Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj deputetëve që marrin mëditje pa marrë pjesë në seancat e Kuvendit. Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se Kuvendi i Kosovës sot më së paku i ngjanë një vendi ku të zgjedhurit e popullit i përfaqësojnë dhe i mbrojnë interesat e atyre që i kanë votuar. Jemi dëshmitarë që shumë seanca ndërpriten para përfundimit të tyre ose nuk fillojnë fare pikërisht shkaku i mungesës së deputetëve apo shkaku i mashtrimit të tyre jonormal, nënshkruhen në fillim sa për të hyrë në listën e përfituesve të mëditjeve e pastaj shkojnë në vendin e rregullt të tyre të punës, kafiteritë dhe restorantet e qytetit. Është koha e fundit që kryetari i Kuvendit me Kryesinë të shohin mundësinë që përmes ndryshimit të Rregullores së Punës të vendoset një rregull dhe të vendoset një disiplinë e punës me ç’rast deputetët që i bojkotojnë seancat e Kuvendit, ata që kanë sjellje në s’përputhje me mandatin e deputetit të sanksionohen, duke ua pamundësuar marrjen e mëditjeve por edhe pagën e deputetëve nëse këto nuk i arsyetojnë me praninë e tyre në seancë dhe angazhim konkret për çka edhe kanë marrë votën, thuhet në mes tjerash në reagimin e KMDLNJ-së.