Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit u ka bërë thirrje institucioneve qeveritare të veprojnë menjëherë me hapa konkretë drejt përmirësimit të gjendjes mjedisore dhe përmirësimit të shëndetit publik. Në këtë aspekt, është rekomanduar të merren vendime për uljen e emetimeve të gazrave serë, përdorimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, kufizimin ose ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike, mbrojtjen rigoroze të akumulacioneve që shfrytëzohen për ujë të pijshëm, si dhe për menaxhimin e ndryshimeve klimatike
Rekomandimet u bënë gjatë publikimit të raportit “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”, që paraqet gjendjen e mjedisit në Kosovë në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian në kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. Raporti, i pari i llojit të tillë i përgatitur në Kosovë, mbulon pesë tematika kryesore: ndotjen e ujit, ndotjen e ajrit, mbrojtjen e natyrës, mbrojtjen e pyjeve dhe ndryshimet klimatike. Gjetjet e këtij raporti tregojnë se mbrojta e mjedisit nuk ka qenë prioritet i asnjërës prej Qeverive dhe se ka shumë sfida dhe ngecje serioze në secilën fushë.
“Meqenëse Kosova aspiron anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe është nënshkruese e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Marrëveshjes së Gjelbër, ajo do të duhej të merrte përsipër edhe obligimet që dalin nga këto marrëveshje. Këto kritere kanë të bëjnë kryesisht me reforma dhe përafrim të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian dhe ndërmarrjen e masave për të ngritur kapacitet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit”, tha gjatë publikimit të raportit Krenare Salihu nga Koalicioni 27.
Raporti analizon gjendjen e përgjithshme, legjislacionin dhe zbatimin e tij, strategjitë dhe planet, problemet kryesore, kapacitetin institucional dhe në fund jep disa rekomandime për të adresuar problematikat.
Në kapitullin për ndotjen e ujit, theksohet se ka mungesë të mbrojtjes adekuate të liqeneve artificiale, lumenjtë e Kosovës janë në një gjendje të mjerueshme për shkak të ndotjes që shkaktohet kryesisht nga derdhja e ujërave të zeza dhe mungesa e impianteve të trajtimit, si dhe mbeturinat industriale dhe ato të ngurta.
Në kapitullin për ndotjen e ajrit konstatohet se Kosova vuan nga ndotja enorme e ajrit, posaçërisht gjatë dimrit, duke paraqitur edhe problem shëndetësor për qytetarët. Varësia nga lëndë djegëse fosile e sektorit të energjisë dhe transportit në Kosovë kontribuon në këtë problem. Qeveritë njëra pas tjetrës nuk e kanë prioritizuar këtë çështje dhe rrjedhimisht kanë ndërmarrë hapa të ngadalshëm ose nuk kanë ndërmarrë hapa fare për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Në kapitullin për mbrojtjen e natyrës, thuhet se Kosova ka biodiversitet mjaft të pasur, me një llojllojshmëri të mirë të florës dhe faunës. Edhe pse ligjërisht ka të shpallur një sipërfaqe të madhe të zonave të mbrojtura (11. 53% e territorit të saj), mbrojtja e tyre dhe e pasurisë llojore të organizmave të gjallë që jetojnë aty, mbetet ende sfiduese.
Në kapitullin për pylltari theksohet se ndonëse sipas ligjit, pyjet konsiderohen si pasuri kombëtare me rol të rëndësishëm jetësor, në praktikë ato nuk po konsiderohen të tilla, ku si rezultat kemi dëmtime enorme. Disa prej problemeve kryesore të këtij sektori janë prerjet ilegale, investimet e pamjaftueshme dhe jo prioritare për sektorin e pylltarisë, mungesa e kapaciteteve institucionale dhe kushteve në punë për t’i mbrojtur pyjet, mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve përgjegjëse, zbatimi i pamjaftueshëm i akteve ligjore dhe nënligjore, strategjive dhe programeve, si dhe mungesa e shkollimit profesional në sektorin e pylltarisë.
Në kapitullin për ndryshimet klimatike konstatohet se rruga për të arritur caqet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për uljen e emetimit të gazrave serë, duket shumë sfiduese për një shtet të cilit i mungojnë kapacitetet institucionale, strategjia për energjinë dhe ligji për ndryshimet klimatike. Mungesa e kapaciteteve institucionale dhe mosmiratimi i këtyre dy dokumenteve strategjike, e lë Kosovën në situatë të mjegullt, ngase ende nuk është e qartë nëse Kosova do të jetë e gatshme që përfundimisht të heqë dorë nga përdorimi i thëngjillit, apo në një skenar tjetër, cilat do të ishin alternativat për të diversifikuar burimet e saj të energjisë.
Raportin e plotë mund ta shkarkoni në këtë link https://we.tl/t-t4Ptx0uW8w
Për publikimin e tij kanë kontribuar organizatat pjesëmarrëse në Koalicion, si: GLPS (Ndotja e ujit), INDEP (Ndotja e Ajrit), Qytetarët Aktiv (Mbrojtja e Natyrës), CNVP (Pylltaria) dhe WWF Adria (Ndryshimet Klimatike). Raporti u publikua me mbështetje të projektit rajonal “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit II”, zbatuar nga WWF Adria dhe financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar – Sida. Përmbajtja dhe pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Sida.
PËR KOALICIONIN 27
Koalicioni 27 u formua nga një grup organizatash joqeveritare për të monitiruar dhe kontribuar në procesin e harmonizimit dhe zbatimit të politikave dhe rregullave të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të jenë në përputhje me legjislacionin e BE-së për fushën e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Koalicioni 27 do të avokojë dhe do të bëhet kujdestar në procesin e përfshirjes së publikut në negociatat e anëtarësimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, me qëllim të propozimit të zgjidhjeve të përshtatshme të mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimit të kualitetit të jetës për qytetarët.