“Koha Ditore” ndihet tejet e dëshpëruar me “ndaljen e turrit” të EULEX-it

 


Flaka Surroi, nga Koha Ditore jo vetëm po e udhëzon EULEX-in si duhet të veprojë, por edhe po shpreh frike e zemërim se mos ndoshta edhe fati i EULEX-it do të shkrihet ashtu sikur ka avulluar edhe UNMIK-u në luftën kundër korrupsionit. Ku e ka hallin “Koha Ditore” e cila ndihet aq shumë e shqetësuar se arrestimi spektakular i policëve të EUEX-it, dështoi, që në fillim dhe tehu i luftës kundër korrupsionit në Qeveri, u thye me të parën. Është paksa e çuditshme që një gazetare, redaktore apo instruktore, të nervozohet aq shumë kundër EULEX-it, i cili duket sikur e paska ndërprerë sulmin policor kundër zyrtarëve të Qeverisë. Pse brengoset kaq shumë kjo Flaka Surroi për amullinë e cila e paska kapluar EULEX-in? >>>


Përse brengoset aq shumë kjo gazetare dhe ndien frikë të ankthshme nëse edhe EULEX-i dështon sikur mendon se paska dështuar UNMIK-u në luftë kundër korrupsionit. Përse i jep vetes të drejtë të “qajë e të vajtojë” për hallin e këtij populli, kur nuk e qante as e vajtonte në ditët e luftës së UÇK-së, kur “Koha Ditore” ishte e vetmja gazetë që shitej në krejt territorin e Kosovës, ndërsa stafi i gazetës ruhej nga policia e Milosheviqit, me faktin se gazeta ishte e regjistruar në institucionet e regjimit dhe iu nënshtrohej edhe taksave e detyrimeve, jo vetëm materiale, por edhe politike. Madje-madje “Koha Ditore” veç tjerash vilte burime edhe nga përkujtimi, që bënin në këtë gazetë familjarët e painformuar të dëshmorëve, të cilët paguan nga 30 deri në 50 marka gjermane për përkujtimin e një dëshmori, ndërsa ata me gjakun e tyre të njomë kishin skuqur trojet e Kosovës, të Kosovës liridashëse e cila luftonte okupimin fashist serb, me aq sa mundte, derisa gazetarët e “Kohës…” shëtisnin lirshëm rrugëve të Prishtinës dhe bënin pikën e qejfit nëpër kafene, hotele, parqe, vetura luksoze, paga të majme, siguri e çka jo. Mënyrën si është pasuruar dhe kush e ka pasuruar këtë gazetë dhe krejt këtë kompani dhe për çfarë qëllimesh është bërë e bëhet kjo nuk e kuptojnë vetëm syleshët dhe ata fshihen pas tyre.


Ja si komenton thyerjen e tehut të policisë dhe hetuesisë së EULEX-it kundër zyrtarëve të Qeverisë të dyshuar për korrupsion, Flaka Surroi në një koment të gazetës “Koha Ditore” e datës 14 qershor:( Nëse kjo do të jetë qasja e zgjedhur nga EULEX-i, atëherë atë që do ta bëjë ky mision në praktikë është se do ta përsërisë veprimin e gabuar të UNMIK-ut, i cili kishte zgjedhur të mos bënte absolutisht asgjë, deri kur u zu absolutisht i papërgatitur dhe në panik me ngjarjet e marsit të vitit 2004. Dhuna e egër e përjetuar para gjashtë vjetësh ishte e tmerrshme dhe në fakt ishte shprehje e hidhërimit të një numri të madh njerëzish, të cilët iu bashkuan turmës që vështirë kontrollohej, sado e koordinuar të ketë qenë. A thua, çfarë do të bënin organet vendëse dhe ndërkombëtare të pushtetit, po qe se do të ballafaqoheshin me një situatë të këtillë – ku populli do të marshonte para Qeverisë dhe para ambasadave të shteteve të mëdha vendimmarrëse për Kosovën, e do të kërkonte zbatimin e ligjit, veprime konkrete kundër të korruptuarve, një jetë normale pa rrena dhe hajni? A do ta përdornin dhunën për ta ruajtur “stabilitetin”, i cili duket se është prioriteti primar i gjithë dynjasë këtu në Kosovë. 


Flaka Surroi flet për ngjarjet e 17 dhe 18 marsit, të vitit 2004, të cilat tani pas 6 vitesh i komenton   si pasojë të hidhërimit të një numri të madh njerëzish, duke harruar se si kishte shkruar e si kishte komentuar këto ngjarje “Koha Ditore” asokohe. Tani na del se revolta e 17 dhe 18 marsit e vitit 2004 paska qenë një revoltë sociale e drejtuar kundër Qeverisë dhe kundër UNMIK-ut. Dhe Flaka shpreh paksa habi pse edhe tani nuk po ndodh ashtu, duke ia përkujtuar EULEX-it se në një rast të tillë të revoltave, ai do të dorëzohej. Pastaj vazhdon: ( Ditëve të fundit kam rastisur të dëgjoj nga të huajt se ekziston rreziku që situata në Kosovë të destabilizohet nëse pahiri arrestohet ndonjë hero i luftës, se kjo do të nxiste protesta të zhurmshme dhe energjike të përkrahësve të luftës çlirimtare, e që në asnjë variant nuk duan të pranojnë se ndonjëri ish-komandant ka mundur të keqpërdorte funksionin… Qytetarët që janë lodhur nga mosveprimi i organeve të drejtësisë. Qytetarët, të cilët po shohin se cilido pushtet që po vjen vetëm sa po i mbyt në fund të pusit me demagogji e rrena. Nënçmimin që po ua bëjnë popullit si qeveria ashtu edhe EULEX-i bashkë me diplomatët e huaj këtu, mund t’iu kthehet bumerang dhe do të mund të sillte një “stabilitet” të llojit që nuk jemi mësuar të shohim në këta dhjetë-njëmbëdhjetë vjet. Ndërkaq, EULEX-i mundet edhe të dështojë, ta mbyllë misionin e të shkojë në shtëpi. Diplomatët, tashmë e dimë, rrinë këtu tri-katër vjet, shkojnë, për t’u hapur rrugë të tjerëve që do të vijnë të rrinë tri-katër vjet dhe të shkojnë. Ne, populli do të mbesim duke i vuajtur pasojat e mosveprimit të atyre që kanë mandate të llojllojshme të të vepruarit në emrin tonë. Apo mbase do të zgjedhim të komunikojmë ndryshe. Ndoshta atëherë do të na shikoni me sy të tjerë, e t’ia nisni të veproni. Ruajuni nga bumerangu! Ka shumëçka të vërtetë në disa konstatime të Flaka Surroit, duke mos e përjashtuar se  porosinë ogurzezë.  Kjo është porosia e dëshpruar  e Flaka Surroit, e cila me  tërë stafin e gazetarëve, së bashku me disa OJQ parazite e mercenare dhe me gazetarët e stërshitur krejt lirë të BIRN-it,  i ka dhënë flakë e zjarr luftës kundër korrupsionit. Me këtë rast sikur  po përsëritet ajo fjala e malësores që i thoshte shoqes, “Ma mbaj djalin, t’ i them sa nuk më ka thënë”, apo ndoshta halli është diku gjetkë, por të jetë për popullin, për mbarëvajtjen dhe përparimin e tij, këtë nuk e beson populli, nuk e besojnë as familjarët e dëshmorëve, të cilët paguajnë 50 euro për një përkujtim, edhe pse përkujtimi i dëshmorëve e martirëve në shumë  gazeta të tjera të Kosovës është bërë dhe bëhet gratis, nuk e beson askush, që mendon esëll.


Kjo frikë, për dështimin e EULEX-it, e Flaka Surroit, është tërësisht e pavend, sepse EULEX-i nuk do të ndalet me kaq, në radhë të parë sepse ka synim diskreditimin e Qeverisjes në Kosovës prej vitit 1999, qysh prej kohën kur nga Kosova është dëbuar regjimi kriminal serb. Flaka, e di mirë këtë qëllim, por ky veprim nuk i bën përshtypje, sepse ne nuk  dimë çka ka investuar ajo për pavarësinë e Kosovës, qoftë edhe për këtë pavarësi të cunguar, të munguar, të monitoruar shpeshherë të zezë dhe të mbetur në gjysmë të rrugës. Këto nuk i interesojnë “Kohës Ditore”, sepse ajo është gazetë krejtësisht e “pavarur” qoftë në raport me Serbinë, UNMIK-un dhe EULEX-in, por është shumë e zhurmshme dhe tejet djallëzore në paraqitej krejt selektive të fushatës së EULEX-it kundër Qeverisë. Duke lexuar këtë gazetë, lexuesi i painformuar krijon bindjen se në Kosovë sot është më keq se në kohën e regjimit të Jugosllavisë dhe të Serbisë së Milosheviqit, kur Koha Ditore ka arritur tirazhin më të madh dhe përfitimet enorme, që i ka sjellë lufta drejtorit dhe stafit të kësaj gazete. Asnjë gazetar i “Kohës Ditore” nuk u vra as u maltretua nga regjimi i Milosheviqit, deri  në prill të vitit 1999, kur një pjesë e stafit u shpall e vdekur, një pjesë tjetër qëndroi lirshëm  në Kosovë dhe nuk i mungoi as një qime floku,  një pjesë tjetër iku për në Shkup e gjithandej, me refugjatët, me ata “trima” të cilëve iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e Kosovës, që po kallej në flakë e në barot nga regjimi barbar dhe kriminal i Beogradit.


Fushata e “Kohës Ditore” dhe e disa biçim analistëve, pastaj e disa OJQ-ve dhe gazetarëve të BIRN-it, të cilët kurrsesi nuk po arrijnë ta dëshmojë se UÇK-ja ka trafikuar organe të serbëve gjatë luftës, është një fushatë ogurzezë, e cila e dëmton kombin dhe përparimin e vendit, në radhë të parë sepse duke bërë zhurmë, duke kurdisur insinuata, duke shkruar llafe kafenesh, duke paragjykuar dhe duke kurdisur paragjykime kundër luftëtarëve të lirisë, veçmas kundër zyrtarëve me prejardhje nga UÇK-ja, ajo drejtpërsëdrejti i kontribuon qëndrimit zyrtar të Beogradit kundër Kosovës. Ne nuk besojmë se Beogradi e financon këtë gazetë, por nuk ka shqiptarë liridashës në Kosovë që mund ta arsyetojë këtë fushatë kaq të egër kundër një Qeverie, e cila ka në mesin e vetë edhe të korruptuar, ashtu sikur ka pasur e do të ketë çdo Qeveri, jo vetëm në Kosovë e në rajon, por edhe në mbarë botën kapitaliste. Korrupsioni është kanceri beninj i shoqërisë kapitaliste, ai dëmton rëndë derisa del në sipërfaqe, pastaj amputohet dhe fillon të ringjallet. Disa ditë më parë këtë konstatim e ka dhënë edhe ambasadori, Volfgang Pertiq, ngjashëm ka deklaruar edhe ambasadori amerikan, në Prishtinë, Kritofer Dell dhe shumë personalitete botërore. Korrupsioni nuk mund të çrrënjoset në asnjë shoqëri në trazicion. Lufta kundër tij kurrë nuk pushon, sepse thjesht duhet të funksionojnë prokurorët, hetuesit, policët, gjyqtarët, administratorët, tërë aparatura shtetërore, në radhë të parë rendi shoqëror, pse jo edhe mediet që e “luftojnë” aq shumë korrupsionin me qëllim për ta shtuar tirazhin, dëgjueshmërinë dhe shikueshmërinë..

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Albin Kurti mendon se mërgimtarët e kanë ngatërruar regjistrimin e popullsisë me regjistrimin për votim

Kryeministri, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në …