KMDLNj përkrah kërkesat e drejta të prindërve dhe nxënësve që kanë mbetur pa u regjistruar dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë në mënyrë që të mos e humbasin vitin. Këtë kërkesë të prindërve dhe nxënësve, KMDLNj do ta paraqesë edhe në takimet me autoritetet përkatëse sikur që do të kërkojë nga Ministria e Financave të ndajë mjete shtesë për DKA në Prishtinë ku edhe është numri më i madh i të paregjistruarve dhe ku është i theksuar ky fenomen për faktin se në disa shkolla të preferuara për shumë nxënës, është numër jo i vogël nga ata nxënës të qyteteve tjera të Kosovës, thuhet në deklaratën për media të KMDLNj-së. Këtë reagim publik KMDLNj ka bërë të ditur se do ta dërgojë në DKA Prishtinë, MAShT, Ministri të Financave dhe zyrën e Kryeministrit të Kosovës, duke thënë se lënia e kësaj kategorie të moshës shumë të ndjeshme rrugëve dhe pa mundësi të vazhdimit të shkollimit paraqet shkelje të drejtave të njeriut. “Në sqarimin e kërkuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ishte një përgjigje se sipas legjislacionit në fuqi shkollimi i mesëm dhe i lartë nuk është obligativ dhe se nxënësit që nuk janë regjistruar në shkollat e dëshiruara mund të regjistrohen në shkollat profesionale ku ka ende vende të lira por kjo nuk nënkupton se të gjithë nxënësit do të regjistrohen. Gjithashtu, DKA në Prishtinë i ka thënë KMDLNj – së se 14 mësimdhënës kanë mbetur jashtë listës së pagave shkaku se Ministria e Financave nuk ka ndarë mjete për ta e që ndikon në efikasitetin dhe rritjen e mundësive për të pranuar nxënës të rinj”, thuhet në deklaratë. KMDLNj nuk pajtohet që nxënësit me sukses të shkëlqyeshëm dhe shembullorë të detyrohen të shkojnë në shkolla profesionale andaj kërkon që Drejtoria Komunale e Arsimit, së bashku me MASHT dhe në përkrahje të MF-së të bëjë zgjidhje për regjistrim e të gjithë nxënësve, kurse për ata me sukses të shkëlqyeshëm dhe shembullorë dhe të cilët nuk janë regjistruar në shkollën e dëshiruar, t’u jepet mundësia për të zgjedhur mundësinë e dytë, pa iu imponuar shkolla profesionale si e vetmja mundësi. “Ekziston mundësia që çdo shkollë të hapë një paralele shtesë në mënyrë që të regjistrohen të gjithë nxënësit e paregjistruar”, përfundon komunikata.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …