leoni

KMDLNJ

KMDLNj: EULEX-i nuk është qeveri, as Borrelli kryeministër, merrni përgjegjësi!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka konstatuar  se situata në veri të Kosovës ka përshkallëzuar sipas një plani veprimi të Serbisë dhe ndërkombëtarëve ndërkaq që institucionet e Kosovë patën një reagim të qullët, shumë zhurmë dhe mungesë guximi për të vepruar.  “Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e 51 për qind të votave të fituara sepse këtë përgjegjësi edhe e ka kërkuar. Është e pamoralshme dhe e padinjitetshme që mungesën e guximit për t’u përballur me problemet reale, për të cilën e kanë përkrahjen e tërë shoqërisë, pa dallime partiake dhe të tjera ta adresojnë vetëm te e kaluara duke sulmuar persona që janë të burgosur e që nuk kanë ndikim dhe nuk paraqesin asnjë pengesë për marrje të vendimeve që kanë mbështetje ligjore dhe kushtetuese”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Reagim i plotë i KMDLNj-së:

Situata në veri të Kosovës ka përshkallëzuar sipas një plani veprimi të Serbisë dhe ndërkombëtarëve ndërkaq që institucionet e Kosovë patën një reagim të qullët, shumë zhurmë dhe mungesë guximi për të vepruar. Presidentja e Kosovës i shpalli zgjedhjet ndonëse nuk kishte fare kushte për t’i mbajtur ato. Me rirebelimin e serbëve që tani është shndërruar në model shantazhimi në veri dhe kërcënimin se do të përhapet edhe në pjesët e tjera të Kosovës, me kërkesën e vendeve të QUINT-it, me paralajmërimin e ardhjes së dvojkës amerikane, Chollet dhe Escobar, u krijuan të gjitha kushtet të ngrihet flamuri i bardhë, flamuri i dorëzimit para bandave kriminale serbe të veriut, të përkrahura nga Serbia dhe BE-ja.

Presidentja Osmani ftoi për konsultime subjektet politike, sa për të krijuar një alibi dalëse nga kjo situatë, shkaku se ka mungesë guximi për të vepruar dhe, pas kësaj, duke manipuluar me këtë takim konsultativ, i anuloi zgjedhjet që vet i ka shpallur, pa pajtimin e opozitës dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Opozita e Kosovës duhet ta dërgojë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese sepse presidentja Osmani në mënyrë flagrante e ka shkelur Kushtetutën.

Kryeministri Kurti kërkon nga KFOR të sigurojë lirinë e lëvizjes sikur edhe nga EULEX që t’i largojë barrikadat thuaja se këta i kanë fituar 51 për qind të votave dhe se kanë ndonjë detyrim ndaj ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ministri i baushtellës, ish-përkthyesi i KFOR-it norvegjez dhe rreshter i ushtrisë norvegjeze, tash si ministër i Mbrojtjes së Kosovës, nga një distancë e sigurisë personale dhe familjare, lëshon kushtrim për luftë, i papërgjegjshëm siç është ndonëse askush nuk e pyet për asgjë dhe nuk vendosë për asgjë.

Kryeministri i Kosovës duhet ta sqarojë opinionin pse nuk po e dërgon në Veri Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës të cilën KFOR nuk e ka lejuar të shkojë në Veri të Kosovës duke e ndaluar në kufi prandaj ka dërguar policë për ruajtje të rendit dhe sigurisë, pa pajisje të nevojshme për menaxhim të përshkallëzimit të dhunës të bandave dhe njësive paramilitare në këtë pjesë të okupuar të Kosovës. Në këtë mënyrë i ka shndërruar në pëllumba prej argjilit, cak i lehtë për t’u goditur nga sulmues të thjeshtë e lëre më profesionistë që operojnë në veri. Moslejimi i dërgimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, a mos është zotim i palës kosovare pas nënshkrimit të Marrëveshjes për targa ilegale kohëve të fundit?! Opozita kosovare ka qenë jopenguese, edhe më shumë se që është kërkuar nga ajo duke mos e penguar qeverinë për asgjë. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e 51 për qind të votave të fituara sepse këtë përgjegjësi edhe e ka kërkuar.

Është e pamoralshme dhe e padinjitetshme që mungesën e guximit për t’u përballur me problemet reale për të cilën e kanë përkrahjen e tërë shoqërisë, pa dallime partiake dhe të tjera ta adresojnë vetëm te e kaluara duke sulmuar persona që janë të burgosur e që nuk kanë ndikim dhe nuk paraqesin asnjë pengesë për marrje të vendimeve që kanë mbështetje ligjore dhe kushtetuese. Pikërisht e kaluara ua ka siguruar 51 për qind të votave por nuk iu siguron guximin për marrje të përgjegjësive sepse nuk duan të përballen me këtë përgjegjësi. Është e pamoralshme të kërkoni nga KFOR dhe EULEX të kryejnë përgjegjësitë institucionale, nga një distancë e sigurisë personale dhe familjare apo duke ngrënë flija në odat e fshatrave shqiptare në veri të Kosovës, të rrethuar dhe siguruar nga Policia e Kosovës.

Duhet ta kenë të qartë se heqja e barrikadave nga KFOR -i dhe ndërkombëtarët pa asnjë dyshim do të rezultojë me lëshime të reja nga institucionet e Kosovës. Banorët shqiptarë në Veri të Kosovës janë të pambrojtur dhe rrezikuar nga bandat paramilitare serbe dhe nuk është aspak e pamundur të përsëritet shkurti i vitit 2000 kur në prani dhe përkrahje të xhandarmerisë franceze nga forcat paramilitare serbe që edhe sot janë aktive në Veri të Kosovës, në Mitrovicë ishin ekzekutuar 11 shqiptarë dhe ishin shpërngulur dhunshëm mbi 13 mijë shqiptarë dhe joserbë. Opozita e Kosovës duhet të jetë opozitë konstruktive dhe ta përkrahë pozitën në çdo situatë që është në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës e jo që t’i nënshtrohet presionit dhe shantazhit ndërkombëtar duke u shndërruar në patericë për t’i siguruar qeverisë shtegdalje nga situatat që vet i ka krijuar. Nëse opozita nuk e dërgon presidenten në Gjykatën Kushtetuese për anulim kundërkushtetues të zgjedhjeve, atëherë edhe vet do të bëhet pjesë e përgjegjësisë.

Opozita duhet të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të gjitha ligjet që janë votuar në Kuvend me arrogancën e numrave e që janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Opozita duhet të kundërshtojë folklorizmin tallava legjislativ që po bëhet për qëllime të manipulimit politik. Opozita duhet të kërkojë sqarime dhe të pengojë degradimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës ku janë bërë spastrime staliniane dhe ku askush nuk i nënshtrohet përgjegjësisë për vdekjen dhe vetëvrasjen e personave të privuar nga liria.

Opozita duhet të kërkojë hetim parlamentar për zhdukjen e mostrave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore që ka shërbyer për suspendimin e katër profesionistëve shëndetësorë për të amnistuar përgjegjësinë politike. Në të njëjtën mënyrë dhe pa asnjë fakt ishin suspenduar drejtuesi i Inspektoratit të Burgjeve dhe pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës e që kanë kaluar në heshtje. Njerëzit më të merituar për suksesin e SHKK janë margjinalizuar, janë larguar, janë dhunuar psiqikisht dhe institucionalisht duke u zëvendësuar me persona që në të kaluarën e kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë këtë shërbim.

Çfarë kuptimi kushte shënimi i Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut kur në Kosovë një numër i qytetarëve shqiptarë mbahen peng nga bandat paramilitare serbe dhe ruse në Veri, të papenguara nga ndërkombëtarët dhe kur liria e lëvizjes dhunohet pikërisht nga ndërkombëtarët përmes mohimit të liberalizimit të vizave.

Në veri të Kosovës nuk ka asnjë shkelje e të drejtave të njeriut nëse qeveria e zbaton ligjin për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa bërë asnjë dallim në baza etnike, politike, racore, fetare, moshore, kulturore e të tjera dhe KMDLNj-së e thotë me përgjegjësi se nuk ka shkelje të kësaj natyre, përkundrazi, sikur edhe qeveritë tjera vazhdon t’ua paguaj rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera duke dëmtuar në këtë mënyrë qytetarët e tjerë që në kushte të rënda ekonomike detyrohen, edhe me përmbarues t’i shlyejnë faturat. Asnjë shtet nuk lejon që me shantazh dhe barrikada, e që i shërbejnë Serbisë të fitojnë favore politike. E pse duhet ta lejojë këtë Kosova duke i bërë presion të paparë bashkësia ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …