Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut u ka rekomanduar konsumatorëve që ta padisin KESCO-n, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe KEDS-in për shkak të faturave të larta për energjinë elektrike gjatë muajit dhjetor 2023. Në njoftimin për medie thuhet se muajin e kaluar faturat për rrymën e pa-shpenzuar ishin deri 400 për qind më të larta se të muajit paraprak. “KMDLNj-ë ka rekomanduar qytetarët e Kosovës të ankohen dhe të paguajnë vetëm shumën e muajit paraprak. Para sporteleve të KEDS janë krijuar radhë të gjata të qytetarëve që po ankohen për këto fatura jonormale dhe pritjet janë disa orë. Reagimet e KEDS-it, e KESCO-s janë reagime të hajdutëve të zënë në vepër ndërsa reagimi i Qeverisë së Kosovës është oportunist dhe i pamoralshëm. ZRRE-ja do të duhej ta kryente, mandatin e rregullatorit e jo të vihet në anën e operatorit keqbërës që keqpërdorë buxhetin e qytetarëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, që nga përfundimi i luftës e deri më sot, thuhet mes tjerash në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.
