leoni

KMDLNJ

KMDLNj: Dënojmë fuqishëm shkeljet që Gjykata Speciale Raciste po ua bënë pengjeve të Hagës

 

Sipas informatave të KMDLNj-së, ndaj pengjeve që po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, si të paraburgosur, duke u gjykuar dhe në vuajtje të dënimit, kohëve të fundit u ishin nënshtruar disa kufizimeve në fushën e informimit e që përfundoi me ndërprerjen e paparalajmëruar të vizitave familjare dhe personave të tjerë që kishin marrë pëlqimin nga autoritetet e Gjykatës Raciste Speciale për vizita.

Edhe komunikimi tjetër ishte ndërprerë, pa dhënë ndonjë sqarim. Vizitat ishin ndërprerë krejtësisht në kohën e pandemisë mirëpo jo edhe komunikimet me familjarë dhe të tjerë përmes telefonit dhe formave tjera elektronike.

Në të njëjtën kohë kryetarja e Gjykatës Speciale Raciste, Ekaterina Trandafilova paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën dhe do të ketë një takim “informues” me shoqërinë civile ndërsa nuk tregoi nëse do të ketë ndonjë takim me politikanët, ndryshe që këtë mund ta bëjë edhe pa e informuar publikun.

Kjo farë kryetare e pati lënë për një kohë tjetër vizitën për faktin se ishin paralajmëruar protesta ndërsa, tani e vlerëson se kushtet janë më të mira për ta realizuar këtë vizitë “informuese”. Se takohet me shoqërinë civile, është thuaja normale aq më parë që një pjesë të saj e kanë partner edhe para themelimit të Gjykatës përkatësisht nga Rasti i Burrelit apo “Shtëpisë së Verdhë”.

Se një pjesë e madhe e shoqërisë civile ka pasur qëndrim anues dhe oportunist ndaj shkeljeve serioze të drejtave të njeriut që i ka bërë kjo Gjykatë në raport me pengjet nga Kosova është e ditur botërisht prandaj këta Trandafilova nuk e ka asnjë problem t’i informojë për punën dhe transparencën e kësaj Gjykate, tmerrësisht e mbyllur dhe tmerrësisht diskriminuese në baza etnike që identifikohet me mungesën e transparencës elementare, së paku deri më tani.

Thuhet se kjo gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, injorantët dhe dashkëqinjt vërtet mendojnë ashtu ndonëse me asgjë nuk identifikohet me Kosovën përveç se në baza etnike arreston dhe dënon shqiptarë. Ata që kanë kryer krime masive në Kosovë (serbët dhe Serbia) nuk ndiqen për krimet e bëra, janë shndërruar në bashkëpunëtorë dhe dëshmitarë të gjykatës për të cilën janë angazhuar që nga polici i trafikut i Serbisë e deri te presidenti i këtij shteti kriminel.

Ekaterina Trandafilova është takuar edhe me civilistët dhe jocivilistët nga Serbia, do të ishte befasi po të mos takohej.

LESP-i i Kosovës, njërin ndër kapitujt kryesorë për sukses në procesin e risocializimi të të dënuarve i konsideron vizitat familjare, miqësore dhe shoqërore, ruajtjen e familjes dhe krijimin e familjes së re, me një fjalë parasheh të ruhet dhe forcohet mjedisi social. Po të njëjtën gjë e parasheh Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe Rregullat e Nelson Mandelës që kinse i zbaton kjo Gjykatë, si standardin më të lartë të Kombeve të Bashkuara që rregullon të drejtat e personave të privuar nga liria.

Shkeljet që iu bëhet në vazhdimësi pengjeve nga Kosova në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë duhet të trajtohen seriozisht nga Komiteti Ndërkombëtar për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Degradues për faktin se askujt nga Kosova nuk i lejohet t’i vizitojë brenda hapësirës së burgut për të parë trajtimin e tyre dhe kushtet fizike. Kjo metodologji përdoret në të gjitha vendet e botës, hiç atyre diktatoriale dhe është thuaja praktikë uniforme e monitorimit.

Ekaterina Trandafilova duhet të tregojë pse vetëm Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva dhe Ombudspersoni i Holandës kanë të drejtë t’i vizitojnë pengjet e Hagës dhe, deri më tani nuk kanë bërë asgjë në mbrojtje të drejtave të tyre.

Pjesa më e madhe e deputetëve të Kosovës dhe politikanët e tashëm, jo që kanë ndonjë interesim për këta të syrgjynosur por po kërkojnë rrugë dhe mundësi si t’ua ndërprenë mbrojtjen ligjore dhe vizitat familjare përmes ndalimit të financimit. Të gjithë i përmendin se deri më tani janë shpenzuar për mbrojtje dhe vizita familjare 20 milionë euro kurse Kroacia vetëm për mbrojtjen e Ante Gotovinës i ka shpenzuar 33 milionë euro.

KMDLNj-ja fuqishëm dënon shkeljet që Gjykata Speciale Raciste po ua bënë pengjeve të Hagës, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë sikur edhe heshtjen e institucioneve të Kosovës që, me dashje apo pa dashje janë vënë në krahë të kësaj Gjykate. Vizita e Ekaterina Trandafilovës në Kosovë për KMDLNj-në është e papranueshme, e neveritshme dhe në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale dhe si e tillë duhet të bojkotohet dhe kundërshtohet.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …