlerësuar në komunën e Rahovecit mbeten “Konsultimet me Publikun”, ku nga 16 indikatorë vlerësues ka arrit 24 pikë nga 32 pikë sa është maksimalja e vlerësimit në këtë shtyllë. E fundit në vlerësim mbetet shtylla e Zyrës së Kryetarit, ku nga 15 indikatorët vlerësues të transparencës ka arrit 22 pikë nga 30 pikë sa është maksimalja e vlerësimit për këtë shtyllë të vlerësimit. Naim Cahanaj nga KDI ka thënë se transparometri ndjek një metodologji të matjes së indikatorëve në mënyrë objektive përgjatë katër shtyllave themelore të qeverisjes lokale. “Për shtyllën: Zyra e Kryetarit (15 indikatorë), për Kuvendin e Komunës (20 indikatorë), për Financat Komunale (8 indikatorë) dhe transparencën në Konsultime me Publikun (16 indikatorë)”. Rezultati maksimal që një komunë mund të arrijë është 118 pikë ku secili indikatorë poentohet 0 deri në 2 pikë dhe i bie që me zero pikë të vlerësohet kur s’ka asnjë informacion, me një pikë informacionet e pjesshme dhe me dy pikë informacioni i plotë”, ka theksuar ai. Kurse Almedin Fejza nga KDI, ka thënë se në shtyllën e “Kuvendit të Komunës”, nga 40 pikët e mundshme të vlerësimit, komuna e Gjakovës dhe ajo e Rahovecit  janë ranguar më së larti me nga 36 pikë, pastaj ajo e Deçanit, Suharekës dhe Pejës me nga 31 pikë dhe komuna e Prizrenit në këtë shtyllë është treguar me pak transparente me vetëm 29 pikë. Në shtyllën e “Zyrës së Kryetarit ” nga 30 pikë sa është maksimalja e vlerësimit, si më transparente del  të jetë komuna e Gjakovës me 25 pikë, ku radhitet komuna e Rahovecit me 22 pikë, Suharekës me 18 pikë, Pejës dhe Prizrenit me nga 15 pikë, dhe më pak transparente ishte komuna e Deçanit me vetëm 12 pikë nga 30 pikë sa është maksimalja e vlerësimit në këtë shtyllë. “Transparometri komunal” për gjashtë komuna u realizua në kuadër të projektit “Pjesëmarrja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie”  i cili mbështet nga Olof Palme International Center (OPIC), që ka për synim monitorimin dhe vlerësimin e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet vetëqeverisëse lokale.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …