Kërkohet Referendum për heqjen e statujës së Ahmet Zogut dhe vendosjen e monumentit të Enver Hoxhës, në Tiranë

Kërkohet Referendum për heqjen e statujës së Ahmet Zogut dhe vendosjen e monumentit të Enver Hoxhës, në Tiranë

Kërkohet mbajtja e një referendumi për heqjen e statujës së Ahmet Zogut dhe vendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë. Këtë e kërkon një grup nismëtar prej 89 veteranësh, pasardhës veteranësh dhe komunistësh në një peticion drejtuar Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit…

Në vijim teksti i plotë i letrës:

Ne, një grup nismëtar prej 89 veteranësh, pasardhës veteranësh dhe komunistë nga mbarë vendi, por edhe nga ata që janë me banim jashtë shtetit, Ju drejtohemi me këtë peticion në të cilin ne mendojmë se shprehet një opinion dhe qëndrim i shumicës së shqiptarëve.

Në radhë të parë shprehim shqetësimin që në këto 27 vjet të Shqipërisë pluraliste kanë ndodhur sulme të papara kundër historisë, kulturës dhe vlerave kombëtare që na kanë dhënë dinjitet dhe krenari nëpër shekuj, por sidomos pas krijimit të shtetit shqiptar. Janë sulmuar dhe është hedhur baltë mbi figurat më të mëdha të historisë dhe kulturës sonë, derisa kanë ndodhur edhe gjëra të padëgjuara dhe të papara ndonjëherë, sikurse ka qenë dhunimi i varrezave të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe të monumenteve dhe memorialeve të asaj lufte të lavdishme. Kjo strategji që ne e themi haptazi se është antikombëtare, mendojmë se ka qenë e qartë që në fillim: të zbresin nga piedestalet heronjtë dhe personalitetet e historisë dhe kulturës sonë, dhe vendin e tyre ta zënë antiheronjtë, tradhtarët, kolaboracionistët dhe bashibozukët.

Kjo është një fyerje e madhe që i është bërë këtij populli si asnjëherë tjetër.

Prandaj dhe ne Ju drejtohemi Juve për të vënë drejtësi në këtë vend dhe të korrigjohen sa më shpejt padrejtësitë që janë bërë ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dëshmorëve të asaj lufte, veteranëve dhe pasardhësve të veteranëve. Ju falënderojmë për punën dhe arritjet pozitive të deritanishme! Këto realizime dhe shumë të tjera që janë në proces, tregojnë se po ndihet çdo ditë dhe më shumë dora e shtetit.  Arsyeja që po ju dërgojmë këtë letër është e thjeshtë, kërkojmë të ktheni kokën edhe nga e kaluara!

Zoti President,

Ju jeni deklaruar në vijimësinë tuaj politike në mbrojtje të kësaj Lufte të madhe që na rreshtoi në anën e fitimtarëve dhe aleatëve të mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë. Ju jemi mirënjohës për këtë! Por, tani që jeni në krye të shtetit, tregojeni veten se kini qenë i sinqertë në deklaratat Tuaja. Paraardhësi juaj nuk la bashkëpunëtor të fashizmit dhe diversant pa dekoruar. Ne e konsiderojmë gjestin e tij antikushtetues. Tani që Jeni në krye të shtetit, kini shansin e madh të korrigjoni shumë nga gabimet e së kaluarës dhe të kontribuoni në rivendosjen e të vërtetave të mëdha historike. Populli shqiptar do t’Ju jetë mirënjohës për këtë!

Zoti Kryeministër,

Ju që u mbështeti shumica e shqiptarëve të fitoni një mandat të dytë qeverisës, kini përgjegjësinë e madhe historike për vendosjen e drejtësisë në këtë vend. Jemi ne që ju kemi votuar për të bërë gjëra të mira për Shqipërinë. Po ju themi se kini një shans historik si asnjë udhëheqës tjetër pas viti 1990 që të bëni diçka ndryshe në të mirë të këtij vendi e të këtij populli. Shfrytëzojeni këtë moment historik! Ju mbështesim maksimalisht për Reformën në Drejtësi. Por ne mendojmë se reformë mbi reformat është mbrojtja e historisë dhe vlerave kombëtare të krijuara me aq shumë gjak dhe sakrifica. Ju e kini tashmë dhe gurin dhe arrën. Veproni sa s’është vonë, që të mos humbisni besimin e shqiptarëve.

Në këtë letër-peticion që ju dërgojmë Ju zoti President dhe Ju zoti Kryeministër, parashtrojmë dy kërkesa të drejtpërdrejta, sa të thjeshta, por edhe po aq të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

E para. Njëzet e ca vjet më parë u vendos në mënyrë arbitrare emri i Ahmet Zogut, një pjese të Bulevardit që ka mbajtur dhe mban emrin “Dëshmorët e Kombit”. Sikur të mos mjaftonte kjo, po në mënyrë arbitrare u vendos pesë vjet më parë në atë Bulevard dhe një statujë e Ahmet Zogut, ish-mbretit që ka shitur pjesë të trojeve të atdheut, që e tradhtoi këtë vend në momentet më të vështira të tij në prill 1939 dhe grabiti floririn. Ai monument fyen një komb të tërë. Ai monument duhet hequr një sahat e më parë, jo thjesht se u vendos në mënyrë të paligjshme, por se nuk e meriton atë statujë. Duhet ta dini se shumicës së shqiptarëve u dhembin sytë kur shikojnë atë ngrehinë dhe ndërrojnë rrugë kur u bie rasti të kalojnë andej. Monumentet nuk e fshijnë turpin e tradhtisë së Ahmet Zogut. Nuk e nderojnë Historinë  figurat më të diskredituara,më të urryere që i shkaktuan vendit shumë fatkeqësi që e shitën dhe e braktisën në ditën më të vështirë kur vendi u sulmua nga fashizmi! Historia botërore nuk njeh një rast të tillë që mbreti të braktisi vendin !

Së dyti. Lidhur me qëndrimin ndaj Enver Hoxhës. Mendojmë se ka ardhur koha që figura e udhëheqësit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vihet në vendin që i takon. E dimë që përmendja e emrit të Enverit politikanëve tanë iu shkakton sëkëlldi. Por mendojmë se mbi këtë figurë të madhe të kombit shqiptar është hedhur pafundësisht baltë dhe është shpifur aq shumë gjatë këtyre 27 vjetëve. Mbase edhe Juve nuk ju vjen mirë që po jua kërkojmë këtë. Por Ju mos u merakosni. Bëni një referendum dhe do ta shihni se kë dëshirojnë të kenë në monument shqiptarët: Ahmet Zogun apo Enver Hoxhën.

Me konsideratën më të lartë:

Në vijim, lista emërore e veteranëve, pasardhësve të veteranëve dhe komunisteve, që kërkojnë heqjen e statujës së Ahmet Zogut në Tiranë dhe vendosjen e monumentit të Enver Hoxhës! (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …