leoni

KKSB: Malisheva e qetë dhe stabile në fushën e sigurisë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, nën drejtimin e kryetarit të komunës, Ragip Begaj, e ka mbajtur mbledhjen e rregullt të saj, ku është vlerësuar situata e sigurisë në Komunën e Malishevës, situata me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Situata e sigurisë në Komunën e Malishevës, u vlerësua e qetë, stabile dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate, pavarësisht rrethanave aktuale, sidomos me pandeminë covid-19. Sipas komandantit të stacioni policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, situata është e qetë, nuk ka rrezik të prishjes së situatës së sigurisë, pavarësisht rrethanave, e sidomos situatës pandemike, e cila ka mundur të ndikoj në rritjen e rasteve të veprave penale për shkak të efektit të mbylljes apo karantinimit për një kohë të gjatë. Po ashtu edhe aksidentet në trafik, kanë shënuar rënie, e për këtë ka ndikuar edhe situata me pandemi, pasi janë reduktuar lëvizjet. Ndërsa për situatën aktuale pandemike, foli kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili i njoftoi anëtarët e KKSB-ës, me situatën aktuale, për menaxhimin e situatës nga ana e shtabit komunal, si dhe për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore dhe shërbimet tjera, për të gjitha rastet e prekura. Begaj, tha se numri i vdekjeve është i madh në krahasim me numrin e banorëve dhe numrin e të prekurve dhe kjo sipas tij është shqetësuese. Për menaxhimin e situatës pandemike, kryetari Begaj, i ka falënderuar të gjithë ata që janë të angazhuar direkt apo indirekt, duke filluar nga stafi shëndetësor, policia, shtabi komunal, dhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës, e cila sipas anëtarëve të KKSB-ës dhe sipas përgjegjësve, u vlerësua e menaxhueshme dhe nën kontroll të plotë. Për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe në këtë drejtim, sipas tij, Komuna e Malishevës e ka një përparësi për zbatimin e masave anti covid, sepse ka hapësirë të mjaftueshme në objektet shkollore, përjashtuar gjimnazin, ku numri i nxënësve është shumë i madh dhe mësimi do të zhvillohet i kombinuar, apo sipas planit B, ndërsa në shkollën fillore në Malishevë, mësimi do të mbahet në tri ndërrime.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ramosaj me bashkëpunëtor vizituan Shkollën Fillore “Lan Selimi” në Lumbardh

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj së bashku me nënkryetarin e Komunës, Sami Cacaj …