leoni

Kërkohet bashkëpunimi i kryetarëve të fshatrave të Malishevës për rregullimin e emërtimeve të rrugëve

Komisioni i Kuvendit të Komunës së Malishevës, i formuar për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave për emërtimet e rrugëve, në kuadër të punës së tij, sot ka mbajtur një takim më kryetarët e fshatrave, me qëllim të informimit rreth këtij procesi, pas shfaqjeve të pakënaqësive për emrat e disa rrugëve në fshatrat e Komunës së Malishevës.  Në këtë takim, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili ka kërkuar angazhim të përbashkët për zgjidhjen e të gjitha rasteve, ku ka ankesa apo ku ka gabime eventuale.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kërkoi ndihmën e të gjithë kryetarëve të fshatrave, në raport me komisionin e formuar për këtë çështje, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira të mundshme, duke respektuar ligjin dhe rregulloren për emërtimet e rrugëve. Është fat i mirë që sot e kemi këtë mundësi, dhe është fat i mirë që kemi emra të mjaftueshëm të personaliteteve tona, që mund ti emërojmë rrugët e vendbanimeve tona, prandaj, kërkoj ndihmën e juaj, që ti sqaroni të gjithë banorët, e sidomos aty ku ka pakënaqësi të shprehura dhe të gjenden zgjidhjet më të mira dhe më të pranueshme”, tha Begaj.

Kryetari i Komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve, lidhur me emërtimin e rrugëve, Rrahim Morina, tha se “ka qenë një punë e vështirë dhe e gjatë emërtimi i rrugëve”. “Kemi shkuar në çdo vendbanim dhe kemi biseduar, por janë regjistruar edhe disa probleme, duke filluar nga insistimi i qytetarëve për vendosjen e emrave të familjarëve, pastaj papërgjegjësia e disa kryetarëve të fshatrave, gabimet në rrugë nga ana e Agjencionit Kadastral, duke mos lënë anash as gabimet eventuale që mund të ketë bërë komisioni për emërtimin e rrugëve”, tha Morina, i cili më pas edhe ju lexoi rregulloren për emërtimin e rrugëve, si dhe i ftoi kryetarët e fshatrave, që ti njoftojnë qytetarët me rregulloren dhe ligjin dhe të eliminohen të gjitha gabimet e mundshme, duke ju përkujtuar që shumë nga ankesat apo kërkesat mund të refuzohen,  nëse nuk përshtaten me rregulloren.

Kryetarët e fshatrave, nga ana tjetër, kanë adresuar një varg akuzash në raport me komisionin e Kuvendit të Komunës, për emërtimin e rrugëve. Kryetarët e fshatrave, kanë akuzuar komisionin se “vet kanë lejuar që në disa raste të vendosen emrat e familjarëve, po ashtu akuzë tjetër ishte edhe mospërfillja e procesverbaleve nga takimet me banorë dhe mos marrja  parasysh e propozimeve të fshatrave, e deri të akuza për ndërhyrje të ndryshme individuale, madje duke përmendur edhe emra.

I vetmi vendbanim, që nuk është regjistruar asnjë ankesë dhe  që është zbatuar rregullorja njëqind për qind, është qyteti i Malishevës, ku nuk ka ankesa për asnjë emër të vendosur në rrugë.

Kryetari i këtij komisioni, Rrahim Morina, ka paralajmëruar takime në çdo fshat, për eliminimin e të gjitha problemeve, dhe ka kërkuar nga kryetarët e fshatrave, që të jenë aktiv në informimin e qytetarëve, sidomos në rastet ku ka ankesa, si dhe ka premtuar se është duke u shqyrtuar secila ankesë dhe secili propozim i bërë, lidhur me emërtimin e rrugëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …