Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një reagimi e ka cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit festimin e Shën Vidit në Gazimestan. Ky këshill konsideron se festimet e djeshme janë vazhdim i luftës së mohimit të shtetit të Kosovës, duke e cenuar integritetin territorial dhe duke e shkelur sovranitetin e Kosovës. “Pelegrinët” e Gazimestanit, në vend se ta shfrytëzojnë këtë mundësi për nevoja shpirtërore dhe fetare, ata bartnin porosi nacionaliste dhe shoviniste të shoqëruar me ikonografi serbe dhe rekuizitë tjera që nxisnin urrejtjen ndëretnike, fyese dhe kërcënuese për shqiptarët. Ata, në prani të “Policisë së Kosovës” madhëronin me fjalë dhe fotografi kriminelët si Millosheviq, Karaxhiq, Mlladiq, Sheshel, Arkan dhe të tjerët. Pjesa dërmuese në mos të gjithë policët që e shoqëronin dhe e siguronin lëvizjen e “pelegrinëve” serbë, ishin serbë andaj nuk ndërmorën asnjë veprim për parandalimin e një histerie shoviniste”, nënvizohet në reagim. Ky këshill përkujton edhe provokimin e Jabllanoviqit, që e cilëson si ultra-shovinist, i cili vendosi kurora lulesh për ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë të vrarë në Koshare. Në të gjitha këto akte provokative, sipas KMDLNJ-së, ishin ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës, si Lubomir Mariq, Dalibor Jevtiq dhe zëvendëskryeministri, Stojanoviq. Madje, jo vetëm kaq, por edhe në mbjelljen e Car Llazarit në Mitrovicën e veriut mori pjesë edhe Adriana Hoxhiq që ishte shefe e Zyrës Administrative në veri. Poashtu, KMDLNJ ka kërkuar largimin nga Qeveria të këtyre ministrave të cilët paguhen me taksat e qytetarëve të Kosovës, ndërkohë punojnë për interesat e Serbisë. “Heshtja e pamoralshme e ndërkombëtarëve për përpjekjet e Serbisë për kolonizimin e Kosovës, për mbjellje të Kosovës me figura mitologjike dhe kriminale serbe, mos hapja e urës mbi lumin Ibër për lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët , është shndërruar në standard të dyfytyrësisë dhe oportunitet të turpshëm për realizimin e projekteve të caktuara politike, në dëm të Kosovës”, thuhet më tej në reagimin e këtij Këshilli.
Kontrolloni gjithashtu
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, nuk iu beson shifrave të kryeministrit Kurti për Buxhetin e vitit 2025
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, nuk iu beson shifrave të kryeministrit Kurti për …