Në një ceremoni të veçantë të organizuar në Aeroportin e
Prishtinës ‘Adem Jashari’, sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry iu
organizua një pritje në praninë e Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së
Kosovës. Pos kryeministrit, Isa Mustafa, i pranishëm në pritje ishte edhe
ambasadori amerikan, Greg Delawie. Pas kësaj, sekretari Kerry në mjediset e
Aeroportit zhvilloi takime me kryeministrin, Isa Mustafa si dhe zëvendëskryeministrat,
Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq. Pas përfundimit të këtyre takimeve, sekretari
amerikan i Shtetit, John Kerry dhe kryeministri Isa Mustafa patën një paraqitje
të përbashkët për gazetarë në Aeroportin ‘Adem Jashari’. Me këtë rast,
sekretari amerikan shprehu falendërimin për mikëpritjen, të cilën e quajti të
mrekullueshme, duke përmendur flamujt amerikan dhe posterët. Kerry përmendi nënshkrimin
e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila sipas tij, paraqet hap të madh në
integrimin e Kosovës. “Ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të
kërcënonte sovranitetin, pavarësinë e Kosovës. Ne kemi investuar shumë për të
ardhmen e Kosovës dhe nuk do ta vendosnim të ardhmen e Kosovës në rrezik”,
theksoi sekretari Kerry. Ai nuk la pa përmendur edhe veprimet e fundit të
opozitës. Sipas tij “Kuvendi nuk është vendi ku duhet të hedhet gaz lotsjellës
apo ku bëhen kërcënime”. Ndërkaq, në fjalën e tij kryeministri Mustafa shprehu
gatishmërinë e Qeverisë për dialog me opozitën, por edhe me palën serbe.
Kontrolloni gjithashtu
Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin
Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …