Kolë Ndrecë Mirdita (9.2.1976 - 9.7.1998)

Kolë Ndrecë Mirdita (9.2.1976 – 9.7.1998)

“Prej Ranocit t’Lugut t’Drinit

Ra një trim i Dukagjinit.

N’Rrasë të Zogut ra në prita

Dëshmor kombi, sot, Kolë Mirdita”

(rapsodi për Kolë Ranocin)

Familjet patriotike, që prej të parëve e trashëguan atdhetarinë, gjatë stuhive mbi trojet e këtij kombi, të shkelur me shekuj, u përpoqën që t’i ruajnë kultet e të parëve dhe këto t’ua lënë trashëgim brezave edhe kur mund të fikeshin, por vetëm e vetëm që të mos koriteshin, andaj edhe në historinë tonë kombëtare pothuajse asgjë nuk rodhi rastësisht. Edhe familja e Ndrecë Mirditës nga Ranoci i Lugut të Drinit, trimërinë e kishte trashëguar prej të parëve trima, varret e të cilëve mbetën aty ku i kishin istikamet, sepse “Në çdo luftë ishin m’su me u vra Herë me turk e herë me shkja”.

Pra, të parët, Kola i kishte luftëtarë të dalluar në beteja për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, për çka edhe ranë në altarin e lirisë, të cilëve mbetën aty ku i kishin istikamet, sepse “Në çdo luftë ishin m’su me u vra Herë me turk e herë me shkja”.

Pra, të parët, Kola i kishte luftëtarë të dalluar në beteja për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, për çka edhe ranë në altarin e lirisë, duke u përjetësuar në lapidare e në rapsoditë për mirditasit trima, anembanë trojeve etnike. Të gjitha ishin trishtim e tmerr dhe mbetën simbole guximi e trimërie, panteon i heroizmit kombëtar në beteja shekullore, kundër hordhive turke e serbomalazeze të formësuara si banda serboçetnike.

Kështu, i ati i Kolës, Ndrecë Mirdita, trashëgoi burrërinë dhe trimërinë e të parëve Kolë e Prenk Mirdita, me veprat e të cilëve do t’i nërgojë e do t’i rrisë të bijtë: Vilsonin, Niksonin, Rrushën, Lushën, Grishën, Vjollcën, Prenën dhe Kolën, e ky do të hapërojë kah liria e Kosovës për t’u murosur në themelet e shtetësisë së Kosovës, duke u radhitur nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në radhët e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Dhe për këtë nuk pendohet as xha Ndreca, e as nëna Dranë, bijë e [akajve të Ranocit, e cila i kishte lënë në altarin e lirisë edhe të parët, si Pjetër [akun, e vrarë e të masakruar në “Sheshin e Gjakut”, në Burim, në acarin e 7 janarit të vitit 1945. Dhe sërish, më 9 korrik të vitit 1998, i hapet edhe një plagë në zemër, të cilën e shëron, në këto vitet e moshuara, me krenarinë për Kolën e mbetur “n’ato male e thepa ku bora e zë borën” e ku ndahej vëllai prej vëllait. Dhe kështu, ajo end kujtimet për Kolën – sugar, eshtrat e të cilit i kërkonte Ndreca, bash si Hysen Smajli i baladave tona, për Mic Sokolin dhe Smajl Hysenin, e Ndrecës i printe Nikë Frroku, famull i familjes, shok i Kolës, e i Pal Mirditës, luftëtarë të shquar.

Luftëtari i lirisë Kolë Ndrecë Mirdita, sot dëshmor i kombit, është i lindur më 9 shkurt të vitit 1976, në fshatin Ranoc të Lugut të Drinit, famullia e Zllakuqanit, komuna e Klinës.

Në vendlindjen piktoreske të Dukagjinit Verior, Kola fëmijëroi me tërë çapkënllëkun që kishte prej natyre, prandaj prindërit ishin mësuar me temperamentin që manifestonte, më i gjallë e më i rrëmbyeshëm se Vilsoni e Niksoni, që kërkonin dije në universitetet botërore për ta lënë Kolën me pushkë në dorë. I interesonte çdo skutë e vendlindjes, veçanërisht gjenealogjia e familjes. Në fëmijëri ishte shumë kureshtar, por edhe besnik, Ranocit”. Pas mbarimit të fillores, shkollën e mesme e filloi në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, në kushtet shumë të vështira, por këtu, duke u bashkuar me shumë shokë të idealit, në këtë çerdhe patriotike – arsimore, kuptoi edhe më thellë “pelimin e jetës nën robëri”. Organet e sigurimit serb i bien në gjurmë dhe e ndjekin duke e kërkuar për biseda informative, veçanërisht policët Lakiq dhe Çulafiq, e Kolë Mirdita nuk bjen në dorë, dhe kështu, i ndjekur arrin ta përfundojë shkollën e mesme, drejtimi teknik, dega e makinerisë. Vendoset në fshat, i ndihmon të et në punët bujqësore e blegtorale dhe ushtron zejen e mekanikut për makinat bujqësore në punëtorinë e Dedë Përgjokës, në fshatin Pataqan, ku bjen në kontakt me organet e lëvizjes që asokohe forcuan aktivitetin në fshatrat që lidheshin me Drenicën, Shqiponjën e Gllogjanin, veçanërisht me luftëtarët: Alush Agushi, Arben Haliti, Fadil Agushi, Anton Kita e Pal Mirdita.

Mirëpo, Kola i cili tashmë i kishte edhe më të qarta planet serbe, vëhet në krye të organizimit të manifestimeve për mbështetjen e shkollës shqipe dhe të luftës kundër çdo forme të dhunës serbe në procesin e asimilimit kombëtar. Çdo aksion dhe organizim përfundonte me sukses, ndërsa Kolë Mirdita rritej me krenarinë rinore për argat që i bënte çështjes kombëtare. Meqë kishte kulturë të gjerë të të shprehurit me shkrim, harton te trakte e shkrime me mesazhe kushtrimtare dhe ndikonte në zgjerimin e grupeve rinore nëpër fshatrat e Dukagjinit Verior e të Anadrinit. Vepronte në Zllakuqan, në radhë të parë, e pastaj në fshatrat: Ranoc, Leskoc, Krushevë, Budisalc, Kosh, Radulloc, Bërkovë e Gjurgjevik të Vogël, ku njihej si udhërrëfyes e fanar kah liria dhe kështu formon edhe çerdhet organizative për rezistencë të armatosur. Ishte konspirativ, operativ dhe kooperativ me shokët e organizimit. Me këtë përgatitje morale dhe profesionale, Kolë Mirditën e gjeti formimi i celulave të para të Ushtrisë Çlirmitare të Kosovës në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit.

E frymëzonte lufta dhe rezistenca heroike e komandantëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha e Adrian Krasniqit, shtënia mbi mësuesin Halit Geci, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Beteja e Gllogjanit më 24 mars 1998, çka shihet edhe nga fragmentet e mbetura nëpër margjinat e librave që lexonte dhe nga dëshmitë e bashkëluftëtarëve të cilët i përjetuan, por edhe i mbijetuan ngjarjet nga “Pranverat e Përgjakshme” të Kosovës Martire.

Me të marrë lajmin se luftëtarët e lirisë mblidheshin përreth Zeneljave, Brahimajve dhe Agushëve në Shqiponjë (ish – Jabllanicë), Kola ngarend që t’u bashkohet shtyllave të rezistencës kombëtare të Rrafshit të Dukagjinit dhe gjendet përkrah Alush Agushit e Xhelal Hajdës, së bashku me Pal Mirditën, Nikë Frrokun e Simon Rrapin.

Më 20 maj të vitit 1998, nën komandën e Fadil Nimanit – Tigrit, e të Xhelal Hajdës – Tonit, sulmohen forcat ushtarake serbe te “Diga e Radoniqit” dhe shquhet Kolë Mirdita, si në frontet: Sukë e Cërmjanit, Grabanicë, Këpuz e Çeskovë, ashtu edhe në tërheqjen e të plagosurve.

Forcat serbe thyhen dhe thërmohen nëpër fshatrat e Lugut të Drinit, ndërsa Mirditët: Kola e Pali, vazhdojnë me aksionet deri në Ozdrim, duke bashkëvepruar me luftëtarët e komapnisë së Thanës (ish – Drenocit të Klinës) nën komandën e Alush Agushit – Malës, i cili e donte dhe çmonte shumë Kolë Mirditën dhe Anton Kitën si shokë të idealit me të vëllamë, Jakup Agushi, sot dëshmor i kombit, në njësitin 192. Në vistrin e aksioneve të Kolë Mirditës shkëlqen aksioni për shkatërrimin e kolonës së forcave serbe që lëvizte në drejtim të Shqiponjës e në krye të kolonës gjendeshim Kisiqët e Patërqit të Ulët, të njohur si kriminelë, por edhe si humbës e dështakë, për të cilët Mirditët ishin tmerr – panik.

Pas këtyre aktiviteteve, Kola detyrohet që të riarmatoset prandaj vëhet në krye të shokëve dhe merr rrugë për në Shqipëri, më 28 qershor të vitit 1998. Së bashku me Kolën, nisen edhe Pal Mirdita e Nikë Frroku i Koshit të Lugut të Drinit dhe shumë luftëtarë nga Ozdrimi, Buroja, Vojniku, Llausha, Jashanica, Padalishta, Klina, Ujmiri e Malisheva. Nën përcjelljen e Grupit “Shqiponjat e Zeza”, grupi i Kolës thyen Bjeshkët e Junikut. Kola edhe këtu vepron në shpëtimin e popullatës civile, duke i ndihmuar për depërtim kah Jasiqi, “Livadhi i Madh”, e Hoxhaj të Tropojës.

Pas dy javësh riarmatoset grupi i Kolë Mirditës dhe fillojnë përpjekjet për thyerjen e kufirit dhe depërtim në Kosovë. Forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe e kishin mbuluar Junikun, të cilin e mbronte Bekim Berisha – Abeja me Bedri Shalën, sot dëshmorë të kombit, por malet përreth Jasiqit, përveç granatimeve, ndriçoheshin me predha ndriçuese dhe as kjo nuk i ndalte luftëtarët e lirisë. Me të shpërthyer në Jasiq, konstatohet se mungonin vetëm dy luftëtarë: Sahit Elezi e Kolë Mirdita. Pararoja kthehet prapa për t’i kërkuar, por Sahiti gjendet i plagosur kurse për Kolën, as gjurmë as zë. Predhat serbe e kishin goditur në gjoks, por “Anteu i Lugut të Drinit”, për të shpëtuar del nga shtegu dhe përjetësohet nën hije lisash të Alpeve Shqiptare dhe aty në orët e hershme të mëngjesit, zbrazet thesi i ëndërrave dhe shpresave të Kolë Mirditës, më 9 korrik të vitit 1998.

Dhe pas dy vitesh, mundi sizifian i familjarëve Mirdita nga Ranoci pushoi me marrjen e lajmit se eshtrat e Kolës së rënë në altarin e lirisë u gjetën në “Rrasa të Zogut”. I zbuloi dhe i solli bashkëluftëtari Nikë Frroku, ndërsa më 29 shtator të vitit 2000, u organizua ceremonialim madhështor në tërë komunën e Klinës për t’i vendosur eshtrat e Kolë Mirditës nën hijet e lisave e në Varrezat e Ranocit. Atë ditë çdo valvulë frymoi me të veten; mesha, liturgjia, Trupat e Mbrojtjes të Kosovës, familjarët e dëshmorëve dhe bacë Rifat Jashari. Rapsodët kënduan për lavdinë e dëshmorëve, ndërsa vocërrakët recituan vargje dhe zemra e nënë Dranës mori një ritëm më harmonik kur hetoi se Kola është i Kosovës dhe i tërë Shqiptarisë, dhe se tash ka një vend ku do t’ia thotë dy fjalë – burrash Kolë Mirditës, këtij burri të burrë ruar para kohe, këtij engjëlli të Parajsës.

Portretin e dëshmorit Kolë Mirdita e skalitën bashkëqytetarët e Zllakuqanit në një lapidar, në cepin e sheshit të këtij vendbanimi, e skalitën vëllezërit Duhani, me rapsoditë e tyre; shkrimtarët Pren Buzhala e Gjon Gjergji, me shkrimet historike e me vargje, ndërsa të gjitha këto i kulmoi shkrimtari Mikel Gojani me monografinë “Kolë Ndrecë Mirdita – një jetë për lirinë”, botuar në Prishtinë më 2004. Edhe në lapidarin e Morinës, në Drenicën e Adem Jasharit, i vëlla Niksoni, ndjeu krenari me nënën Drane, kur gjeti emrin e Kolë Mirditës i cili qëndron pranë Bekim Berishës e Pal Palucës, pranë Haxhi Hotit e Leonard Palucajt, pranë Memë Lleshit e Tahir Tropojës, pranë Pren Lleshit e Ismet Kuamanovës, pranë Mark Lleshit e Indrit Kavajës, pranë Kolë Lleshit e Halit Cokës që flisnin me gjuhën e Fishtës e të Naimit. Të gjithë përreth Adem Jasharit i mblodhi donatori amerikan Benita Mares. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …