Trupat italianë të KFOR-it kanë kryer inspektime teknike në disa ura në komunat Pejë, Klinë dhe Gjakovë, si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe qarkullimit në rajon. Sipas një njoftimi zyrtar, ky aktivitet është pjesë e mandatit të KFOR-it të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Qëllimi është garantimi i një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe forcimi i lirisë së lëvizjes. KFOR-i thekson se angazhimi i tij mbetet i pandryshuar në mbështetjen e paqes dhe stabilitetit në vend. Inspektimet teknike janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt zbulimit të nevojave për investime dhe riparime në infrastrukturën rrugore të rajonit perëndimor të Kosovës.
