KMDLNJ

KMDLNj: Politikanët e Kosovës pelegrinazh në Gjykatën Speciale, për mëditje, afirmim apo pendim?!

 

Në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë po mbahen si pengje tetë (8) qytetarë të Kosovës, të gjithë shqiptarë prej të cilëve dy, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar thuaja me dënime kapitale nga 4.6 vjet burgim në ndërkohë që Prokurori ka kërkuar nga 6 vjet burg për secilin prej tyre. Procesi ndaj Salih Mustafës është thuaja duke përfunduar dhe, së shpejti pritet një vendim i kësaj Gjykate në ndërkohë që Prokurori ende nuk është deklaruar për lartësinë e dënimit të kërkuar. Procesi ndaj Pjetër Shalës duket se nuk do të zgjasë shumë ndërsa mbetet problematike mbajtja në paraburgim e ish drejtuesve të lartë të UÇK-së dhe bartësve të posteve më të larta shtetërore në Kosovë, Hashim Thaçi, ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës sikur edhe ish-ministër për Punë të Jashtme dhe për një kohë të gjatë udhëheqës i PDK-së, Jakup Krasniqi për dy mandate kryetar i Kuvendit të Kosovës, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Kadri Veseli me dy mandate (jo të plota) si kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së dhe Rexhep Selimi, disa mandate deputet i Kuvendit të Kosovës dhe në çastin e arrestimit shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. KMDLNj ia përkujton opinionit se të gjitha kërkesat për zëvendësim të masës së paraburgimit me një masë më të lehtë që kanë bërë avokatët e tyre janë refuzuar nga gjykatësi i procedurës paraprake sikur që nuk është pranuar asnjë garanci për administrim të masës së arrestit shtëpiak nga shtetet tjera ndonëse kjo masë parashihet me Rregulloren e Punës së Gjykatës Speciale.

Shtete të fuqishme të cilat, në të njëjtën kohë janë edhe mbështetës financiar të punës së Gjykatës Speciale, ndonëse kanë ofruar garanci të mjaftueshme, në vazhdimësi janë refuzuar. Pastaj, pas kërkesës së gjykatësit të procedurës paraprake drejtuar Policisë së Kosovës për garancitë dhe pas përgjigjes së detajuar të Policisë së Kosovës se ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për ta administruar masën e arrestit shtëpiak për të paraburgosurit, Gjykata Speciale në mënyrë fyese dhe tallëse ka shpërfillur garancitë e ofruara nga Policia e Kosovës. Me zgjerimin e aktakuzës kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit po krijohen të gjitha kushtet që procesi gjyqësor të stërzgjatet që nënkupton se të privuarit nga liria do të mbahen në paraburgim deri në kohën kur të shpallet aktgjykimi, mbase i formës së prerë e që i tejkalon kufijtë e arsyeshëm të një procesi gjyqësor në përputhje me të të drejtat e njeriut. Është evidente që të paraburgosurit e Gjykatës Speciale nuk kanë një adresë të saktë për t’i adresuar shqetësimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. I ashtuquajturi Avokat i Popullit Gjykatës Speciale është një institucion koti që nuk ka mandat t’i trajtojë këto shqetësime kurse, institucionet e Kosovës nuk kanë mandat të merren më këtë çështje sepse konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi ndonëse as që kanë treguar se kanë ndonjë interesim të merren me këtë çështje përveçse t’i vizitojnë të paraburgosurit, çuditërisht, kohëve të fundit me një entuziazëm të shtuar. Gatishmëri joprincipiele për t’i vizituar kanë shfaqur edhe ata që, përjashtuar një apo dy rasteve, thuaja të gjithë të tjerët i kanë cilësuar si kriminelë, vrasës apo keqbërës që në mënyrë flagrante shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë sipas të cilës: “asnjë i dënuar nuk konsiderohet fajtor deri sa aktgjykimi ta merr formën përfundimtare dhe të prerë…

