Këshilli i Prindërve në Kosovë ka kërkuar nga qeveria që të marrë vendim për vaksinimin e fëmijëve adoleshentë, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla nga shtatori. Një kërkesë e tillë, ka ardhur pasi ditëve të fundit, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve me coronavirus, sidomos tek fëmijët. Autoritet shëndetësore të enjten kanë regjistruar 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 personave. Kurse në tre ditët e fundit (10,11 dhe 12 gusht), në Kosovë janë infektuar mbi 300 persona të moshës nga 10 deri 19 vjeç. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 mijë nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet Kosova, është edhe refuzimi i një përqindjeje të madhe të mësuesve për t’u vaksinuar. Deri më tash, Kosova nuk e ka bërë të detyruar vaksinimin e personelit arsimor, kurse deri me 6 gusht, është raportuar se janë vaksinuar 50% e mësimdhënësve.