KFOR-i italian pajisi dy shkolla të Malishevës, me kabinete të informatikës

KFOR-i italian, ka pajisur dy shkolla të Komunës së Malishevës, me kompjuter, për kabinetet e informatikës, përkatësisht janë pajisur shkollat në Carrallukë dhe në Llapçevë. Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni, morën pjesë, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Perëndimit dhe komandanti i kontingjentit italian të KFOR-it, kolonel Enzo Ceruzzi, drejtori i arsimit në Malishevë, Avdi Morina, përfaqësuesit e CIMIC-ut italian dhe zyrtarë të tjerë. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar KFOR-in italian për këtë donacion dhe e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të KFOR-it. “Ne ju jemi mirënjohës për këtë donacion dhe kjo do të thotë, se ju nuk na harroni neve, ndërsa juve nxënës të shkollave, ju uroj për këto kabinete dhe uroj që ti shfrytëzoni në maksimum për të fituar dije në fushën e informatikës”, tha Begaj. Ndërsa koloneli Ceruzzi, duke marrë fjalën me këtë rast, fillimisht i falënderoi të gjithë për pritjen, pasi siç tha ai, “kjo gjë e ka emocionuar jashtë mase”. “Donacioni i  sotëm, është bërë nga njësia e CIMIC-ut italian dhe ky është donacion i vogël, por është vetëm fillimi i përkrahjes sonë në fushën e arsimit. Ky donacion është bërë me qëllim të arritjes së standardeve në shkollat e juaja, në mënyrë që edhe shkollat, krahas zhvillimeve tjera, të rritë standardet dhe cilësinë”, tha kolonel Ceruzzi. Drejtori komunal i arsimit, Avdi Morina, e ka falënderuar KFOR-in italian, i cili, ka sjellë 33 kompjuter për kabinetet e informatikës në dy shkolla të Komunës së Malishevës. Sipas Morinës, kompjuterët janë siguruar nga KFOR-i italian, ndërsa inventari tjetër nga Komuna e Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …