KMDLNj ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin kërkesat në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit. Në reagimin e Këshillit thuhet se në të gjitha rastet kur Kosovës po i cenohet integriteti territorial, që të gjithë po shprehemi krenarë me Policinë tonë, prandaj dhe ka ardhur koha që këtë ‘krenarinë’ ta përkthejmë në përkrahje reale për Policinë e Kosovës dhe të mos mbetet retorikë politike për manipulim. Me këtë protestë krejtësisht të drejtë, policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka theksuar KMDLNj. Më 1 nëntor pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
