Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka marrë një letër nga sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Jurgen Stock, lidhur me aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Në këtë letër, ministri Hyseni është njoftuar se këshilltari ndërkombëtar, Hans Corell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në Interpol, ka finalizuar punën e tij dhe raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv. “Jam i lumtur të ju njoftoj se Komiteti Ekzekutiv i Interpolit në takimin e fundit në Lyon të Francës nga 31 maj – 2 qershor 2017 ka vendosur ta përfshijë aplikimin për anëtarësim në Interpol të Republikës së Kosovës në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017”, është thënë në letrën e sekretarit të përgjithshëm, Jurgen Stock, drejtuar ministrit Hyseni. Bazuar në këtë raport, Komiteti Ekzekutiv do t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për aprovim një kornizë të udhëzimeve për procesin e anëtarësimit. Pas aprovimit të këtyre udhëzimeve pritet votimi i aplikacioneve për anëtarësim, përfshi këtu edhe atë të Kosovës.