Në rastin konkret ky parim është shkelur vrazhdë nga bartës më të lartë të institucioneve, ministra, deputetë dhe të tjerë. KMDLNj mëson se gjatë kësaj jave një delegacion i një komisioni parlamentar planifikon të shkojë në Hagë kurse më vonë edhe vet kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, mbase i shoqëruar me staf. KMDLNj ka takime thuaja të rregullta me familjarë të të paraburgosurve që mbahen pengje në Hagë dhe informohet për gjendjen shëndetësore të tyre dhe trajtimin që iu bëhet. Çdo vizitor që i viziton të paraburgosurit në Hagë paraprakisht e plotëson një formular dhe për vizitën e mundshme pëlqimin e japin të paraburgosurit sikur që ndodhi me vizitën e paralajmëruar të kryetarit të Kuvendit. Në formularë duhet të ceket se në çfarë cilësie realizohet vizita. KMDLNj, dy herë ka plotësuar kërkesën për vizitë ku e ka theksuar se vizita ka karakter ekskluzivisht monitorues duke përjashtuar çdo mundësi që vizita të bëhet në ndonjë cilësi tjetër. Për kërkesën e KMDLNj-së për t’i vizituar të paraburgosurit, ata nuk janë njoftuar fare siç ishte vepruar me vizitorët tjerë por, kërkesat janë refuzuar. Të paraburgosurit kanë kërkuar që të vizitohen nga KMDLNj por se kjo është jashtë mundësive të KMDLNj-së.

Familjarët e të paraburgosurve i kanë deklaruar KMDLNj-së se të paraburgosurit i kanë ditët e stërngarkuara me vizita apo paralajmërim të vizitave. Këto vizita kanë shumë kufizime dhe, si të tilla më shumë i pengojnë të paraburgosurit dhe, në të njëjtën kohë krijon një përshtypje mashtruese se kjo gjykatë është demokratike sepse i respekton standardet më të larta të drejtave të njeriut kurse, në jo pak raste pikërisht Prokurori i Specializuar në arsyetimin e kërkesës për vazhdim të paraburgimit thirret në deklaratat apo intervistat e disa zyrtarëve që kanë shprehur vullnet dhe gatishmëri (skajshmërisht të pasinqertë dhe imorale) që t’i vizitojnë të paraburgosurit. Madje, në jo pak raste, edhe prokurori sikur edhe gjykatësi i procedurës paraprake janë arsyetuar se të paraburgosurit ende kanë ndikim apo përpiqen të ushtrojnë ndikim në proceset politike në Kosovë kurse këto vizita vetëm sa mbështesin pallavrat e prokurorit dhe gjykatës.
KMDLNj këshillon të paraburgosurit që të reduktojnë maksimalisht këto vizita, sidomos atë që janë dashakeqe e që bëhen për shkak të mëditjeve apo fotografive me ndonjë çinovnik të Gjykatës Speciale dhe të përqendrohen në vizita familjare apo me ekipet mbrojtëse. Nuk e keni asnjë rast të vetëm që pas ndonjë vizite të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, të paraburgosurit të kenë përfituar në fushën e të drejtave të njeriut! Asnjë rast të vetëm!

Institucionet e Kosovës nuk janë të thirrura të merren me Gjykatën Speciale sepse ajo nuk i përgjigjet me asgjë “ themeluesit” të kësaj gjykate por se i raporton BE-së. Pas një kohe, kur të rrëzohen argumentet politike për themelimin e kësaj gjykate, pa asnjë dyshim do të konstatohet se pikërisht kjo gjykatë është instrumenti më i fuqishëm i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunuesi më i madh i të drejtave të viktimave për qasje në drejtësi sepse parimin etnik dhe politik e vë mbi të drejtat e të gjitha viktimave, pa bërë dallime në baza etnike, moshore, fetare, statusit në shoqëri dhe të tjera. Po mbi këto baza, krejtësisht diskriminuese po bënë përpjekje të caktojë edhe shkallën e përgjegjësisë e që paraqet një racizëm juridik. Si për viktimat ashtu edhe për të akuzuarit!

 

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …