Kim Mehmeti: Kush ka plumba për të vrarë shqiptarë

Shqiptarët e Maqedonisë, fushatën parazgjedhore e nisën thuajse një javë më herët se 10 maji, dita zyrtare e fillimit të saj. Këtë fushatë ata e nisën me krisma nga armë të lehta zjarri, që dëmtuan shtabet parazgjedhore të BDI-së. Posa filloi periudha zyrtare e fushatës parazgjedhore, armët e lehta u zëvendësuan me ato më të rëndat. Kështu që, shtabet zgjedhore të BDI-së, në rrethinën e Tetovës, u sulmuan edhe me topa dore. Mbase të dëshpëruar pse Ali Ahmeti nuk e ndërpriste fushatën parazgjedhore, kundërshtarët e tij vendosën të ndërmerrnin hapin e fundit “demokratik”, që ta bindnin se kush sundon me Maqedoninë Perëndimore: organizuan atentat mbi të, që, për fat, kryetari i BDI-së i mbijetoi pa asnjë të gërvishtur. Dhe falë automobilit të tij blinduar, ku nuk mund të depërtonin plumbat, por depërtoi porosia që bartte me vete helmin vëllavrasës. Pas këtij atentati, dukshëm i shqetësuar, Ali Ahmeti edhe një herë përsëriti se ai “kurrë nuk ka pasur e nuk do ketë plumba për të vrarë shqiptarë”. Por, harroi t‘u tregojë simpatizantëve të tij si t‘ia dalin në krye me ata, të cilëve u janë dhënë mjaft plumba për të vrarë shqiptarë, si t‘ia dalin në krye me ata që duan t‘i dhunojnë shqiptarët e këtushëm, e të cilët bëhen gjithnjë e më agresivë e më të sigurt se nuk ka kush i ndal rrugës që çon drejt vëllavrasjes shqiptare. 

Kjo fushatë parazgjedhore rikujton atë që dihet prej moti dhe e bën më të dukshme atë që disa qëmoti e paralajmëronin se një ditë do të ndodhte. E rikujton atë se shqiptarët janë të pambrojtur nga institucionet shtetërore, konkretisht nga Policia e Shtetit dhe e bën më të dukshëm realizimin e paralajmëruar se shqiptarët e këtushëm do bëhen peng i “rrugaçërisë” partiake. Se shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë ngutshëm kriminalizohet, dhe se do vijë një ditë kur ajo do të paguajë çmim të lartë, që të shpëtojë nga kthetrat e dhunuesve të mbrojtur nga kryebanditët partiakë. Dhe kjo ditë siç duket ka ardhur. E ajo erdhi, për shkak se shqiptarët e Maqedonisë vonë e panë se disa parti të tyre u bënë strehë për grupet krimogjene. Se kriminalizimin e partive shqiptare, si parakusht të shkohej më tej drejt kriminalizimit të shoqërisë shqiptare, e stimulonin edhe qarqet antishqiptare maqedonase, që bashkëpunimin politik me partitë shqiptare, e mbështesnin mbi parimin se “vetëm shqiptari i komprometuar dhe me dosje policore, është i përdorshëm për pushtetin”. Pra, shqiptarët e Maqedonisë vonë e vërejtën se u bënë përkrahës edhe të partive që forconin muskujt, e jo trurin. Muskuj që në fillim i përdornin për t‘u bërë shërbime “vëllezërve” të tyre të partive etnike maqedonase, e më vonë, kur ky shërbim më nuk ishte i nevojshëm, i përdorën për ta dhunuar popullin e vet. 

Shqiptarët e Maqedonisë tani janë ata që i pasqyron kjo fushatë parazgjedhore, janë ata që e dinë edhe kush i sjell plumbat, edhe kush i përdor ato për të trembur e për të vrarë shqiptarë, por nuk kanë kujt t‘i tregojnë. Se po shkove dhe këtë ia tregon policisë, ata u kërkojnë shqiptarëve me plumba të vrasin shqiptarë. Po i tregove Ali Ahmetit, si lider i një partie opozitare, ç‘mund të të thotë tjetër, përpos të ta ushqejë durimin dhe bindjen se duhet bërë çmos për ta mposhtur këtë projekt antishqiptar vëllavrasës. Kështu që në fund, del puna se të vetmit shqiptarë të mbrojtur sot në Maqedoni janë ata që pranojnë të marrin plumba e që do t‘i përdorin vetëm për të trembur e për të shantazhuar shqiptarët. E numri i të cilëve mbase nuk shtohet, por aq sa janë, ndjehen gjithnjë e më të sigurt në vetvete. Me çka, arritën të bënin atë që ëndërronin qarqet maqedonase antishqiptare të VMRO-DPMNE-së: T‘ua marrin hakun shqiptarëve të këtushëm për vitin 2001. Edhe atë, pa shtënë maqedonasi etnik asnjë plumb kundër shqiptarëve të këtushëm. Duke i çuar shqiptarët t‘ia hanë kokën njëri-tjetrit. 

Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund ta mohojnë se për këtë që u ndodh, ata vetë janë fajtorët kryesorë. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë për shkak se me votën e tyre, i dhanë legjitimitet një strukture partiake, e cila di si ta sundojë popullin, por nuk di ta kontrollojë destruktivitetin e vet. Andaj edhe shqiptarët e Maqedonisë, tani ndodhen këtu ku janë: në këtë fushatë parazgjedhore, e cila pasqyron se ata janë të egërsuar partiakisht mes vetes. Se janë aq të egërsuar, sa nuk e shohin se qysh moti kanë kaluar shkallën e simpatizantëve partiakë dhe mbase tani janë udhës pa kthim, që të çon të bëhesh torturues i popullit tënd. Se janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet që ta mposhtin kundërshtarin partiak, pa vënë re se janë duke e mposhtur popullin e këtushëm shqiptar. Kjo tragjedi parazgjedhore që ndodh mes shqiptarëve të Maqedonisë, pasqyron qartë se vendbanimet e këtushme shqiptare janë nën sundimin e kryebanditëve lokalë partiakë, të cilët veprojnë sipas urdhrave të ardhur nga selitë e Tetovës. Me çka u pa se Tetova, para se të bëhej qendër universitare, ishte bërë qendër e nxitjes së grindjes ndërpartiake brenda-shqiptare. Dhe kjo grindje u përhap në shoqërinë e këtushme shqiptare më ngutshëm se sa diplomat e shitura të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku u bë ligjërues çdonjëri që kishte “diplomën” e partisë shqiptare në pushtet. Pra, para se Tetova të bëhej me Universitet Shtetëror, atë dikush arriti ta bëjë qendër, nga do të realizohej kjo që ndodh sot me shqiptarët: pra, qendër nga do të realizohej skenari i rrezikshëm vëllavrasës ndërshqiptar, skenar që mbase edhe do realizohet, nëse shqiptarët e këtushëm mbeten indiferentë ndaj fatit të tyre dhe nuk dalin masovikisht në zgjedhjet e qershorit, që t‘u thonë mjaft dhunuesve të gjakut të tyre. E që të dëshmojnë se nuk janë as aq frikacakë, sa të gjunjëzohen para qyqarëve të fisit të vet. 

Shqiptarëve të Maqedonisë u mbetet të dëshmojnë shumëçka. Sa për fillim mjafton të dëshmojnë se e kanë kuptuar që janë të pambrojtur nga Policia e Shtetit, se janë lënë në duart e partive të tyre. Edhe atë, me qëllim që t‘ia hanë kokën njëri-tjetrit. Që të bëjnë ata që e ëndërrojnë dhe e stimulojnë edhe disa struktura policore, struktura të ministreshës Jankullovska, e cila është kandiduar për deputete në njësinë zgjedhore të Tetovës, ministreshë e po asaj policie, që nuk arrin të zbulojë ata që sulmojnë shtabet zgjedhore të BDI-së dhe që dhunojnë shqiptarët, por që tregohet e “suksesshme” në luftën globale kundër “terrorizmit islamik”. Dhe këto ditë, në mes të Shkupit, bëri bastisjen spektakulare të shtëpisë botuese “Nun” dhe të organizatës “Bamirësia”. E bastisi këtë shtëpi botuese dhe këtë organizatë humanitare, me arsyetim se kishte “zbuluar” gjurmët e një qendre “terroriste islamike”. E në të vërtetë, qëllimi i këtij aksioni ishte krejt tjetër: duke e ditur se pronarët e kësaj shtëpie janë simpatizantë të BDI-së (thuajse partitë e kanë për obligim të parashohin edhe veprimtarinë e çdo simpatizanti të vet), donte të realizojë atë që nuk arriti ta bëjë paraardhësi i saj gjatë vitit 2001, i cili u mundua që UÇK-në ta shpallte si degë të “Al Kaedës”. 
Pra, me këtë aksion, Jankullovska donte të kompremetojë atdhetarë të përkushtuar shqiptarë, e myslimanë të devotshëm, dhe me atë të dëshmojë se BDI-ja është e lidhur me organizata të dyshimta “antiperëndimore”. Këtë nuk e kuptuan as disa krahë partiakë të BDI-së dhe u ngutën të kërkonin distancimin e partisë nga “mjekrat” e shtëpisë botuese “Nun”, me arsyetimin se kështu u kishin sugjeruar të huajt, e me çka dëshmuan se nuk e dinë se, sikur Amerika të priste që terroristët t‘i zbulonte policia e Jankullovskës, atëherë rusët moti do kërkonin nga SHBA atë që Greqia kërkon nga Maqedonia: ta ndërronte emrin e shtetit.
Por, kështu e kanë disa zyrtarë të lartë “kafenesh” të BDI-së, e për të cilët simpatizantët e Shkupit të kësaj partie, këto ditë tregojnë barsoletën, e cila thotë: Kujdesu mos të të vrasin, sepse sa u përket disa “ekspertëve” të BDI-së, ata mund të kërkojnë nga kreu partiak që të mos të të varrosin menjëherë, por të të mbajë në frigorifer aq ditë, sa do zgjasin analizat e tyre, se si do ndikojë vrasja jote te simpatizantët e tjerë të partisë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …