Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16%. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, KMDLNj ka akuzuar ZRrE-në për mashtrim dhe varfërim të qytetarëve, duke kërkuar shkarkimin dhe hetimin penal të bordit të ZRrE-së dhe Ministrisë përkatëse. KMDLNj e ka quajtur ZRrE-në “kusarë” dhe një “strukturë të organizuar kriminale” dhe ka theksuar se vendimi për rritjen e çmimit të energjisë është një goditje direkte ndaj qytetarëve, sidomos duke pasur parasysh kundërshtimin e fuqishëm të qytetarëve kundër këtij shtrenjtimi. Ata e kanë konsideruar këtë veprim si një abuzim të papranueshëm nga një qeveri në detyrë dhe një bord që është politizuar dhe i paaftë për të mbrojtur interesat e qytetarëve. KMDLNj ka bërë thirrje për mobilizimin e qytetarëve të Kosovës përmes protestave dhe grevave të mundshme për të mbrojtur të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale.
