Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vizituar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi pas deklarimeve të fundit nga ai se po bëhen shkelje e të drejtave të njeriut ndaj tij. Siç thuhet në njoftimin e KMDLNj-së, gjendja shëndetësore e tij nuk është e mirë. Ai mbahet nën kontroll me terapi të përditshme për shkak të dhembjeve të mëdha të kokës nga migrena sikur edhe për shkak të problemeve reumatike. KMDLNj e ka quajtur “arsenal” barnash ato që përdorë Selimi. Edhe pse në këtë gjendje shëndetësore, Selimi ka thënë se nuk kërkon trajtim të veçantë shëndetësorë dhe se ka parasysh mundësitë që ofrohen në QKD për trajtim shëndetësor. Ai po ashtu i ka deklaruar KMDLNj-së se është refuzuar kërkesa e tij për lirim të parakohshëm nga Paneli për Lirim me Kusht ndonëse i ka plotësuar kushtet e parapara, pasi ka vuajtur 2/3 të dënimit, nuk ka asnjë vërejtje nga stafi dhe ka gjendjen shëndetësore të përkeqësuar. Selimi ka thënë se po mbahet kundërligjshëm për më shumë se pesë muaj, duke shfaqur pakënaqësi pse Gjykata Supreme nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka gjetur shkelje të procedurës dhe ka kërkuar rishqyrtim të lëndës. Po ashtu në njoftimin e KMDLNj , thuhet se pasi ta ketë në disponim materialin gjyqësor për rastin Sylejman Selimi, do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje nëse ato dëshmohen. Për më tepër, KMDLNj ka kërkuar prani më të madhe të mekanizmave vendorë monitorues për Panelin për Lirim me Kusht sikur edhe rishqyrtimin e të gjitha proceseve gjyqësore që janë udhëhequr nga ndërkombëtarët e të cilat janë denoncuar pikërisht nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë si të kurdisura dhe të porositura nga politika. KMDLNj ripërsërit dënimin e gjuhës raciste dhe fashiste që i kanë përdorur ndërkombëtarët e që janë dëshmuar në proceset e kurdisura kundër shqiptarëve.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …