Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka mbajtur një konferencë për media ku ka reaguar dhe ka shprehur shqetësimin lidhur me rastin e fundit të vdekjes së fëmijës e gjithashtu për situatën e rëndë të fëmijëve në situatë rruge. KOMF kërkon veprime të menjëhershme nga prokuroria për zbardhjen e rastit të vdekjes së fëmijës. Sipas informacioneve të policisë, fëmija ka pasur shenja dhune. Poashtu sipas informacioneve të publikuara nga mediat, raporti i autopsisë i bërë në trupin e 11-vjeçarit ka vërtetuar se viktima është dhunuar seksualisht tri herë nga i njëjti person si dhe plaga e dhunimit ishte e freskët. KOMF ka kërkuar të ketë qasje në raportin e autopsisë, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore iu është përgjigjur KOMF që raporti i autopsisë për rastin në fjalë është në kompletim e sipër (në pritje të analizave) dhe pas kompletimit i dorëzohet prokurorit të rastit.
Bazuar në deklaratën e nënës së viktimës por edhe shkrimeve të publikuara në media, del që rasti është raportuar në polici për abuzim seksual në datën 29 janar 2019 dhe tek pas 3 muajve më datë 15 prill 2019, është parashtruar kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe i njëjti rast ishte proceduar në prokurori. Ndërsa prokuroria nuk kishte ngritur aktakuzë për këtë rast dhe personi për të cilin familja po pretendonte që ishte kryerësi kishte mbetur i lirë.
Për këtë arsye, KOMF ka dërguar kërkesa zyrtare tek: Policia e Kosovës, Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të parë cili ka qenë reagimi institucional për mbrojtjen e jetës dhe integritetit të fëmijës dhe ndëshkimin e kryerësit. Mbetet shqetësues fakti që Policia e Kosovës nuk iu është përgjigjur KOMF deri në këtë moment që po flasim, përderisa prokuroria ka theksuar që janë në fazën e hetimeve dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japin më shumë informacione. Ndërkaq, Qendra për Punë Sociale i është përgjigjur KOMF duke dhënë informacionin për shërbimet e ofruara për këtë rast.
Duke pas parasysh ndjeshmërinë e rasteve të cilat prekin fëmijët por edhe ndjeshmërinë e veprave penale kundër trupit dhe integritetit seksual, rasti i tillë do duhej të trajtohej me prioritet të lartë dhe me urgjencë nga policia dhe prokuroria në mënyrë që të mbrohej jeta, mirëqenia dhe integriteti i fëmijës. Me këtë rast, KOMF kërkon nga Inspektoriati i Policisë të hetojë këtë rast për të vërtetuar nëse ka pasur neglizhencë nga organet e ndjekjes.