KMDLNJ

KMDLNj: Marrëveshja me Danimarkën nuk është ndërkombëtare, por kriminale

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, pas takimit të kurdisur me liderët e opozitës, me një arrogancë prej një racisti dhe kolonialisti deklaroi se: “i kanë thënë se Marrëveshja për Burgun e Gjilanit do të votohet shpejtë….” duke nënkuptuar se ka marrë premtime nga një pjesë e opozitës se do ta votojnë. Pasi PDK është deklaruar haptas se nuk e voton këtë Marrëveshje, votat do të sigurohen nga AAK dhe LDK. Arsyetimi politik se Danimarka e ka njohur Kosovën është aq i palogjikshëm që e shpërfaq tërë injorancën e këtyre që do ta votojnë për faktin se edhe 100 e më shumë shtete që e kanë njohur Kosovën mund të dalin me kërkesa të ngjashme apo të tjera siç janë strehimi i refugjatëve dhe azilkërkuesve, strehimi i terroristëve dhe radikalëve islamikë, lejimi i deponimit të mbetjeve kimike të pareciklueshme dhe atyre që shpërndajnë rrezatim bërthamor etj.etj.

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se Danimarka, Burgun e Gjilanit do ta përdorë si deponi për mbetje njerëzore që, me çdo kusht do t’i përzë nga Danimarka. Deputetët duhet ta kenë të qartë se asnjë i burgosur, as edhe një i vetëm nuk është danez por janë nga shtetet e treta, kryesisht islamike. Dallimi ne baza të etnisë, besimit dhe racës është tipik rast i diskriminimit na baza raciste. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta refuzojnë këtë marrëveshje dhe të kërkojnë përgjegjësi për fshehje të fakteve, manipulim të komisionit përkatës parlamentar, klientelizëm me OJQ për këtë rast duke e blerë heshtjen e tyre, mungesë të jashtëzakonshme të transparencës, dhe, së fundmi trysni mbi opozitën duke e përdorur si armë – dash,Ministrin e Drejtësisë së Danimarkës. Nëse Danimarka, në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut ka 100 “arsye” të lirohet nga kriminelët e dënuar për krime shumë të rënda duke paguar sikur në kohën e tregëtimit me skllevër, Kosova i ka 1 milionë arsye për të refuzuar pranimin e tyre. Deputetët e Kosovës duhet të shtrojnë pyetje se si u bë që vetëm Kosova të përzgjidhet për strehimin e kriminelëve jodanezë në kohën kur të gjitha shtetet e Ballkanit kanë përvojë më të gjatë dhe mundësi më të mëdha por se asnjëra nuk ka pranuar.

 

Ministri i Danimarkës po e mbron interesin e Danimarkës kurse e Kosovës po e shkelë interesin e Kosovës. Çdo votë për këtë Marrëveshje është votë kundër të drejtave të njeriut, është legalizim i dy sistemeve paralele për ekzekutim të sanksioneve penale, është diskriminim i të burgosurve ku të burgosurit kosovarë dhe të tjerë diskriminohen në baza etnike dhe racore si dhe fuqisë materiale. Çdo votë për këtë Marrëveshje nënkupton se territori që do të administrohet nga danezët do të jetë zonë ekstraterritoriale sikur të ishte përfaqësi diplomatike. Çdo votë për këtë Marrëveshje potencialisht do të jetë votë për forcimin e krimit të organizuar, forcim te radikalizmit islamikë, rritjes së prostitucionit, tregëtimt me narkotikë dhe trafikim me qenie njerëzore. Për këto arsye Danimarka dëshiron të lirohet nga këta të burgosur dhe duhet të jeni, së paku idiotë e të besoni se në Danimarkë ka mbipopullim të burgjeve apo mungesë të kapaciteteve pranuese në kohën kur thuaja të gjitha shtetet kufizuese po i mbyllin burgjet. Logjikisht, këta të burgosur duhet të transferohen në shtetet që kufizohen me Danimarkën aq më parë që janë anëtare të BE -së dhe standardet për trajtim i kanë të përafërta. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të pyesin edhe për këtë. Duhet të pyesin për natyrën e veprave që janë dënuar, recidivizmin dhe rrezikshmërinë.

 

KMDLNj i siguron deputetët e Kosovës se është e kundërta e asaj që iu është thënë nga ministrja e Drejtësisë. Deputetët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se në Burgun e Gjilanit nuk po hapet ndonjë fabrikë me investime nga Danimarka (që nga përfundimi i luftës Danimarka nuk e ka bërë asnjë investim serioz) por se po sjellin qindra e mijëra të dënuar për krime të rënda, të gjithë shtetas te vendeve të treta, asnjëri nga Danimarka. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se Kosova është zgjedhur shkaku se e konsiderojnë vend islamikë, është shtet i brishtë, lehtësisht i shantazhueshëm përmes kërcënimit se do të pengohet në proceset integruese. Kjo çka është duke bërë qeveria raciste e Danimarkës është në kundërshtim të plotë me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB – së dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. OKB është deklaruar kundër kësaj Marrëveshjeje sikur që edhe BE do ta kundërshtojë. Nëse kjo Marrëveshje ratifikohet, në mënyrë flagrante do ta dhunojë sovranitetin e Kosovës prandaj, në asnjë mënyrë nuk duhet të votohet. Le të merret edhe mendimi i qytetarëve përmes debatit publik e jo të kontrabandohet nga politika, pa asnjë debat, as në Kuvendin e Kosovës. Të flitet këtu për dorëheqje është më shumë se joserioze, duhet të kërkohet përgjegjësi penale. Votojeni, dhe do të ngarkoheni me përgjegjësi historike.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …