KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur takimin e 265-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 265-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Gjatë këtij takimi, kryetarët dhe U.D. kryetarët e gjykatave kanë raportuar në mënyrë virtuale përpara anëtarëve të Këshillit për tremujorin e II-të të vitit 2021, rreth punës së gjykatave që ata i drejtojnë, si dhe të degëve të tyre.

Kryetarët dhe U.D. kryetarët e gjykatave raportuan për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura, të Gjykatës së Apelit, gjykatave themelore si dhe të gjitha degëve të tyre.

Mes tjerash, ata diskutuan edhe rreth sfidave dhe pengesave në menaxhimin e pandemisë COVID-19, të arriturave dhe përparësive në udhëheqjen e gjykatave përkatëse. Si sfidat kryesore u përmendën numri i madh i lëndëve, sidomos ato të natyrës civile, numri jo i mjaftueshëm i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, si dhe pengesat në procesin e punës të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Në bazë të këtyre raporteve, vërehet rënie e performancës së gjyqtarëve, me ç’rast Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, u bëri thirrje të gjithë kryetarëve dhe gjyqtarëve të gjykatave të vendit që të angazhohen maksimalisht në këtë drejtim, për shkak se kjo rënie ndikon edhe në performancën e sistemit gjyqësor. Po ashtu, Zogaj tha se KGJK, është duke u shqyrtuar çdo mundësi për të mbështetur të gjitha gjykatat në kërkesat e tyre, me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Anëtarët e Këshillit, u dakorduan që në raportimin e radhës të përfshihen edhe më në detaje të dhënat statistikore konkretisht të dhënat lidhur me lëndët e krimit të organizuar, e kjo do të bëhet në bashkëpunim edhe me Koordinatorin Nacional të caktuar nga KGJK, duke pasur parasysh prioritetin dhe peshën e këtyre lëndëve.

Në vijim, anëtarët e Këshillit aprovuan propozimin për themelimin e komisionit për auditimin e të dhënave statistikore që prezantohen nga Departamenti i Statistikave në lidhje me vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, me qëllim që ky vlerësim të bazohet në të dhëna të besueshme dhe sa më të sakta.

Gjatë takimit, anëtarët bënë përzgjedhjen e Paneleve për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme si dhe Komisionin për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në vijim të këtij takimi, Këshilli caktoi Komisionin Vlerësues për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për pozitën e Kryetar të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Prishtinë, dega në Podujevë dhe Gllogovc si dhe për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Ferizaj, dega në Kaçanik.

Po ashtu, u themeluan edhe Komisionet për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve mbikëqyrës në: Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq dhe Skenderaj, Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan dhe Podujevë, Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë si dhe Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit aprovuan korrektimin e gabimit teknik të formularit për vlerësimin e performancës së kryetarëve të gjykatave si dhe miratuan shtojcën për vlerësim përfundimtar.

Anëtarët e Këshillit kanë diskutuar edhe lidhur me shqyrtimin e katër (4) kërkesave për transferim të gjyqtarëve, me ç’rast tre (3) kërkesa janë refuzuar ndërsa një (1) kërkesë/ankesë është aprovuar.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për shqyrtimin e një ankese ndaj vendimit për vlerësimin e performancës dhe ri diskutimin e një (1) ankese, nga takimi i 263-të i KGJK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …