Kolonel, Arben Duka: Të mos dorëzohen armët, Shteti i kishte në depo dhe s’i ruajti dot

Kolonel, Arben Duka: Të mos dorëzohen armët, Shteti i kishte në depo dhe s’i ruajti dot

Jam absolutisht kundër thirrjes së Sajmir Tahirit për dorëzimin e armëve nga ana e popullit tek qeveria. Përse të dorëzohen armët? Që të demontohen, të shkatërrohen dhe të shiten për skrap?!

Shteti i kishte armët në depo dhe s’i ruajti dot.

Qëllimi kryesor i miqve tanë armiq ka qenë shkatërrimi i Ushtrisë Popullore dhe shkatërrimi i çdo lloj armatimi, duke filluar nga raketat e aeroplanët dhe gjer tek armët e lehta të këmbësorisë. Është fat që një pjesë e armëve të lehta të këmbësorisë si automatik, pushkë gjysmë automatike dhe mitralozë të lehtë janë në duart e popullit.

Po t’i kishte qeveria do t’i kishte shkatërruar, ose shitur badiava.

Ne jemi i vetmi shtet në planet që kemi shkatërruar me ndërgjegje armët tona, sigurinë tonë, fuqinë tonë. Në kohën time, d.m.th kur unë isha oficer i ushtrisë popullore, Shqipëria qe në gjendje që për 24 orë të ngrinte në këmbë një ushtri gjigante prej 800 mijë ushtarësh, ose thënë ndryshe 800 mijë gryka zjarri, që dhjetëfishoheshin në 300 mijë qendrat e zjarrit në çdo cep të Atdheut.

Unë kam qenë oficer i zbulimit të ushtrisë dhe kam pasur dijeni të gjithanshme për ushtritë e huaja.

Pa hyrë në shumë hollësira dhe llogari, Shqipëria zinte vendin e parë në Ballkan për fuqi zjarri në metër katror dhe njëkohësisht kishte ushtrinë më të armatosur në Ballkan e më gjerë. Borgjezia në pushtet ka 20 vjet që po punon ditë e natë dhe nuk po mbaron dot së shkatërruari predhat e artilerisë dhe fishekët e armëve të këmbësorisë.

Ideja super qesharake, se në rast se do na sulmojë dikush, do na mbrojë NATO, mund të rishikohet në situatën aktuale që po kalojmë. Është absurde të mendosh se këtu do vijnë të vriten amerikanët për ne dhe ne të rrimë të bëjmë sehir luftën nga kafenetë.

Paqja nuk mund të vazhdojë përjetësisht dhe lufta nuk vjen nga fjalët e mija, por kur shteti ynë ka mbetur pa brekë (pa armë dhe ushtri), të paktën populli duhet të jetë i armatosur.

Me këtë logjikë të legalizohen armët që njerëzit kanë nëpër duar dhe nëse ka mbetur gjëkund ndonjë tunel i Enverit i paprekur, të armatoset gjithë popullsia, sidomos ajo pjesë që banon në zonat kufitare.

Në kohën time diktatori kishte bërë depo armësh në çdo fshat, për armatosjen e forcave vullnetare që shkonin gjer në 500 mijë vetë. Parulla “gjithë populli ushtar” nuk qe parullë, por një realitet i prekshëm nga kushdo. Pse amerikanët të mbajnë armë në shtëpi dhe shqiptarët jo?

Dëmi që i është bërë mbrojtjes së Shqipërisë është katastrofik dhe i pariparueshëm. Të paktën të shpëtojmë diçka nga ajo që na ka mbetur. Të shpëtojmë armët që ka sot në dorë një pjesë e popullit.

Nuk dua të flas për shërbim të detyruar ushtarak, zbor e të tjera sepse bythëpambukët do tallen me mua. Por kur të kërcasë do jetë e pamundur të fshihen të tërë në “Bunkerartin” e Kumbaros dhe Bolinos.

Edhe kthimi i vendkomandës qendrore në një muze është një krim i rëndë shtetëror, i njëjtë me shkatërrimin e gjithë mbrojtjes sonë të pathyeshme. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …