Këshilli organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i cili është themeluar në kuadër të Kryeministrisë, për datën 17 shkurt ka paraparë organizimin e një morie aktivitetesh nëpër komunat e Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën. Në kryeqytet është paraparë parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe njësive të Policisë së Kosovës, pastaj homazhe para varrit të presidentit Ibrahim Rugova, si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe artistike. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka theksuar se organet e rendit do të kujdesen për sigurinë gjatë kremtes. Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitetet e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë zhvillimit të aktiviteteve respektove, për nderë të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet festim sa më dinjitoz në këtë datë të rëndësishme për vendin”, ka thënë Hoxha.
