Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur takimin e 280-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur takimin e 280-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj

 Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 280-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me raportimin e Komisionerit për mbikëqyrjen e procesit të përgjimeve dhe komunikimeve, gjyqtari Agim Maliqi, me ç’rast u diskutuan punët dhe sfidat që ka hasur komisioneri në përmbushjen e misionit të tij gjatë vitin 2021.

Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit, gjyqtari Vaton Durguti dhe Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë, gjyqtari Valon Kurtaj, shfletuan para anëtarëve të Këshillit raportin e punës të këtyre departamenteve si dhe diskutuan rreth punës së përgjithshme dhe sfidave me të cilat përballen.

Shefi i Zyrës për Teknologji Informative në Sekretariatin e KGJK-së, Fatmir Rexhepi, raportoi lidhur me zbatimin e vendimit KGJK.nr.424/2021 nga gjykatat, lidhur me dërgimin e ankesave në procedurë paraprake penale në Gjykatën e Apelit përmes Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL). Po ashtu, u diskutua rreth sfidave të paraqitura dhe aktiviteteve që janë ndërmarrë për zbatimin e këtij vendimi me ç’rast Këshilli kërkoi nga kryetarët dhe administratorët e gjykatave si dhe ndihmës administratorët e degëve të gjykatave që të zbatohet me përpikëri vendimi i KGJK-së. Gjithashtu, Këshilli kërkoi nga Shefi i Zyrës së IT-së që të monitoroj dhe të raportoj në KGJK për zbatimin e vendimit.

Anëtarët e Këshillit aprovuan Planin dhe Programin Vjetor të punës së Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili paraqet planet dhe programin e punës për vitin 2022, duke u fokusuar në caktimin e kolegjeve gjyqësore dhe punën e gjykatës rreth unifikimit të praktikës gjyqësore.

Këshilli miratoi ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore në Gjakovë për vitin 2022, me numër AGJ.I.nr.51/2022.

Në vijim të këtij takimi, u miratua Strategjia e Komunikimit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës 2022 – 2024, e cila ka për synim rritjen e besimit dhe mirëkuptimit të publikut, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për reformat në gjyqësor si dhe përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm. Anëtarët miratuan edhe Planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie.

U aprovua Udhëzuesi themelor i referimit për trupat para-hetuese dhe hetuese në kryerjen e hetimeve ne çështjet disiplinore gjyqësore, i cili ka për qëllim të jetë mjet praktik për përdorim nga Autoritetet Kompetente dhe Panelet Hetimore, të themeluara nga KGJK, për kryerjen e hetimeve në çështjet disiplinore gjyqësore.

Këshilli emëroi gjyqtaren Valbona Musliu – Selimaj nga Gjykata Themelore Prishtinë, në pozitën anëtare e Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave themelore.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me një (1) pikë të mbyllur për themelimin e panelit për një (1) rast disiplinor, me ç’rast vendosi për suspendim me pagesë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Y.Sh.

Kontrolloni gjithashtu

Më 17 prill 2025 shënohen 26 vjet nga Masakra e Poklekut të Vjetër

26-VJETORI I MASAKRËS NË POKLEK TË VJETËR  17 Prill 2025 | Ora 10:00 | Poklek …