Edhe pse një pjesë e madhe e rinisë shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova Lindore, që moti kishte marrë botën në sy për t’iu shmangur ndjekjeve, për bukën e gojës apo për të kërkuar dije, në ditët kur në Prekaz krisi pushka e Komandantit Legjendar Adem Jashari e kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi”, kjo plejadë e djelmoshave, braktisi Gjermaninë, Amerikën, Italinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Greqinë për t’iu kthyer Kosovës e cila degdisej “në pelenat e përgjakura” duke gjëmuar refrenin “O sot o kurrë!”.
Në krye të grupeve që braktisën familjet nëpër botë e ia kthyen shpinën luksit të Perëndimit dhe arrinin në Shqipëri qëndronin: Abedin Rexha -Sandokani i Vojnikut, Agim Bajrami i Kaçanikut, Agim Çelaj i Pejës, Astrit Suli i Beratit, Ardian Krasniqi i Vranocit, Ahmet Kaçiku i Bitisë, Arian Brahimi i Shkodrës, Agim Ramadani i Zhegrës, Agush Gjocaj i Rashiqit, Agim Zeneli i Shqiponjës, Agron Rama i Smolicës, Bekim Berisha i Grabocit, Bedri Shala i Gjergjicës, Bekim Sylka i Rahavecit, Bekim Bekteshi i Samadraxhës, Bedri Berisha i Valljakës, Beqir Gashi i Mleqanit, Fehmi Lladrofci i Shkabës, Fehmi Rama i Likocit, Gani Paçarizi i Lumnishtës së Llapushës, Hamëz Thaçi i Xërxës, Halit Coka i Kukësit, Gëzim Hamza i Rahavecit, Hysni Duraku i Krushës së Madhe, Indrit Cara i Kavajës, Ilir Konushevci i Besianës, Ilaz Kodra i Prekazit, Ismet Jashari i Orizares së Kumanovës, Liman Gegaj i Fshatit të Ri të Berishës, Mehedin Morina i Qëndresës (ish-Gllarevë), Milaim Krasniqi i Rudinës (ish -Pastaselit), Mujedin Aliu i Porojës së Tetovës, Mujë Krasniqi – Kapuçi i Qabiqit, Memë Lleshi i Vraniqit, Pal Paluca i Mirditës së Vogël (ish-Terpeticë e Prizrenit), Rasim Kiçina i Drenicës, Sadik Shala i Altarit (ish – Kleçkës), Skënder Çeku i Pejës, Shaban Golaj i Gjakovës, Sejdi Rama i Smolicës, Shpend Berisha i Valljakës, Tahir Sinani i Tropojës, Xhevë Krasniqi Lladrofci, Xhelal Hajda -Toni, Valon Myrtaj, e kësaj plejade me shumë titanë të tjerë sot dëshmorë të kombit – Feniksat e Lirisë që mbinë nga dheu i kësaj toke, shquhet dëshmori Kolë Gjon Lleshi, njëri prej katër Markalleshëve të rënë në themelet e kësaj kështjelle,”Kosovës – gjak që nuk falet”.
Dëshmori i kombit, Kolë Lleshi, është i lindur në fshatin Vraniq të Gjakovës, më 15 mars të vitit 1967. Është i biri i Gjonit të Markalleshëve i cili me Prenën e Lleshdedëve të Smaçit kishin gjashtë fëmijë; tre djem e tri vajza. Është i vëllai i Nikollës, Ukës, Monës, Rozës dhe Florisë, djali i tretë, i rritur në një vatër patriot;sh të njohur për urti, burrëri e trimëri. Shkollën fillore e kreu në fshatin Doblibarë, kurse të mesmen në Gjakovë. Kishte zotësi e shkathtësi për çdo profesion, por veçanërisht për t’u marrë me tregti e ekonomi, prandaj edhe i filloi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës të cilin nuk arriti ta përfundojë.
Si pjesëmarrës në të gjitha manifestimet kundër dhunës që ushtronte pushteti serboçetnik, u bie në sy pushtetarëve, prandaj detyrohet t’i ndërprejë studimet dhe ta marrë rrugën e kurbetit e duke bredhur me trastën plotë me ëndrra për ditët më të mira, vendoset në Gjermani. Edhe në mërgim, Kola vazhdon veprimtarinë patriotike; sajon kontakte me veprimtarët Lladrofci dhe drejton aktivitetet sa në rrafshin logjistik aq edhe në atë operativ, sidomos në shtrirjen e fondit “Vendlindja thërret”. Prandaj, nuk i hiqej nga mendja vendlindja dhe Kosova sa që i bëhej se Drini vëngonte dhe e thërriste.
Kola ishte i martuar me Antigonë Demirin e Klinës dhe kishte Kaltërinën e cila nuk e shijoi dashurinë dhe prehrin atëror, sepse që në mënela mbeti pa të anë dhe sot e kujton vetëm nga rrëfimet për luftëtarin Kolë Gjoni.
Në ditët e para të pranverës të vitit 1998, Kola braktis Gjermaninë dhe i përgatitur mirë moralisht, fizikisht, materialisht dhe profesionalisht, arrin në Shqipëri dhe u bashkohet luftëtarëve që prisnin për të hyrë në Kosovë. Ky grup synonte destinacionin Gllogjan e Shqiponjë. Në këto fshatra – kazerma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mërgimtari Kolë Lleshi gjeti Markalleshët: Memën e Nikën, Xhelal Hajdën e Maliq Ndrecën, Fadil Nimanin, Agim Zenelin e Alush Agushin, gjen Gllogjanin e përgatitur për rezistencë deri në frymën e fundit.
Pas luftimeve të përditshme në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit; në Digën e Radoniqit më 20 prill, në Sukën e Cermjanit deri më 25 prill, pozicionimit në Baballoq më 21 prill te “Kërshi i Sukës”, thyerjes së pritës në Koshare më 24 prill, Betejës në Çeskovë më 13 maj të shtrirë: Kërpuz – Çeskovë, ofansivës mbi Grabonicën më 19 – 21 maj, sulmeve mbi Baballoq e Rastavicë, nga Suka e Podi i Gështenjave, luftimeve në Deçan, ofensivave mbi Strellcin e Epërm, Betejës në Prejlep më 22 maj, luftimeve në Dellovë më 24 maj 1998 e luftimet në fshatrat e Anadrinit prej Kromniku deri në Urën e Fshajt, vëllezërit Lleshi; Gega, Nika, Mema e Kola hetojnë dobësimin dhe lodhjen në rrafshin logjistik, kyçen në këtë sektor dhe me tërë kapitalin e tyre angazhohen në forcimin dhe mbajtjen e korridorit të logjistikës që kalonte nëpër Vraniq. Edhe në logjistikë Kola del i suksesshëm; korridori kalohej “pa therrë në këmbë”, ndërsa Kola vepronte sa në furnizim aq edhe në dinamikën e shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë xha Markut, edhe kah fshatrat e Anadrinit.
Si luftëtar lirie në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, Kolë Gjoni e Memë Lleshi, krahas Brahimajve, Zenelajve, Hoxhajve, Nimanajve e Agushëve, janë me Fadil Nimanin – Tigrin e Xhelal Hajdën – Tonin, ndërsa në fshatrat e Anadrinit Kola me Markalleshët e bashkuar si një, merr pjesë në Betejën e 12 majit në Bardhatin e më 14 maj në “Qafën e Gardhishtit”, por edhe në logjistikë vazhdon thyerjet e shpeshta të kufirit veçanërisht pas 8 qershorit kur ky korridor mbeti pa Haxhi Hotin – Lleshin e pas zhdukjes së çdo gjurme kah “Rrasa e Zogut” për Kolë Mirditën, dëshmorë të kombit. Korriku për Kolën është muaj i luftimeve në Kralan e Ratish, kurse gjatë betejave përreth Rahavecit arrin me një tog nga Pika e Doblibares për t’i ndihmuar Xhelal Hajdës – Tonit. Së bashku me Kolën atyre ditëve kishin ardhur edhe luftëtarët e Gllogjanit e të Shqiponjës dhe rezistuan me një luftë burrërore në “Lugun e Shqipeve” kur u thyen definitivisht forcat serbe dhe nuk depërtuan në Malishevë, u zbrapsën të thyer dhe u përqendruan në Rahavec.
Pas të gjitha disfatave të korrikut, orët e para të gushtit, sërish hapin fronte në Sukën e Cermjanit me qëllim që t’i marrin majat dhe kodrat e së andejmi t’i sulmojnë bërthamat në Gërgoc, Shqiponjë, Ratish e Gllogjan, por edhe t’i lodhin luftëtarët e lirisë e t’i rrudhin nëpër lugshtajat e Dushkajës dhe kështu të sigurohet lëvizja më e lirë prej Gjakove kah Klina nëpër “Guri të Zi”. Kështu, për ta evituar rrezikun nga e majta, më 2 gusht forcat e thërmuara e të dërmuara çetnike sulmojnë Shqiponjën, por janë të pathyeshëm tigrat e Agim Zenelit e të Fadil Nimanit. Në luftimet e zjarrta përjetësohen drenicaku – arsimtar Idriz Bajram Guncati i Tërstenikut të Drenasit dhe dushkajasi Jeton Idriz Hoxha i Cermjanit, por Rrafshi i Dukgjinit i kishte dorëzat e hapura me fronte në Stubëll e bë Rosishtë (ish – Rastavicë), kurse më 3 gusht sërish në Shqiponjë kur përjetësohet nënëmadhja Azë Brahimaj, nënë e gjyshe e gjashtë gjeneralëve, prej tyre katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më 7 gusht forcat çetnike pretendojnë për t’u liruar në krahun e djathtë. Atë ditë, pra, të premten, kah ora 15.00 mësyjnë Vraniqin duke depërtuar nga rruga rajonale Gjakovë – Klinë. Për ta gjetur “Çerdhen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” të njohur si njëra prej bazave të Rrafshit të Dukagjinit, nuk e kishin vështirë. Forcave serbe u prinin “kallauzët” vendas: Draga, Çeda, Nebojsha, Milani, Moma, Drashku, Goga, Grujica dhe Steva, të familjeve të njohura në famullinë e Doblibares, si një familje kolonësh serbomalazezë: Simonoviq, Radojçiq, Pantiq, Zindoviq e Jakovleviq, të cilët në këto troje patën ardhur nga Lika e Korduni duke u vendosur në tokat shqiptare të cilat ua kishte ndarë agrari.
Marrja e Vraniqit për planin serb ishte e një rëndësie të veçantë, por edhe për Markalleshët, mbrojtja e trojeve të babës, mbrojtja e dinjitetit familjar, mbrojtja e Kosovës me pushkë, ia kalonte çdo çmimi. Vëllazëria Lleshi e organizuar mirë në frymën e mbrojtjes së njohur në traditën tonë, nën komandën e Gegë Zef Lleshit, zënë pozicionet duke shfrytëzuar mjetet konvencionale e të improvizuara, me zjarr i presin “fqinjët e deridjeshëm”. Forcat serbe të sistemuara në 3 linja harkore kishin pozicione më të favorshme sipas konfiguracionit të terrenit, por Markalleshët kishin moralin e lartë luftarak duke kënduar, i rrinte pranë Mark Tunës e mbulohej nga zjarri të cilin e koordinonte Mema, sot dëshmor i kombit, i vëllai i Prenit të përjetësuar në “Stuhinë e Godenit” më 28 janar të vitit 1999. Dhe pas një rezistence triorëshe të Gegës, Nikës, Tomës, Lleshit, Martinit, Nikollës, Pjetrit, Dritonit, Agimit, Gjonit, Kastriotit e Zefit me bijat: Zojë, Dranë, e Pashkë, çetnikët thyhen dhe me kufoma policësh e paramilitarësh të vrarë, braktisin Vraniqin. Markalleshëve u shkuan në Përjetësi Mark Tuna e Kolë Gjoni.
Dhe sot, për “Stuhinë e Gushtit” në Vraniq, për uraganët e Markalleshëve; për Markun, për Prenin, për Memën e për Kolën, flasin katër gomurë – dheu mbi të cilët janë katër kryqa me shënime modeste, flasin qarret e varreve në qarretin e Vraniqit, flasin gjurmët e plumbave në portat përherë të hapura për miq, por flasin edhe fatosat dhe yllkat e këtij konaku bujar e mikpritës. Për këtë heroizëm dëshmon edhe lapidari grandioz e i madhërishëm, çatia e të cilit qëndron mbi katër shtylla të rezistencës kombëtare, e që ngrihet në një kodrinë të butë buzë përroskës dhe aksit rrugor që lidh Vraniqin me botën shqiptare, që lidh legjendën për Markalleshët me Jasharajt e Haradinajt, që lidh kujtimet e gjeneratave që do t’i tregojnë Kaltërinës ende të vogël, se “atë gusht të vitit 1998, u çu stuhia në Vraniq e mbeti xha Marku me Kolën” e saj të dashur, me Kolën që mbin si feniks.
Edhe Kolë Gjonin, me shkrime e nderuan: Hasan Hasani, Fitnete Ramosaj, Nexhat Çoçaj, Martin Çuni, Besim Muhadri e vogëlushët e shkollave të Famullisë së Doblibares e të Bishtagjinit, kurse në telat e çiftelisë, portretet e Markalleshëve i skalitën: Bajrush Doda e Zekë Lushi me djalë, rapsodët e Gërgocit e Hysni Kelmendi i Kromnikut të Anadrinit, ndërsa “Sagën e Markalleshëve” do ta përfundojë Kaltërina të cilës i mbeti të rritet nën hijen e lapidarëve e në prehrin e Antigonës, e cila së bashku me nënën Prenë edhe në çdo festë të Zonjës, nën qarre do t’i tregojë Markut, Kolës, Prenit e Memës se oborret e Markalleshëve janë përplot trashëgimtarë që po rriten së bashku me Kaltërinën. (S. C.)