Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima ka sqaruar në një deklaratë për shtyp se akuzat e ish-kryeministri Sali Berisha se kompania “Abissnet sh.a”, ka lidhur kontrata për ofrimin e shërbimit të internetit me shumë institucione shtetërore. Kokëdhima thekson se, ai i ka shitur aksionet që zotëronte tek kjo kompani në shkurt të vitit 2014. Gjithashtu ai bën të ditur se, gjatë kohës që zotëronte aksionet, kompania kishte kontratë me 27 institucione shtetërore, ndërsa pas shitjes së aksioneve kompania ka lidhur kontratë edhe me 19 institucione të tjera.
Aleanca e dështuar dhe qesharake e opozitës politike, së bashku me ata që i mbështesin, pa reshtur kalojnë nga një fushatë shpifjesh në një të re për aktivitetin dhe punën time. Urrejtja dhe vulgu që derdhin çdo ditë nuk më ka shpërqendruar aspak nga detyrat e mia, të cilat i ndjek me një intesitet e përqendrim shumë të lartë, për të përmbushur çdo përgjegjësi që unë kam marrë përsipër, qoftë si individ, qoftë si pjesë e Partisë Socialiste, e koalicionit të majtë dhe e Parlamentit si deputet.
Dje edhe sot ata kanë dashur të mashtrojnë e spekulojnë, duke përhapur shpifje të reja të Saliut, sipas të cilave unë paskam përfituar fonde publike nëpërmjet kompanisë “Abissnet sh.a” nga 176 institucione shtetërore. E vërteta është se unë i kam shitur aksionet e Abissnetit më datë 6 shkurt 2014. Nga dita që unë jam bërë deputet e deri më datën 6 shkurt, kur unë isha aksioner, kompania “Abissnet sh.a” nuk ka lidhur asnjë kontratë të re me ndonjë institucion shtetëror. Deri në këtë datë, ajo ka pasur aktivitet me 27 institucione shtetërore, me kontrata të lidhura në kohën e Sali Berishës kryeministër. Pas datës 6 shkurt 2014, kur unë e kam shitur këtë kompani, sipas deklaratës së shtypit të publikuar nga “Abissnet sh.a” sot në media, Abissneti ka lidhur kontrata për herë të parë gjatë 6 muajve të fundit të vitit 2014 me 19 institucione shtetërore dhe me 27 institucione të tjera, me të cilat ka pasur kontrata prej disa vjetësh.
Në çdo fushatë shpifëse të Saliut ndaj meje rreshtohet edhe Merua me kontributin e tij. Sot ai ka publikuar një dezinformim ku thotë se Abissnet ka lidhur kontratë në dhjetor të vitit 2013 me Bashkinë e Elbasanit dhe në dhjetor 2013 me doganën Qafthanë. Edhe këtë radhë Merua është bllof, sepse kontratat në fjalë janë lidhur respektivisht në 3 janar e në 1 mars të vitit 2013, kur unë nuk isha as deputet e as kandidat për deputet.
Shuma e përgjithshme e të gjitha kontratave të Abissnetit me institucionet e shtetit është 3 milionë e 600 mijë lekë të reja, ose 0.75% e të ardhurave mesatare vjetore të shoqërisë Abissnet për katër vitet e fundit. Saliu ka mashtruar haptazi duke thënë 176 institucione shtetërore, në vend që të thoshte 46 institucione, 27 prej të cilave të lidhura në kohën e tij dhe vetëm 19 të tilla të lidhura në kohën e qeverisë së majtë, nga një kompani ku unë i kam shitur aksionet përpara se të lidheshin këto kontrata. Për dijeninë e publikut, Abissnet zotëron afërsisht 12% të tregut të internetit në Shqipëri, ndërsa totali i vlerës së 46 kontratave që ka Abissneti me institucionet shtetërore përbën vetëm 1% të shërbimit të internetit që institucionet shtetërore blejnë nga providerat e internetit. Sipas komunikatës së shtypit të AKS-it, edhe në vitin 2012 dhe 2013 Abissneti ka pasur 1% të tregut të internetit të agjencive shtetërore, pra po të njëjtën shifër që ka në vitin 2014. Kjo provon më së miri që shitjet e kësaj kompanie në shtet nuk janë përmirësuar në raport me konkurrentët e saj.
Shikojeni se çfarë pozite të pamerituar ka edhe sot Abissneti në shtet, për shkak të diskriminimit ekstrem që i ka bërë regjimi i Saliut në të shkuarën e afërt të gjitha kompanive të mia. Vlera mesatare e një kontrate është rreth 75 mijë lekë të reja në total. Kurrë nuk do të ndërhyja për të favorizuar ndonjë kompani, as për 75 milionë dollarë, e jo për 75 mijë lekë.
I bëra pasuritë e mija ndër vite përpara se të hyj në politikë dhe pa asnjë privilegj nga politika, përkundrazi, në një opozitë të palëkundur ndaj dy baballarëve të korrupsionit të këtij vendi, me Saliun e Fatosin, që qeverisën për gati 24 vjet. Saliu dhe ata që e ndjekin shpifin çdo ditë, ndërsa unë iu përgjigjem me punë. Saliu, Luli dhe i gjithë stani që i ndjek e mbështet, shpërndajnë çdo ditë mashtrime e spekulime, ndërsa unë iu përgjigjem me fakte e të vërteta dhe ja u ç’bëj skenarët e tyre të ndyrë, po çdo ditë.
Jam i sigurtë se asnjë gjë nuk e shpëton dot më Saliun. Po e shkulim nga rrënjët pjesën e mbetur të pushtetit të tij të zi për Shqipërinë e shqiptarët. Kurrë më Shqipëria nuk do të bjerë në duart e Saliut dhe të bandave të tij.