Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut theksoi se persona të paidentifikuar deri më tani sulmuan tetë zyra të LDK –së në territorin e Kosovës, duke i dëmtuar ato dhe duke dërguar mesazhe kërcënimi ndaj aktivistëve të këtij subjekti politik. Sipas KMDLNJ-së, këtyre sulmeve që duket të jenë mirë të organizuara i parapriu një debat mediatik i cili ishte jashtëzakonisht fyes ndaj disa deputetëve të LDK –së nga të cilët pritej se do ta pengonin zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të Kosovës e që nuk e bënë këtë. “Pastaj nga disa anëtarë të LDK –së u shfaqën botërisht dyshimet se këto sulme janë të sinkronizuara nga një subjekt politik të cilin ata e cilësojnë si lëvizje anarkiste. Me këtë fjalor dhe me këto dyshime të pambështetura në fakte, vetëm sa po kontribuohet në vazhdimin e përshkallëzimit të situatës dhe destabilizimit të vendit andaj KMDLNj thërret palët politike që mospajtimet e tyre që i kanë shndërruar në hasmëri të mos nguten në cilësimet e tyre për njëra – tjetrën, por të presin rezultatet e hetimeve pas së cilave do të duhej të përcaktohej nga gjykata përkatëse përgjegjësia konkrete dhe në bazë të saj do të shqiptoheshin dënimet sipas ligjit”, thuhet në reagim.
