Këshilli Gjyqësor i Kosovës reagon në shkrimin e portalit KOHA.net, të datës 06.05.2021 me titullin: ”Pazaret” në drejtësi, Haxhiu e shqetësuar me “grupet e fuqishme” brenda KPK-së dhe KGjK-së si dhe ndaj deklarimeve të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila aludon në kinse “grupe të fuqishme” dhe “pazare” brenda sistemit gjyqësor. KGjK, shpreh pakënaqësi lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor, gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit.
Bazuar në Kushtetutë e Ligj sistemi gjyqësor është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mos diskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendor si dhe standardeve më të larta profesionale.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe kërkon nga të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla, por të angazhohemi që të punojmë bashkërisht me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.