Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar sot Transparometrin Komunal 2024, raportin vjetor që mat nivelin e transparencës në 38 komuna të Kosovës për periudhën janar–dhjetor 2024. Në hapje të konferencës, menaxherja e projekteve në KDI, Selvije Kurti, theksoi rëndësinë e transparencës si një mjet kyç për fuqizimin e qytetarëve dhe rritjen e llogaridhënies në nivel lokal. Ajo nënvizoi se transparenca nuk është çështje dëshire politike, por një detyrim ligjor që garanton qasje të barabartë në dokumente publike dhe ndihmon në ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve. Një nga zhvillimet kyçe gjatë vitit 2024 ka qenë lansimi i platformave të reja digjitale komunale, një proces që sipas KDI është shoqëruar me përmirësime teknike, por edhe me sfida serioze në përmbajtje dhe komunikim me qytetarët. Mungesa e strukturës së standardizuar, adresave të qarta dhe udhëzimeve për përdoruesit janë ndër problemet më të theksuara të evidentuara gjatë migrimit të të dhënave në faqet e reja.
