«Aleanca për Mirëqenie dhe Solidaritet u njoh përmes mediave me projektligjin e qeverisë së Kosovës lidhur me Festat Zyrtare. Në këtë projektligj Dita e Flamurit të Kombit shqiptar, 28 nëntori nuk është festë zyrtare. Atakimi i 28 nëntorit, është një veprim i dëmshëm për Kosovën dhe shtetin e saj, për reputacionin e vetë qeverisë dhe politikës së shtetit shqiptar të Kosovës. Atakimi i 28 nëntorit është atakimi i parë ndaj kombit shqiptar, por tashmë jo nga shovinizmi serb, por nga vetë shqiptarët.
28 nëntori 1912 është rastësisht Festë Shtetërore e Tiranës Zyrtare, por është domosdoshmërisht Festë Kombëtare e të gjithë shqiptarëve, sepse është Dita e Flamurit të Kombit. Dhe një pjesë e kombit jeton edhe në teritoret shqiptare në Kosovë.
AMS mendon se problemi kryesor nuk është që duhet apo nuk duhet të jetë 28 Nëntori festë zyrtare në Kosovë. Shqiptarët në Kosovë kanë një histori të gjatë shekullore lidhur me Flamurin. Edhe në kohën e Jugosllavisë monarkiste, edhe në kohën e Jugosllavisë së Titos edhe në kohën e Serbisë së Milosheviçit, kur nuk e kishin festë zyrtare Ditën e Flamurit Kombëtar, edhe në ato kohë, ata dinin ta festonin 28 Nëntorin me dinjitet dhe heroizëm. Ata do të dinë ta festojnë edhe në Kosovë dhe në gjithë hapsirën shqiptare, pavarsisht nga çfarë do të vendosë Parlamenti i Kosovës.
Një mendim dhe qëndrim më i pjekur, me debatin, qëndrimin, diskutimin e pozitës dhe opozitës në Kosovë, të shoqërisë civile dhe botës akademike, të konsultimeve me qendrat e tjera shqiptare në Tiranë, Tetovë, Preshevë, Ulqin do të jepte edhe një vendim në të mirë të kombit shqiptar.
Në situatën aktuale, qendrat politike, intelektuale dhe akademike të kombit shqiptar nuk mund të veprojnë si në të kaluarën. Duke respektuar shtetet dhe shoqëritë ku jetojnë ato duhet të konsultohen me njëra tjetrën për problemet madhore të kombit shqiptar. Në realitetin e tanishëm të kombit shqiptar, është i dëmshëm si paternalizmi ashtu edhe indiferenca dhe mospërfillja.
Të paraqesësh në parlament projektligjin për të hequr Ditën e Flamurit Kombëtar të shqiptarëve nga protokolli i festave, në një kohë kur nacionalizmi serb po vë në jetë planin e ndarjes ligjore të Kosovës, do të thotë të nxitësh akoma me tej këto orekse shoviniste.
Të merresh me 28 nëntorin e vitit 1912 kur si pasojë e presionit të kundërshtarëve të shqiptarëve, do të shtyhet edhe disa muaj veprimtaria e misionit të EULEX në Kosovë, do të thoë se ose je i çoroditur dhe nuk di se çfarë bën ose mendon vetëm për pushtet të përkohshëm.
Të merresh me 28 nëntorin kur akoma flamujt kombëtarë me të cilët janë varrosur dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, akoma nuk janë tretur, do të thotë të fyesh një luftë të ërë dhe një shtresë të tërë martirësh.
Të merresh me 28 nëntorin në një kohë kur shqiptarët në Kosovë dhe shteti i Kosovës janë në fazën kur uniteti duhet të jetë në një shkallë shumë të lartë, do tëe thotë të hapësh rrugën e përçarjeve nacionale. Dhe kjo do të jetë me pasoja të rrezikshme për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në Kosove dhe në mbarë hapsirën shqiptare.
Aleanca për Mirëqenie dhe Solidaritet gjykon se parlamenti i Kosovës do të dijë të gjykoje me qartësi dhe vizion kombëtar lidhur me propozimin e gabuar në kohë, të paqartë në formulim dhe të pasaktë në interpretim të qeverisë së Kosovës ndaj Ditës Kombëtare të 28 Nëntorit.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …