Zyrtarët e Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” i kanë vlerësuar si të pabazuara dhe jo ligjore kërkesat e punëtorëve të cilët kanë mbajtur një protestë mëngjesin e sotëm.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka deklaruar se kërkesat e punëtoreve nuk bazohen në kontratën që punonjësit e kanë me punëdhënësin.
Në një konferencë për media, pas protestës së punëtorëve, Gara është shprehur se kompania “Limak” i përmbush 100 për qind të gjitha obligimet që dalin nga kontrata punonjës-punëdhënës, ndërsa kërkesat që punëtorët thonë se i kanë bazuar në kontratën kolektive ajo tha se janë joligjore.
Ajo ka deklaruar se në momentin e nënshkrimit të kontratës lexohen të gjitha kushtet dhe rregullat e kontratës dhe sipas saj kontrata nënshkruhet vetëm në momentin kur të dyja palët pajtohen për ato kushte.
Sindikata e pavarur e punëtorëve të ANP-së ka shprehur sot shqetësimet e tyre për padrejtësitë që sipas tyre po u bëhen nga menaxhmenti i këtij aeroporti.
Ndër kërkesat e tyre është kompensimi dhe beneficionet e tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.