leoni

KMLDNj: Arrestimi i Dritan Goxhajt është në vazhdën e përndjekjes së ushtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale

Sipas mediave shqiptare, Policia e Shtetit, me urdhër të së ashtuquajturës Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) arrestoi ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, shtetas i Shqipërisë sikur që bastisi edhe objektin e banimit. Po këtë lajm e konfirmoi më vonë edhe zëdhënësja e DhSK-së duke shprehur mirënjohje për policinë shqiptare. Tani, Dritan Goxhaj mbahet në objektin e Policisë së Shtetit duke pritur ekstradimin, fillimisht në Kosovë e pastaj në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Dritan Goxhaj është arrestuar në dyshim të pengimit të administrimit të drejtësisë, rrezikimit të dëshmitarit të mbrojtur dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës. Gjithnjë sipas asaj që thuhet nga informatat e stërcensuruara të së ashtuquajturës DhSK-së, i arrestuari Dritan Goxhaj në një shkrim paska bërë publik emrin e një dëshmitareje që ka statusin e mbrojtur e cila qenka zyrtare e lartë në njërën nga ministritë e qeverisë Kurti 2 sikur që,  gjithashtu, paska rrezikuar edhe tre dëshmitarë të tjerë të “mbrojtur“ të cilët, sipas KMDLNj-së, para se të shkojnë për të dëshmuar, kanë qenë të ekspozuar në mediet elektronike të Kosovës duke dhënë intervista paragjykuese ndaj të të akuzuarve, ende pa filluar procesi”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, tash po të njëjtit dëshmitarë të “mbrojtur”, fjalët dhe dëshmitë që i kanë thënë në intervista publike, po i përsërisin në një cilësi tjetër, si “dëshmitarë të mbrojtur”.

“Pikërisht janë DhSK-së, (më parë të Kazakistanit se të Kosovës) që po i rrezikojnë dëshmitarët e mbrojtur, madje në mënyrë të dyfishtë. E para se duke arrestuar apo intervistuar rrezikues të  ‘dëshmitarëve të mbrojtur’, po i rrezikon edhe nga ata kundër të cilëve dëshmojnë dhe, e dyta po i rrezikon edhe nga ata që po arrestohen apo intervistohen si ‘kërcënues’. Kjo, në fakt nuk paraqet asnjë mbrojtje për këta dëshmitarë por i vë në situatë të pëllumbave të argjilit në një hapësirë të pambrojtur ku, pa asnjë problem mund të qëllohen nga disa anë. Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve të mbrojtur deri më tani 100 për qind është menaxhuar nga ndërkombëtarët dhe 100 për qind  është dekonspiruar nga ndërkombëtarët të cilët kanë përgjegjësi që nuk iu kanë ofruar siguri dhe mbrojtje efektive. Ndërkombëtarët kanë siguruar mbrojtje vetëm deri në kohën kur kanë përfunduar intervistimet nga prokurori dhe gjykata dhe, pasi është shqiptuar dënimi, i kanë lënë në mëshirën e fatit. Fillimisht kanë dhënë premtime të mëdha për të siguruar dëshmi; nga një shumë e madhe e parave, lirimi nga vuajtja e dënimit, ndërrimi i identitetit dhe strehimi (azili) në një vend të tretë për ta dhe familjarët e ngushtë”, është thënë në këtë reagim.

Më tutje, në reagimin e KMDLNj-së është thënë se deri më tani vetëm një ekspert ndërkombëtar ka dëshmuar në një proces publik, kurse të tjerët kanë dëshmuar në seanca të mbyllura apo private.

“Për një pjesë e opinionit në Kosovë, të gjithë këta dëshmitarë ‘të mbrojtur’ janë dëshmitarë që dihen, me emër dhe mbiemër. E ashtuquajtura DhSK, në mungesë të transparencës, llogaridhënies dhe monitorimit nga ndonjë institucion apo organizatë e pavarur, po përdorë metoda brutale për kërcënim të gjithë atyre që nuk pajtohen me punën në errësirë informative të kësaj Gjykate, që kanë qëndrim kritik dhe të argumentuar, që kanë qëndrim antiracist ndaj kësaj gjykate thellësisht raciste (të gjithë të atrrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit janë shqiptarë dhe ish-ushtarë të UÇK-së apo shqiptarë të shteteve tjera), Dritan Goxhaj shtetas i Shqipërisë dhe Pjetër Shala, shqiptar, shtetas i Mbretërisë së Belgjikës. Po kësi qëndrimi kishte regjimi represiv i ish-Jugosllavisë dhe Serbisë  që akuzonin dhe dënonin shqiptarë me një ligj, me metoda të UDB-së që, sipas nevojës zgjatej si llastiku, Ligji i propagandës armiqësore”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Ky këshill ka theksuar se Kosovë janë mbajtur peng persona të caktuar nga Gjykata Speciale kinse për pengim të drejtësisë. Në këtë kontekst, KMDLNj-ja ka përmendur rastin e Driton Lajçit, i cili është shpall i pafajshëm.

“Sot në Kosovë ka shumë të intervistuar për kinse pengim të administrimit të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve e që mbahen peng i kërcënimit për vite të tëra siç ishte rasti i Driton Lajçit i cili u shpall i pafajshëm pasi u mbajt peng në stres dhe presion thuaja 4 vjet e gjysmë nga kjo Gjykatë e Specializuar kundër UÇK-së, kundër shqiptarëve dhe kundër të drejtave të njeriut. Kush do të kompensojë vuajtjet shpirtërore dhe fizike të Driton Lajçit, degradimin në karrierë dhe dëmtim të rëndë të reputacionit aq më parë që nuk ka as kërkimfalje formale nga inkuizitorët (përndjekësit) e Lajçit e që po të njëjtin veprim po e vazhdojnë ndaj të tjerëve që i ka futur në listën e zezë të saj. Kush, deri më sot dha përgjegjësi për rrjedhjen (shitjen)  e dokumenteve të ndjeshme nga kjo Gjykatë pas së cilës u arrestuan dhe u dënuan me dënime drakonike, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati?!”, është thënë në këtë reagim.

KMDLNj-ja ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, si “themelues” i Gjykatës Speciale të kërkojë raport, përgjegjësi dhe llogaridhënie nga kjo gjykatë.

“Kuvendi i Kosovës, si ‘themelues’ i kësaj gjykate, në vend se të kërkojë raport, përgjegjësi dhe llogaridhënie, me mosveprim dhe mungesë të guximit, po bëhet pjesë e eskortës sadiste ndaj të të arrestuarve dhe të intervistuarve që po mbahen peng nga burokratët që, në emër të drejtësisë, në mënyrë flagrante po i shkelin të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria! Kërkimi i drejtësisë për viktima që do të duhej të ishte mision i vetëm i çdo gjykate nuk nënkupton krijimin e viktimave tjera, pa siguruar prova apo duke siguruar “prova“ nga ata që bënë krime të tmerrshme në Kosovë; ushtria, policia dhe paramilitarët nga Serbia që i nënshtroheshin një urdhri politik nga kreu më i lartë politik dhe ushtarak i Serbisë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …