leoni

KICO BLUSHI: Një qeveri që nuk demonstron dinjitet kombëtar para ndërkombëtarëve, nuk ka si të ketë dinjitet para popullit të vet

  Sado mendje djallezore te kesh, edhe sikur te jesh krye komandant i andarteve apo i venizellove, nuk e sajon dot ate incident të pashembullt që ndodhi në të njëjtën ditë, rrezik edhe në të njëjtën orë: në historinë shekullore mes dy popujve “miq”, mes dy vendeve fqinjë, Greqisë dhe Shqipërisë, pikërisht në ditën e festës kombëtare greke, Kuvendi ynë demokratik mblidhet dhe vendos të legalizojë me ligj varrezat e ushtarëve grekë (pra politikisht, se realisht varrezat janë ngritur dhe bekuar me vakt e me kohë!), ndërsa në Athinë, në paradën zyrtare, komandot greke parakalonin dhe këndonin himne naziskinësh me vargje kriminale, antishqiptare. Sigurisht kjo nuk ishte as hera e parë e me siguri që nuk do të jetë as e fundit, pavarësisht nga masat që medemek “do të marrë qeveria greke”, sipas “garancisë “ që na dha edhe ministri ynë i jashtëm, teksa na vuri në dijeni, pas incidentit, se…se fjalë më të qarta se ato të ministrit grek të mbrojtjes së qytetarit për këtë incident nuk mund të gjesh!…Pra, ministri grek, përgjegjës direkt për këtë ceremoni të ndyrë dhe raciste (e cila nuk ishte përgatitur nga repartet ilegale të “17 nëntorit”), na qenka shqetësuar më shumë edhe se autoritetet shqiptare!…Kjo e bën poshtërimin shumë më të papërballueshëm, pasi tregon se si dhe pse komandohet klasa jonë politike, se sa pa personalitet dhe pa dinjitet kombëtar qenkemi katandisur ne shqiptarët e sotëm, se si po tërhiqet për hunde dhe po poshtërohet publikisht qeveria Berisha nga Athina zyrtare. Sigurisht jo nga Athina demokratike, po nga Athina atavike e atyre megalomanëve ballkanikë që e bënë Greqinë të dalë për t’u shitur në ankand, të trokasë dyerve të botës për të lypur lëmoshë, gjë e padëgjuar as nga shtete që nuk janë shtete! E pra, një dhi e zgjebosur të vjen në derë e të bën pis, paçka se ti e ke nderuar! Kjo është më e rëndë edhe se dhurimi e detit, të cilin për fat e anuloi Gjykata Kushtetuese. Ky incident bëhet edhe më i rëndë edhe pse dy deputetët çamë guxuan e mbajtën fjalime “prekëse” në Kuvend (duke iu lutur Greqisë të njohë çështjen çame!), por ama me qëndrimin e tyre, edhe ata lejuan të zhvillohej seanca, paçka se votuan kundër! Ndaj edhe fjalimet e tyre të nesërmen, para dyerve të ambasadës greke në Tiranë, nuk ngjallën asnjë shpresë apo entuziazëm se në Shqipëri ka një klasë politike apo ndonjë parti, sigurisht jo nacionaliste, po sadopak atdhetare që të ketë guximin e mjaftueshëm të dalë e të mbrojë në mos interesat kombëtare, të paktën dinjitetin kombëtar para qytetarëve e para botës! Turp të tillë nuk gjen dot në histori! Ne jemi katandisur, sigurisht jo për fajin tonë, si qytetarë, as se në Greqi kemi mbi gjysmë milion emigrantë, por të klasës së sotme lapërdhare politike, që është padyshim më e poshtëruara e Ballkanit, më me pak dinjitet, një klasë që për të mbetur në pushtet është gati jo vetëm të falë Shën Naumin, po edhe të gjithë Shqipërinë! Këtë na provoi së fundi edhe incidenti i komandove grekë, bashkë me seancën e Kuvendit për varrezat e ushtarëve grekë, seancë që padyshim ishte gatuar qëllimisht që të jepej si një dhuratë në ditën e festës kombëtare greke, për të dëshmuar edhe me një provë tjetër servilizmin e pacak, pas dështimit të kufirit detar…Kjo do t’i tregonte Athinës që ne, dmth qeveria Berisha, nuk e ka humbur “dashurinë” pa kushte për ju, edhe pas dështimit të dhurimit të kufirit detar, sigurisht “jo për faj të qeverisë”… E pra kjo shëmti në marrëdhëniet dypalëshe mesa duket ka shkuar shumë larg…; por kjo nuk ka ndodhur vetëm me grekët, por edhe me serbët, edhe me maqedonasit, edhe me italianët (kujto psh plehrat e Italisë, centralin bërthamor, Otranton apo batutat e Berluskonit para syve e veshëve të Kryeministrit tonë lavdimadh!), edhe me çekët, të cilëve iu fal OSSH-ja kur Çekia kishte kryesimin e BE-së, vetëm e vetëm që para zgjedhjeve Berisha të shkonte në Pragë e t’i dorëzonte Kryeministrit çek një dosje ngjyrë blu, me kërkesën për vend anëtar të BE-së…Dhe si rezultat, qeveria e këtij vendi të rraskapitur, që ka dalë të shitet për një euro, nuk bën as gëk as mëk as kur kjo ndërmarrje private çeke u vjedh për një muaj mbi një milion dollarë nga faturat e energjisë elektrike qytetarëve të varfër shqiptarë!… Një qeveri që nuk demonstron dinjitet kombëtar para ndërkombëtarëve, nuk ka si të ketë dinjitet e nuk mund të punojë në të mirë të popullit të vet! Ne nuk e meritojmë këtë turp e këtë poshtërim që na vjen së pari nga brenda pastaj edhe nga jashtë! E pra, edhe më një të tillë degradim, ne kemi guximin dhe shpresën të kërkojmë të bëhemi sa më shpejt anëtarë të BE-së!…Por si mund të na respektojnë, si mund të na legalizojnë vizat, që të lëvizim në Evropë lirshëm kur qenkemi katandisur kaq faqezinj e kaq pa dinjitet? A kanë faj ndërkombëtarët që na lanë të fundit, madje, së voni, edhe pas Bosnjës?!   *** Kush e njeh historinë mes dy popujve, e di që kjo që ndodhia me komandot naziskine greke nuk është një rastësi, as lajthitje, po një frymë që mesa duket në Greqi nuk është shuar as nga demokratizimi i Greqisë, as nga anëtarësimi i saj në NATO dhe në BE. Greqia ka bindjen që është kryeqendra e Ballkanit të trazuar , ajka e këtij rajoni që me sa duklet fuçinë e barotit e ka zëvendësuar me qypet e folklorit, me buzuqet e shishet e uzove… Por brenga jonë që vjen nga një varfëri e trashëguar të shtohet edhe më tepër kur vëren me trishtim se si një vend si Maqedonia, që është ende pa emër, që nuk ka një datë për festë kombëtare, si shtet i mëveçëm (nuk është shtet as një dhjetë vjeçar), që ka popullsi më të vogël se ne, që ka probleme etnike të pazgjidhura, por ama pakësh një klasë politike që ka guximin e mjaftueshëm e të admirueshëm t’i vërë kufirin te thana edhe Greqisë megalomane, duke sakrifikuar madje edhe anëtarësimin e saj në NATO, pa e bërë qejfin qeder! E pra, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve për t’u marrë vesh me Greqinë për emrin, Maqedonia, po edhe Mali i Zi, jo vetëm që fituan vizat, po janë shumë më pranë BE-së se ne! Sepse ata drejtohen nga dinjiteti i shtetarëve të tyre, dinjitet që përcillet edhe te qytetarët e simbolet kombëtare! Ja pra përse atë këngën “O sa mir’ me ken’ shqiptar”, ne, mbas sodit, duhet me e këndue, për qejf të grekëve: ‘O sa mir’ me ken’ i poshtëruar’! Deri kur kështu? Besoj se grekët, sidomos me ne shqiptarët do ta kenë shumë shpejt të humbur davanë! Vetëm se kur të ndryshohen rolet, ne nuk do të këndojmë të tilla këngë raciste kundër tyre për shpagim!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …