KFOR-i e ka fuqinë ushtarake dhe politike për të penguar çdo agresion ndaj Kosovës, thotë ish-oficeri britanik, Ade Clewlow. Megjithatë, ai përjashton mundësinë për një konflikt të drejtpërdrejtë në vend përderisa trupat e këtij misioni qëndrojnë në Kosovë. Sa larg anëtarësimit në NATO është Kosova dhe a do të duhej të vendosej FSK-ja në veri, flet në një intervistë për KosovaPress, ish-ushtaraku që ishte dëshmitar i një prej proceseve më të rëndësishme – shpërbërjes së TMK-së dhe krijimit të FSK-së. Ade Clewlow, i cili shërbeu 25 vjet në ushtrinë britanike, vlerëson se Ballkani Perëndimor nuk është rajon i qëndrueshëm. Për këtë pasiguri, një kontribut të madh sipas tij, e kanë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova u bë shtet më 17 shkurt të vitit 2008 dhe u pranua nga më shumë se 100 shtete të botës, por vazhdon të mos njihet nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, shtete këto që janë pjesë e bllokut.
