Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë të publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për shkak të publikimeve të fundit që janë bërë për ndarjen e granteve ndaj familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Këshilli kërkon që Ministria e Bujqësisë ta publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për faktin se dyshohet se në listën e pa publikuar janë emra të partisë në pushtet e që duket se duan të kursehen.
KMDLNj-ja e ka quajtur fjalorin e ministrit Peci si “arrogant” dhe “shantazhues” edhe ndaj anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, por edhe ndaj gazetarëve që hulumtuan këtë rast. Ministri i Bujqësisë, Faton Peci bëri përpjekje, si Pont Pilati të shfajësohet nga çdo përgjegjësi, me një fjalor arrogant dhe shantazhues, si ndaj një anëtari të LDK-së që e bëri publik lajmin, ashtu edhe ndaj gazetarëve dhe mediave që hulumtuan këtë rast dhe rastet tjera. Kërcënimi i ashpër u drejtua kundër partive opozitare e sidomos ndaj njërit lider të partisë i cili u akuzua si ‘vrasës i patriotëve shqiptarë’”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.