Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni i fitoi Gruevski. Edhe atë, jo vetëm në bllokun politik maqedonas, por duke i mposhtur bindshëm e turpshëm edhe shqiptarët e Maqedonisë. Kuptohet, atë e arriti i ndihmuar nga PDSH-ja, e cila mbase edhe e ka ditur se për Gruevskin, shqiptar i mirë është vetëm ai që e dhunon shqiptarin. Edhe atë, për kohë dhe afat të caktuar. Duke qenë i tillë, Gruevski i lejoi asaj të bëjë ç‘të dojë me votuesin shqiptar gjatë fushatës parazgjedhore. Këtë ia lejoi kësaj partie edhe ditën e zgjedhjeve, sepse Gruevski e dinte se ç‘ka do që të bënte PDSH-ja me shqiptarët, ajo do të realizonte vetëm konceptin e tij politik: do të shpaloste vetveten si parti dhunuese e votuesit shqiptar, si parti që njollos popullin e vet si të dhunshëm e të pacivilizuar, e nga ana tjetër, do ta dobësonte BDI-në, e cila nuk kishte ndihmën institucionale që t‘i kundërvihej kësaj dhune. Pra, Gruevski kishte qëllim më të lartë se që mund ta kuptonin partitë shqiptare: donte rezultat të plotë në bllokun politik maqedonas dhe mposhtje sa më përbuzëse për shqiptarët e këtushëm.
Për ta arritur këtë fitore, Gruevski i filloi parapërgatitjet qysh në vitin 2006, kur shkeli mbi vullnetin shumicë të shqiptarëve të këtushëm dhe mbolli grindjen brendashqiptare. E që pastaj, të arrinte këtë që ka sot përballë vetes: dy parti shqiptare në dukje thuajse njësoj të dobëta. Dhe të vazhdojë të bëjë atë që është duke bërë këto ditë: të burgosë sa më shumë aktivistë edhe të PDSH-së edhe të BDI-së. Me qëllim që t‘i barazojë në fajësi që të dyja partitë dhe të shfajësojë vetveten. Me qëllim pra që t‘u dëshmojë të huajve se sa rëndë e ka me këto dy parti shqiptare. Pra, ai tani e zhvillon betejën e fundit drejt triumfit të tij të plotë: ua plotëson dëshirën të dyja partive shqiptare, të cilat kërkojnë ndihmën e tij, që të burgosë sa më shumë aktivistë të kundërshtarit politik. Dhe tani, ai u përgjigjet kërkesave të tyre: i burgos radhazi edhe ata që deri dje ishin të “pakapshëm” për policinë e tij, a në të vërtetë qëndronin pranë krerëve të PDSH-së, sa herë që ata bënin fotografitë grupore parazgjedhore, për ta bindur popullin se ku mbështetej forca dhe arroganca e tyre. Ai tani i mbush burgjet me aktivistë partiakë shqiptarë, që të mbulojë lëshimet e strukturave shtetërore që kishin për obligim të siguronin zgjedhje të lira e të qeta edhe për shqiptarët e këtushëm. Ai tani e shpall fajtor tërë një popull për atë që ndodhi edhe në regji të disa strukturave shtetërore.
Sido që të jetë, jeta do të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve skandaloze e tragjike të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Jeta nuk do ketë më asnjëfarë kuptimi vetëm për të riun e vrarë në fshatin Haraçin, në afërsi të Shkupit. Jeta do të ketë krejt kuptim dhe rrjedhë tjetër për familjarët e këtij të riu, si edhe për dhjetëra entuziastë të rinj partiakë që shijuan plumbin, apo tani shijojnë terrin e burgut. Jeta do ndryshojë për ata që u flijuan vetëm që të vazhdonte më tej jeta e parlamentarëve dhe ministrave të ardhshëm shqiptarë, të cilëve mbase edhe nuk do t‘u rikujtohet gjithaq shpesh se ulëset e tyre janë të njollosura me gjakun e të riut të vrarë nga Haraçina dhe me gjakun e dhjetëra të plagosurve të tjerë. Apo do t‘u kujtohet aq sa u rikujtohet politikanëve të sotëm gjaku i të riut Fatmir Jakupi nga fshati Kondovë në afërsi të Shkupit, të vrarë në vendvotim gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2000. Vrasje e cila dëshmon se shkupjanët, shumë më herët kanë ngrënë plumba për shkak të demokracisë “alla shqiptarçe”, të ushqyer e të nxitur edhe nga strukturat shtetërore.
Pas të gjithave që ndodhën në vendbanimet shqiptare gjatë këtyre zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Maqedoni, u bë e dukshme ajo që disa e përsërisnin vite me radhë: se qarqet antishqiptare nëpër institucionet e këtij shteti, u lejojnë partive të këtushme shqiptare të “banditizohen”, ta kriminalizojnë shoqërinë shqiptare, por vetëm me një kusht: nëse i mbajnë duart larg vendbanimeve të etnitetit maqedonas. Para se të fillonte fushata parazgjedhore, shumë njohës të rrethanave të këtushme politike, përsërisnin se në këto zgjedhje BDI-ja nuk do ketë përballë vetes vetëm aktivistët e PDSH-së, por edhe një pjesë të strukturave shtetërore, të cilat do t‘i barazojnë shqiptarët njësoj si fajtorë për atë që ua kurdisi shtetit. Por, këto vlerësime ishin të pavlefshme edhe për disa politikanë të “moderuar” të BDI-së, të cilët më me rëndësi e kishin sa herë do paraqiten në ekranet televizive dhe a do bëhen zëvendës kryeministra, se sa a do ta nxjerrin popullin nga kjo rrugë drejt vëllavrasjes. Thëniet se BDI-ja kësaj radhe duhet me vendosmëri të demaskojë strukturat shtetërore që ndihmojnë kriminalizimin e shoqërisë shqiptare, nuk kishin vlerë për disa partiakë të lartë të strukturave të BDI-së, të cilët e dinin saktësisht kur është Dita e Evropës, por nuk dinin asgjë për netët përplot trishtim të atyre që duhet të votonin për ata.
Cilatdo qofshin ambiciet e aktivistëve të partive të këtushme shqiptare, mbetet e vërteta se shqiptarët e Maqedonisë janë humbësit më tragjikë të këtyre zgjedhjeve parlamentare. Dhe që humbja të jetë më e plotë, kryetari i PDSH-së, atë e emëroi si “fitore më të lezetshmen” që e ka shijuar gjatë karrierës së vet. Shqiptarët e Maqedonisë edhe kanë mundë të habiten e të pyesin veten për cilën fitore flet kryetari i PDSH-së, por vetëm nëse kanë harruar se ai me kohë, edhe atë publikisht, i paralajmëroi se nuk e interesonte ardhmëria e partisë së tij, por rritja e popullaritetit të VMRO-DPMNE-së. Kështu që nuk kishte si mos ta ndjente këtë fitore të VMRO-DPMNE-së si “më të lezetshme” dhe si sukses personal. Dhe kështu e poshtëroi Tetovën, duke kremtuar këtë “fitore më të lezetshme” të vetën.
Sa i përket kremtimit të së dielës mbrëma të aktivistëve të PDSH-së dhe të VMRO-DPMNE-së në Tetovë, nuk ka dyshim se ai manifestim, shqiptarëve të këtushëm, ua rikujtoi ato që bëheshin në Beogradin e viteve të nëntëdhjeta, kur në Kosovë vriteshin të rinj shqiptarë, e Millosheviqi kremtonte në Beograd “fitoret” e arritura në Kosovë. Pra, në njëfarë mënyre, asaj nate, Tetova i ngjante Beogradit të dikurshëm. Dhe në këtë qytet, disa shqiptarë të PDSH-së dhe maqedonas të VMRO-DPMNE-së, të vëllazëruar, kremtuan fitoren e Gruevskit mbi shqiptarët, fitoren e paguar me një të vrarë, me dhjetëra të plagosur, me më se tridhjetë të burgosur. Fitore e cila mbase paralajmëron një ardhmëri të pasigurt për Maqedoninë. Ardhmëri e cila do mund t‘i çojë shqiptarët e këtushëm një ditë të thonë – ju faleminderit, por Maqedonia e Gruevskit neve nuk na nevojitet.
Shqiptarët e Maqedonisë humbën, por edhe si humbës tragjikë, ata do të kenë përfaqësuesit e vetë në Parlament, si edhe qeveritarë në kabinetin e Gruevskit. Sepse kështu e do rendi demokratik i Gruevskit, rend që ofron siguri institucionale për maqedonasit etnikë, e sa më shumë trishtim për shqiptarët. Dhe duke ndërtuar demokraci dystandardëshe, Gruevski u bë i shurdhër ndaj thirrjeve të BDI-së gjatë fushatës parazgjedhore që të frenonte strukturat policore që dhunonin popullin. Gjatë fushatës parazgjedhore, ai nuk donte të reagonte, sepse i trembej fitores bindëse të BDI-së. I trembej mundësisë që shqiptarët të kenë një subjekt të fortë politik. Dhe bëri çmos që kjo të mos ndodhë.
Përndryshe, sa i përket Ali Ahmetit, ai thuajse e ka fat jetësor që të mos ta shijojë kurrë të lehtën. Kështu që sa më shumë e përkrah populli, aq më të shumta bëhen qarqet antishqiptare që duan ta asgjësojnë. Se sa Ahmetit i beson dhe e përkrah populli, më së miri e dëshmoi mitingu madhështor parazgjedhor i BDI-së, i mbajtur në sheshin e Shkupit. E në këtë miting, shkupjanët e pritën dhe e përcollën Ali Ahmetin me ovacione që i ruajnë vetëm për njeriun të cilit i besojnë. Në këtë miting, shkupjanët i përcollën me duartrokitje përplot entuziazëm edhe fjalimin e Teuta Arifit dhe Izet Mexhitit. Por, ata e përcollën me fishkëllima Musa Xhaferin dhe me mospërfillje zëdhënësen e kësaj partie. Mbase duke dashur t‘ia përcjellin Ali Ahmetit porosinë se Shkupi është i gatshëm të hajë edhe plumba për të, por jo edhe për ata që vlerë të vetme kanë atë se “janë rritur me të” dhe mendojnë se kjo mjafton që të kenë ardhmëri të pakontestueshme politike.
Sa u përket shkupjanëve, ata janë barometri më i saktë i asaj se si qëndrojnë partitë politike shqiptare në Maqedoni. Edhe gjatë kësaj fushate parazgjedhore, ata u treguan qartë BDI-së edhe PDSH-së se deri ku kanë arritur. Kështu që për BDI-në e mbushën sheshin më të madh të Shkupit, e për PDSH-në e lanë zbrazur sallën ku krerët e kësaj partie shpresonin se do të realizonin paraqitje pompoze. Sallë të cilën krerët e PDSH-së e mbushën me tetovarët që i shëtisnin nga një vendbanim shqiptar në tjetrin. Mbase kësaj radhe krerët e PDSH-së me kohë e kishin kuptuar se Shkupi nuk gjunjëzohet aq lehtë. Apo kishin bërë çmos që ta gjunjëzonin Tetovën dhe t‘ia mundësonin Gruevskit të kremtojë fitore të dyfishtë: atë që e arriti në bllokun etnik maqedonas dhe mposhtjen tragjike që ua bëri shqiptarëve.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …