KFOR-i bën të ditur se është informuar vetëm pak kohë para se Policia e Kosovës të ndërmerrte aksionin në veri për mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe të Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat veriore të vendit. Në një njoftim të KFOR-it, thuhet se personeli i këtij misionin paqeruajtës nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. “KFOR-i u njoftua pak para fillimit të operacioneve, kundër degëve të Bankës të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. Më tej thuhet se: KFOR pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale. KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.