Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot së bashku me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ka diskutuar dhe analizuar Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficientit, si dhe efektin e këtyre akteve në sistemin gjyqësor. Këshilli Gjyqësor konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian. Këshilli dhe gjithë administrata gjyqësore, shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, prandaj ftojmë Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …