Në fjalën e tij para deputetëve, në Kuvendin e
Shqipërisë, deputeti socialist, Koço Kokëdhima i ka drejtuar shumë kritika
deputetit të PD-së Sali Berisha. Ju jeni
i fundit politikan i këtij vendi që bëri aq shumë shkatërrim dhe tradhti ndaj
popullit të vet dhe do të mbetesh i tillë tha ai dhe vazhdoi, Ti e qeverise
këtë vend me një bandë. Ç’të të kujtojmë?! Të kujtojmë shkatërrimin e
institucioneve të shtetit, të të kujtojmë grabitjen e shtetit, të të kujtojmë
grabitjen e tokave. E more Shqipërinë nga diktatura me 100% të pronësisë së
shtetit mbi tokën dhe tani ke bërë dy Shqipëri e gjysmë borxh vetëm toka për
kompensim. Të të kujtojmë grabitjen e zgjedhjeve dhe të shkatërrimit të
institucionit të votës dhe të zgjedhjeve, të të kujtojmë informalitetin që
mbolle në këtë vend, zhvillimin kaotik të territorit, të kujtojmë vrasjet e
Gërdecit, “21 janarin”, të zhdukurit dhe të rrëmbyerit e tu, vrasjet e tua? Të
të kujtojmë koncesionet poshtëruese, çnderuese dhe shkatërruese të ekonomisë së
Shqipërisë, shitjen e detit që e bëre me aq qejf, e sa, e sa, e sa të tjera.
…
Ti ke vetëm një të drejtë, Sali. Në gjithë sjelljen
tënde si, prokuror, shpifës, trillues, gënjeshtar, mashtrues, fyes, ofendues,
turpërues, ke vetëm një të drejtë. Nuk duhet të ishe atje ku je, por duhet të
ishe përpara drejtësisë dhe të përgjigjeshe për të gjitha aktet e rënda që i
bërë këtij vendi, në të gjithë kohën që e qeverise.
Unë nuk them se e majta jonë është e përsosur, as
nuk them që e majta jonë nuk bën gabime, e majta e bashkuar, por them se në
këto dy vite të qeverisjes nuk ka bërë asnjë vepër të rëndë kundër atdheut dhe
popullit të saj, si ti zotëri.
Tani do të vijmë edhe tek tema jote e bukur,
sigurisht do të vijmë edhe tek tema e kanabisit. Unë jam dakord që ekonomia
ilegale e kanabisit është një ekonomi me përmasa të gjera në Shqipëri. Pushoni!
Dhe dëgjoni! Por mos kujtoni se ekonominë ilegale të kanabisit e shpiku dhe e
ngritit Saimir Tahiri. Ti, ti babai i informalitetit, ti ati i krimeve dhe i
ekonomisë kriminale, ti e shpike ekonominë ilegale në Shqipëri dhe ti e ngrite
Lazaratin. Dhe Llazaratin dhe të gjithë atë implikim në këtë ekonomi informale
dhe në sa e sa ngjarje të tjera informale të ekonomisë së Shqipërisë. Ti e
ngrite, zotëri!
Ne jemi një mazhorancë shumë e hapur. Jemi të hapur
për kritikat që vijnë nga shoqëria, jemi të hapur edhe për kritikat që vijnë
nga shtypi, edhe për kritikat që vijnë nga opozita, dhe jemi të vëmendshëm dhe
reagues për çdo kritikë të drejtë, nga vjen dhe për këdo që vjen. Por s’mund të
pranojmë të gjithë prodhimin mbresëlënës të këtij kokërr gënjeshtari, që s’lë
njeri pa bërë pis dhe s’lë njeri pa ndotur me shpifje, me fyerje, me mashtrime.
Ne nuk do të pranojmë ty kurrë si prokuror dhe si gjykatës. Nuk do të pranojmë
kurrë si akuzues dhe nuk do të pranojmë kurrë si Zot në këtë vend. Ti do të
jesh në këtë vend ai që ka vendosur populli shqiptar që të jesh, dhe nuk mund të
të pranojmë përveçse si Sali. Dhe si Sali, po të them se ne do ta mbështesim
çdo ministër tonin, çdo shtetarë, edhe Tahirin, në të gjitha përpjekjet dhe
luftën për të vendosur rendin dhe ligjin në Shqipëri. Kur flet për mua, për
çështjen e kanabisit, ti je një shpifës vezullues, vezullon në shpifjen tënde
aq shumë.
Kam qenë dhe mbetem në krah të policisë dhe të të
gjitha organeve të shtetit shqiptar, që luftojnë kundër ekonomisë kriminale dhe
ilegale në përgjithësi, dhe kundër ekonomisë kriminale dhe informale të
kanabisit në veçanti. Kurrë nuk kam ftuar njeri që të sfidojë ligjin.
Përkundrazi! Dëgjo, dëgjo plak i nxituar, qetësohu dhe dëgjo! Kurrë nuk kam
ftuar askënd që të sfidojë ligjin. Përkundrazi, këtë foltore e kam përdorur dhe
e kam shfrytëzuar t’i ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë të mos e sfidojnë
ligjin dhe të mos përfshihen në akte kundër ligjit, sepse përfshirja ka kosto
të rënda për qytetarët.
Unë dua të them, gjithashtu, që s’kam folur dhe
s’kam nënkuptuar ekonominë informale të kanabisit, por në të gjithë ato që kam
thënë kam patur parasysh, të jemi të vërtetë në shpjegimin gjërave. Si mendon
ti, Sali, gjithë këta mijëra fshatarë që mbledhin kanabisin e bëjnë këtë nga
qejfi për të qenë kriminalë dhe për të sfiduar ligjin? Jo zotëri, jo. E bëjnë
se ti ua shkatërrove mundësinë për të jetuar me rrugë të tjera. Ti e
shkatërrove ekonominë e këtij vendi, ti qeverise 20 e ca vjet tranzicion dhe e
le popullin shqiptar me “gisht në gojë”. E shkatërrove ekonominë, e shkatërrove
bujqësinë. Ti u the fshatarëve: “Bëni bujqësi pa vaditje, bëni bujqësi pa
kullim, bëni bujqësi pa mbështetje, pa subvencione, bëni bujqësi pa tregje, pa
organizim dhe pa asistencën e shtetit”. Me një fjalë, ti u talle me fshatarët e
Shqipërisë, u talle me fermerët e këtij vendi, ashtu siç u talle me të gjithë
popullin tonë dhe e katandise çdo vit e më keq ekonominë e tij. Kjo situatë
ekonomike i nxit sa e sa njerëz të gjejnë rrugë edhe në mënyrë të paligjshme,
do apo s’do ta pranosh ti.
Unë kam predikuar kanabisin terapeutik. Meqenëse je
dhe doktor ti, që mos qoftë! Dhe e kam bërë këtë gjë, jo se e kam shpikur unë.
Të kam informuar se, sot, kanabisi farmaceutik është një alternativë e
pazëvendësueshme për mjaft njerëz që vuajnë nga shumë sëmundje, të cilat nuk
kanë mjekime të tjera alternative. Për çfarë arsye, o zotëri, do t’i ikë
Shqipëria këtij debati dhe këtij zhvillimi, në të cilët është përfshirë e
gjithë bota e zhvilluar. Nuk ka shtet demokratik sot që nuk e ka, në Evropë dhe
në Amerikë, kanabisin farmaceutik legal. Nuk ka, zotëri. Ti kujton se populli
shqiptar është i painformuar, por kjo s’është e vërtetë. Unë kam kërkuar,
zotëri, që kanabisi industrial të zhvillohet, sepse është shumë i rëndësishëm
për ekonominë botërore. 50 mijë artikuj të dobishëm për njeriun prodhohen nga
kanabisi.
Si mund t’iu ikim ne këtyre të vërtetave?! Si mund
të fshihemi ne dhe të themi se kjo s’është e vërtetë?! Ti zotëri, ti gjoja i
preokupuari për popullin tënd, bëre legjislacionin penal më të ashpër dhe të
pamerituar për përdoruesit e hashashit. Dhe, vetëm sot, ne kemi në burg 1850 të
burgosur si përdorues, djem dhe vajza të dënuar me nga 5 vjet burg. Vetëm ti
bëre legjislacionin që i dënon përdoruesit si trafikantë dhe trafikantët i
dënon si përdorues. Ti zotëri, ti e bëre këtë gjë! Dhe nuk e bëre sepse
shqetësohesh për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e popullit. Pa dyshim,
unë mendoj se represioni nuk mjafton për të luftuar ekonominë e paligjshme.
Prandaj dhe ju kam ftuar që të mos e kompleksojmë këtë debat, por ta bëjmë një
debat të hapur me argumente. Dhe të mos e kompleksojmë shoqërinë, që t’i
diskutojë këto shanse, këto mundësi dhe këto nevoja, siç i diskutojnë dhe i
zhvillojnë të gjitha kombet dhe shtetet e zhvilluara.
Nuk më ngatërron dot mua, more miku im, nuk më
ngatërron dot mua, kushdo qofsh ti, me parajsën e kriminalëve të kanabisit që
ndërtuat ju. Projekti im s’ka lidhje me ekonominë kriminale, por ka lidhje me
monopolin e shtetit dhe ekonominë shtetërore. Sa për vlerësimet e tjera, po të
them Sali, siç të kam thënë gjithmonë, po të them edhe këtu se, edhe në
sjelljen politike, edhe në përgjegjësinë politike unë përpiqem me të gjitha
fuqitë e mia t’u shërbejë qytetarëve në rolin që kam si deputet.
Të kisha paralajmëruar se populli do të më ndjekë
mua dhe të majtën e bashkuar dhe jo ty. Dhe të kisha paralajmëruar se në zonën
time elektorale do dalësh 5 me 0. Të kemi shkulur si bar i keq dhe të kemi
hequr jashtë tregut të politikës. Dhe tani po të them edhe një gjë tjetër! Unë
së bashku me grupin e deputetëve të qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër punojmë në
rajonin e Partisë Socialiste Vlorë, Gjirokastër, së bashku me aleatët tanë të
së majtës së bashkuar. Por të them se, po bëre një betejë tjetër me ne, do të
dalësh 14 me 0, sepse e di shumë mirë populli për çfarë punove ti dhe çfarë
bëre ti në këtë vend.
Tani kam edhe diçka të fundit lidhur me mandatin që
i hoqëm sot deputetit Prenga. Më vjen shumë keq për këtë konflikt dhe për këtë
përplasje që zhvilluan fiset Prenga dhe Cala. Dua ta shfrytëzoj këtë foltore
dhe këtë mundësi që t’i ftoj këto familje, këto fise dhe të gjithë të tjerët që
janë në konflikte, të mos ndjekin dhe të mos thellohen në rrugën e konfliktit,
të mos ushqejnë hasmërinë, por të lejojnë institucionet e shtetit dhe ligjit ta
zgjidhin këtë çështje. Të bëjnë urtësi dhe të mos përdoren nga Sali Berisha, i
cili gjithmonë e ka ngritur shkallën e karrierës përmes kufomave. Ky njeri, sa
herë ka hyrë në Këshillin e Ministrave, e ka hapur derën me arkivol dhe është i
gatshëm ta bëjë këtë deri në fund. Dhe nuk do të reshtë të përdorë çdo
konflikt, derisa t’i vendosë në luftëra, në përplasje, në hasmëri.