Afrimi i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, ka rritur ndjeshëm tensionin ndëretnik midis kombit shqiptar dhe shovinizmit grek. Deklarata, emisione televizive, vendime gjykatash për ndryshim kombësie, ringjallje fantazmash te vdekura me emrin Vorio Epir janë bërë të pranishme për opinionin publik shqiptar. Duke dëgjuar gjithë këtë propagandë, nuk mund të mos kujtosh, sentencën e shqiptarit të madh Petro Nini Luarasi qe thoshte para 100 vjetësh: “Edhe Krishti në na thëntë; unë jam grek, eni pas meje; do ti themi: Pa mblidh mëntë; se shqiptari, s’vjen pas teje”. Shovinizmi grek po luan hapur, ai kërkon të shtojë numrin e grekëve në Shqipëri, të zgjerojë hapësirën e minoritetit grek në Shqipëri. Pra po luan hapur. Ne kuptimin figurative është një Lojë me Letra të Hapura. Dhe sa kohë që luan me letra të hapura nuk mund të mos vëresh edhe shqetësimin e këtij shovinizmi, nxitimin e tij, halucinacionet që po shfaq. Le të analizojmë…>>>
Pse minoriteti grek voton për partitë shqiptare? Domethënia e nëntitullit përbën një nga shqetësimet më të mëdha të shovinizmit grek në Tiranë, në Janinë dhe në Athinë. Është fjala për qytetarët e thjeshtë të këtij minoriteti që jetojnë në Gjirokastër dhe Sarandë dhe fshatrat përreth tyre. Për të disatën herë ata po tregojnë se janë minoriteti më proshqiptar, krahasimisht me minoritetet e tjera që jetojnë në Evropë. Ashtu si Shqipëria po rikonfirmon se nuk e njeh demokracinë selektive ndaj minoriteteve. (Për fat të keq politika e saj rrallë herë e përdor këtë shkallë të lartë emancipimi, të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.)
Më konkretisht: Minoriteti grek në Shqipëri, është i vetmi në Evropë, që voton në shumicë të madhe për partitë e shumicës, pra për partitë shqiptare. Le të marrim disa shembuj nga zgjedhjet lokale të vitit 2007. Në qytetin e Sarandës, PBDNJ fiton 5.64 për qind te votave, ne Delvinë 7.24 për qind, ndërkaq që përqindja e minoritarëve grekë në Sarandë është më e madhe. Në Gjirokastër 6.87 për qind. Ndërsa në komuna të pastra minoriteti, në zgjedhjet lokale të vitit 2007 janë arritur këto rezultate: PBDNJ në komunën Aliko fiton 18.4 për qind, partitë shqiptare fitojnë 77.6 për qind; në komunën Dhiver PBDNJ fiton 11.4 për qind, partitë shqiptare fitojnë 88.6 për qind; në komunën Mesopotam PBDNJ fiton 22.3 për qind, partitë shqiptare fitojnë 81.7 për qind; në komunën Finiq PBDNJ fiton 42 për qind, partitë shqiptare 58 për qind. PBDNJ fiton 50 deri 60 për qind ne tre komuna, dy Dropull, i poshtëm dhe i sipërm dhe Livadhja, partitë shqiptare fitojnë 40 deri në 44 për qind në këto tre komuna. (Forca e parë politike në Dhivër për herë te parë del Partia Demokratike me 22 për qind të votave.
Përgjatë 20 vjetëve, shovinizmi grek, ka përdorur të gjitha metodat ta ndryshojë këtë përqindje në favor të tij, me kërcënime, me pensione, por ka dështuar. Minoriteti grek në Shqipëri, ndjehet më komod dhe më i sigurt, përkrah partive shqiptare, se sa përkrah partive greke të dala nga radhët e tij. Pse ka ndodhur kjo? Sepse në Shqipëri nuk ka demokraci selektive mbi bazën e racës apo të etnisë. Ja një shembull: Minoriteti grek e di fare mirë se parlamenti aktual shqiptar ka 5 deputetë grekë në gjirin e tij. Por edhe kaq nuk mjafton.
Vangjel Dule dhe Memush Beu
Për minoritetin grek në Sarandë dhe për ata që njohin sadopak historinë, janë në gjendje të të thonë se deri në vitin 1944, shumica e fshatrave të minoritetit grek kishin këto emra, fshati Memush Bej, Hadër Aga, Aliko, Caush, Kalive bej Pasha, Hoxhe, Ymer Efendi etj. Qeveria e Enver Hoxhës dha urdhër të ndryshohen këto emra. Dhe në vend të tyre, lindën emrat, Livadhja, Lefter Talo, Fitore, Dritas, etj. Përsëri, për ata që e njohin sadopak historinë e dinë fare mirë se Komisioni Ndërkombëtar i përcaktimit të kufijve ne vitin 5 dhjetor 1913 do të shprehej për Luginën e Drinos ku shtrihen fshatrat e Dropullitë Poshtëm dhe të Sipërm se:…Nga të 76 fshatrat e Luginës së Gjirokastrës, 15 prej tyre janë secili pronë e një beu, ndërsa të gjitha pronat e 44 fshatrave të tjerë u përkasin plotësisht bejlerëve dhe agallarëve myslimanë. Vetëm pronat e Pepelit dhe të Selios u përkasin ortodoksëve. Të gjitha këto arsye të paraqitura shkurtimisht duken të mjaftueshme për të përligjur dhënien e gjithë Luginës së Gjirokastrës, Shqipërisë…
Ndërsa parlamenti i Shqipërisë i vitit 1992, ju dha tokë ish-minoritarëve që kishin ardhur sipas komisionit ndërkombëtar të caktimit të kufijve…nga krahina e Janinës të thirrur nga bejlerët shqiptarë për të punuar tokat…minoritari i thjeshtë këtë nder që i bëri Parlamenti i Shqipërisë, e konverton në votë për partitë shqiptare. Ndërsa Vangjel Dule, tokën që mori nga pronat e Memush Beut, kërkon ta shndërrojë në territor grek. Por edhe kaq nuk mjafton për të kuptuar ofensivën e shovinizmit grek.
Moj e bukura More…
Si të lashë, e më s’të pashë!
Është një këngë e vjetër shqiptare, e kënduar atëherë kur shqiptarët nuk kishin alfabet për të shkruar gjuhën e tyre sepse nuk i linte perandoria turke. Por është një këngë me vlere etnohistorike më shumë se dhjetëra libra historianësh. Kush është ai që e ka bërë këngën? Shqiptar. Kujt ja kushtuar këngën? Trojeve të tij. Si quhet territori i tij? More. Ku është sot ky territor? Në Greqi, por me emër të ndryshuar, nga More quhet Peloponez. Shovinizmi grek e di shume mirë këtë gjë. Ashtu siç di gjenocidin fashist mbi shqiptarët e krahinës së Çamërisë ne kohën moderne. Ky shovinizëm, di akoma më shumë. Ai e di se shqiptarët po zgjohen, po kërkojnë të jenë si të tjerët, po kërkojnë të bashkohen. Por këtë herë, kanë zgjedhur rrugën e paqes.
Është një lojë me letra të hapura, me konsensus të të gjitha partive politike greke që nga ekstremi i djathtë deri tek ekstremi i majtë. Mustaqet e buta të Jorgo Papandreut në presidiumin e Brukselit apo të Internacionales Socialiste, përballë kombit shqiptar janë transformuar në tela me gjemba shovinistë. Nuk ka të majtë më ultranacionaliste në Evropë se sa e majta greke. Antoni Samarasit, kostumi fin dhe elokuenca e shfaqur nëpër deklarata përballë kombit shqiptar i duket si kostumi i Napolon Zervës. Nuk ka të djathtë më ultranacionaliste në Evropë se sa e djathta greke. Eshtë Lojë me Letra të Hapura. Këtë Lojë do ta fitojë kombi shqiptar. Nga Presheva deri ne More. Nga Durrësi deri në Shkup. Është proces i pakthyeshëm, progresiv, evropian . Është Amanet i së shkuarës dhe detyrim i së ardhmes
(Autori është drejtues i Lista për Shqipëri natyrale. Kontakt: [email protected])