Zyra e Prokurorit të Specializuar shkel urdhrin e trupit gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së

KMDLNj: Shtrëngimi i masave ndaj të burgosurve shqiptarë në Hagë, është në kundërshtim me të drejtat e njeriut

Në një reagim të KMDLNJ-së  thuhet në Burgun e Gjykatës Speciale Raciste në Hagë është bërë një komunitet prej qytetarëve shqiptarë, shtetas të Kosovës, numri i të cilëve po rritet sidomos kohëve të fundit. Të gjithë këta janë arrestuar në Kosovë, përjashtuar Pjetër Shalën që është arrestuar në Belgjikë dhe të gjithë mbahen larg familjeve që është në kundërshtim me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria. Për pasojë nuk mund të vizitohen nga familjarë të moshuar, të sëmurë apo fëmijë për shkak të distancës , deri vonë edhe vizave si dhe kufizimeve tjera. Burgu i Gjykatës Speciale në Hagë për të bërë përpjekje arsyetimi se aty mbrohen të drejtat e njeriut përtej standardeve të burgjeve tjera ka integruar Rregullat e Nelson Mandelës, si standarde më të larta të të drejtave të njeriut të burgosurve që parashihen sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Identifikimi i këtyre të drejtave me emrin e Nelson Mandelës janë bërë për të hequr dilemat e respektimit të drejtave të njeriut e që përdoret edhe si mashtrim optik.

Gjykimet ndaj shtetasve të Kosovës që po mbahen peng në Hagë në të shumtën e rasteve janë të mbyllura për publikun që paraqet dhunim të parimit të publicitetit që është njëra ndër shtyllat e një procesi transparent e që këtu qartazi nuk është. Ndërkaq, nëse gjykimet pjesërisht edhe mund të monitorohen nga publiku dhe ekspertët, trajtimi i të paraburgosurve brenda hapësirave të paraburgimit janë krejtësisht jotransparente dhe informatat dalin vetëm përmes burimeve jozyrtare, vet të burgosurve apo edhe burimeve që duan të mbesin anonimë e që janë brenda burgut. Askush nga organizatat monitoruese vendore nuk ka qasje brenda hapësirës së Burgut ndërsa Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva, bashkë me Avokatin e Popullit të Holandës kanë monopol të monitorimit që ua ka dhënë kjo Gjykatë por se deri më tani nuk ka asnjë informatë apo raport nga ta për trajtimin e shtetasve të Kosovës, të gjithë shqiptarë apo për kushtet fizike në të cilat mbahen. Normalisht, pasi vet Burgu është deklaruar se i zbatojnë Rregullat e Nelson Mandelës, si standarde më të larta të OKB-së të drejtave të personave të privuar nga liria, të burgosurit shqiptarë duhet të monitorohen nga Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe trajtimit Çnjerëzorë i Kombeve të Bashkuara e që nuk po ndodhë.

Mbyllja e mundësive për monitorim të kushteve fizike dhe trajtimit brenda Burgut të Hagës ngre shumë dilema dhe krijon situata dyshuese nëse respektohen këto të drejta. Pas një botimi tmerrësisht të redaktuar të një transkripti nga kjo Gjykatë për gjoja ndërhyrjen e të arrestuarve në drejtësi përmes frikësimit të dëshmitarëve gjatë vizitave të përgjuara, kushtet për të burgosurit shqiptarë janë përkeqësuar dukshëm. Për një kohë ishin ndaluar vizitat, komunikimi i brendshëm dhe i jashtëm përjashtuar takimet me avokatë dhe familje sikur që nga Prokurori i Specializuar ishte kërkuar ashpërsim edhe më i madh i masave dhe kushteve. Po në të njëjtën kohë reagoi Serbia sikur edhe përfaqësuesja e Federatës ruse në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me pretendime se shqiptarët po trajtohen sikur të mos ishin fare në burg. Duket se inskenimi përmes redaktimit të komunikimit midis të burgosurve dhe vizitorëve gjatë vizitave të përgjuara, duke ua ndryshuar kuptimin, me ndërhyrjet e Serbisë dhe Rusisë ishin një koordinim për t’ua vështirësuar kushtet dhe përkeqësuar trajtimin shtetasve të arrestuar të Kosovës. Kur kësaj i shtohet edhe mbrojtja e strucit që ua bënë shteti i Kosovës shtetasve të arrestuar, atëherë aspak nuk befason ky ndryshim radikal që ndaj tyre po zbatohet nga autoritetet e burgut.

Ky ndryshim sidomos theksohet gjatë vizitave kohëve të fundit. Në kushte anonimiteti, një burim zyrtar brenda Qendrës së Paraburgimit i ka thënë KMDLNj-së se kushtet në vizitat e fundit për të burgosurit, shtetas të Kosovës e që zgjasin 7 orë nuk zbatohen as në Qendër të Paraburgimit ku vizitat zgjasin 1 – 2 orë. Burimi i informatës ka përvojë 30 vjeçare në Burgje dhe se ndjehet i turpëruar pse këto kushte janë bërë vetëm për shqiptarë aq më parë që të burgosurit serbë dhe afrikanë kanë kushte shumë herë më të mira dhe trajtim më dinjitoz.

Në bazë të informatave, që nga viti 2021, fillimi i Korrikut, vizitat familjare bëheshin brenda në dhomë ku kishte kushte të mira sikur që temperaturat ishin të përshtatshme në ndërkohë që vizitat e fundit janë mbajtur në një dhomë të veçuar me një tavolinë të drurit në mes, me këmbë të metalit dhe të ndarë fizikisht që nuk lejon fare lëvizjen, as të burgosurit e as vizitorëve. Temperaturat janë të ulëta dhe vizitorët kanë qëndruar për 7 orë të veshur ma pallta dhe veshje dimri. Familjarët, duke respektuar Rregulloren e Qendrës së Paraburgimit për vizita kanë paralajmëruar me kohë vizitat për janar dhe shkurt ndërkaq që Qendra e Paraburgimit, pa respektuar kërkesën e familjarëve ka caktuar vet datat e vizitave duke ua imponuar këto data si vizita.

KMDLNj e rithekson faktin se këta të burgosur, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës në mënyrë të dhunshme janë dërguar në Hagë, larg familjeve dhe mjedisit ku jetojnë. Janë dërguar në një mjedis krejtësisht tjetër social dhe kulturor që po shkakton shumë probleme për vizita dhe ruajtje të familjes dhe shëndetit social, pa fajin dhe dëshirën e tyre. Shteti i Holandës duhet të veprojë në përputhje me detyrimet që i ka marrë ndërsa shteti i Kosovës duhet të kërkojë respektimin e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kërkesa për respektim të drejtave të njeriut në asnjë mënyrë nuk paragjykon rastin por është përmbushje e detyrimeve të shtetit ndaj shtetasve të arrestuar e që dhunshëm mbahen në shtetet tjera. Këta shtetas janë vizituar nga ministra të ndryshëm të qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe, si rezultat përveç mëditjeve të majme që i kanë marrë gjatë këtyre vizitave turistike, nuk ka prodhuar asnjë ndryshim pozitiv për të burgosurit, përkundër kemi përkeqësim të kushteve dhe të trajtimit të tyre. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkaqe objektive apo subjektive nuk kanë vullnet e as guxim minimal që të kërkojnë një seancë të veçantë ku do të diskutohej trajtimi i të arrestuarve në këtë qendër të Paraburgimit, ekskluzivisht nga pozita e të drejtave të njeriut kurse i thyejnë këmbët duke bërë përpjekje të sjellin në Kosovë 300 të burgosur nga Danimarka, asnjëri shtetas danez, duke iu siguruar kushte akomodimi të një hoteli me 4 yje në Burgun e Gjilanit. Çfarë imoraliteti dhe keqpërdorim i mandatit të fituar nga qytetari i Kosovës, nuk guxon të reagosh për shtetas të Kosovës, deri dje kolegë në Kuvend ndërsa i thyen dhëmbët për të burgosurit e Danimarkës.

KMDLNj është jashtëzakonisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Qendrën e Paraburgimit në Hagë ku të burgosurit shqiptarë, të gjithë shtetas të Kosovës po trajtohen në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e njeriut, qoftë edhe të privuar nga liria. Në mungesë të monitorimit efektiv nga organizata monitoruese, të drejtat e njeriut dhunohen në mënyrë perfide dhe nbulohen me një profaturë falco: Rregullat e Nelson Mandelës. Edhe në institucionet mbajtëse të Kosovës aktualisht ka kushte më të mira për vizita se ato që kanë kaluar familjet gjatë vizitave të fundit.

Për institucione normale shtetërore ky do të duhej të ishte alarm i mjaftueshëm për të reaguar në mënyrë më të vendosur kurse për deputetët e Kuvendit të Kosovës do të duhej të ishte rasti i fundit që të dalin nga moçali i mosreagimit dhe përmbyshjes së mandatit të tyre , pavarësisht përkatësisë partiake apo bindjeve politike. Për fat të keq nuk është ashtu, edhe institucionet e Kosovës si dhe deputetët po shndërrohen, me mosreagimin e tyre në dhunues të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës që po mbahen në Burgun e Hagës.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …