Afganistan

Kolonel (R) Dilaver Goxhaj: Afganistani midis luftës pafund dhe dëshirës për paqe II

Veçori e re e luftës së afganëve

Lufta e sotme e Talebanëve në Afganistan ndryshon tërësisht nga luftërat e mëhershme guerile të atjeshme. Ajo është një luftë gurile zonale, pothuajse e decentralizuar. Si rrjedhojë, edhe nëse forcat e NATO-s mundin ta asgjësojnë shtabin qendror të asaj lufte, përsëri lufta guerile atje vështirë se shuhet, edhe pse zhvillohet në terrene të zhveshura. Pse? Sepse ajo luftë është një lloj lufte nacionale me frymë fetare dhe e përshtatur sipas terrenit dhe funksionimit të fesë myslimane sunit, e cila nuk është e centralizuar nga një qendër e vetme, sikundër katolicizmi. Kleriku islam është imam porsa mbaron shkollimin, pavarësisht se ka apo nuk ka xhami, dhe ai mban përgjegjësi për atë që propagandon dhe bën, por nuk i jep kujt llogari. Edhe formacionet guerile talebane zonale, duke qenë më së shumti të decentralizuara, nuk i japin kujt llogari për veprimet që bëjnë, papërgjegjshmëria e të cilave është e paimagjinueshme, kjo edhe nga që udhëhiqen dhe frymëzohen nga imami në rajonin autonom përkatës. Strategjia e guerilasve Talebanë nuk është me çdo kusht çlirimi i territorit të caktuar dhe mbajtja e tij, sikundër veprojnë forcat e NATO-s, por fitimi shpirtëror i popullsisë të atij territori dhe demoralizimi i forcave të NATO-s. Pra, një strategji krejt e ndryshme nga ajo e viteve ’80, por edhe prej konceptit të forcave të NATO-s. Duke patur parasysh këtë veçori të luftës në Afganistan, ndoshta do të ishte më e arsyeshme që komandat e forcave të NATO-s të mos synojnë të kapin e asgjësojë udhëheqjen qendrore të Talebanëve, por të përpiqen të hyjnë në kontakt të drejtpërdrejtë me këtë udhëheqje. Kjo për arsyen e thjeshtë se, duke qenë një luftë kryesisht e decentralizuar, edhe po u asgjësua udhëheqja qendrore apo një pjesë e saj, lufta guerile nuk ndërpritet. Gjithashtu, nëse asgjësohet shtabi qendror, nesër NATO-s do t’i duhet që të kontaktojë veç e veç me të gjitha komandat e forcave talebane zonale, gjë që është e pamundur.

Për të mos rënë në këtë gabim, NATO edhe mund të përdorë përvojën e luftës në Kosovë, ku menjëherë u lidh dhe bëri diplomaci ushtarake me shtabin e përgjithshëm të UÇK-së, (pavarësisht se pas lufte e mohoi UÇK-në, ndaj dhe është ajo situatë delikate sot në Kosovë). Në rast se NATO nuk do ta kish përfillur atë shtab, edhe sikur ai të eliminohej, lufta në Kosovë do të vazhdonte sot e gjithë ditën, pasi zonat operative të UÇK-së ndiheshin pothuajse relativisht të pavarura nga Shtabi i Përgjithshëm i saj.

NATO, duke përdorur atë diplomaci që përdori në Kosovë, por të shoqëruar edhe me ndërhyrje ekonomike të fuqishme dhe të drejtpërdrejtë, ku, mundësisht edhe familjarët e forcave talebane të shohin të mira materiale krahas popullsisë, vetëm kështu NATO arrin që të pengojë përhapjen e kësaj lufte në vende të tjera jashtë Afganistanit, si dhe të vendosë qetësinë në atë vend. Prandaj, paralel me këto mënyra, edhe ndaj komandantëve talebanë duhen lëshuar në distancë sinjale tolerimi.

Njohja e metodave, mentalitetit dhe e ligjeve të popullsisë vendase është fondamentale dhe e nevojshme. Po ashtu, gatishmëria nga ana e njerëzve për të rrezikuar do të thotë, p.sh, të jesh i gatshëm të hysh në tratativa direkte me eksponentë të tribuve në male, duke pranuar mbrojtjen dhe mikpritjen e tyre, të diskutosh me ta, në shtëpitë e tyre, pa eskortë, njësoj si në odat shqiptare, të hapur ndaj tradhëtive por të aftë. Në këtë mënyrë mund të fitosh besimin e afganëve dhe respektin e tyre. Komandantët e kompanive dhe të togave, kapitenët dhe togerët që do të jenë përgjegjës për këto fortesa të dislokuara në ato terrene të thella, duhet të marrin përsipër këto lloj kontaktesh dhe këto lloj rreziqesh personale. Pa asnjë dyshim, do të jenë ata që do të paguajnë shtrenjtë në disa raste çmimin e kësaj lufte dhe qëllimin e mirë të saj, duke rënë ndoshta edhe viktima të sekuestrimeve apo atentateve, por, e përsëris, do të jetë e vetmia mënyrë për të fituar pak e nga pak mundësinë e një kontakti efektiv me ata të cilët u ofrojnë mbështetje dhe mbrojtje luftëtarëve guerilas afganë, si dhe talebanëve dhe njerëzve të Alkaedës. Mendoj se kjo do të jetë e vetmia mënyrë për të bindur elementë prestigjiozë të shoqërisë tribale lokale vendase për të bashkëpunuar si të barabartë, duke i përfshirë ata në një zgjidhje paqeje dhe zhvillimi, e cila vetëm mund t‘i favorizojë, por që njëkohësisht kurrë nuk mund të anashkalohet respekti për kodet e tyre të nderit dhe sjelljes.

Arritja e këtij objektivi sot sigurisht që është më vështirë se në periudhën që na tregon togeri Masters, sepse është derdhur shumë gjak dhe shumë helm midis raporteve reciproke, sikundër ndodhi edhe me rusët. Por, në vend që të bombardosh fshatrat afgane me aeroplanë nga lartësitë mbi re, do të ishte më e drejtë të kesh kurajën për t’u ngjitur në këmbë në zonat e tyre, të trokasësh në dyert e kasolleve të tyre, të flasësh me kryetarët e fiseve si me xhentëlmenë arkaikë, dhe të mos i trajtosh si terroristë dhe banditë. Ata nuk kanë as edhe një motiv për të mbështetur çështjen e Bin Ladenit ose të Telebanëve, ose të çdo kujt tjetër që ushqen një projekt të konfliktit global, por ata kanë një ligj të pashkruar por tepër të zbatueshëm, që duhet respektuar edhe pse neve na duket absurd, për të cilin ata janë të gatshëm të vrasin dhe të vriten. Dhe përveç kësaj, oficerët, politikanët dhe diplomatët e forcave të Aleancës duhet të njohin mirë edhe filozofinë islame, në të kundërt do të jenë tepër artificialë dhe do të dështojnë edhe në diplomaci.

A mund të kombinohet aksioni ushtarak me angazhimin politik, ekonomik dhe diplomatik?

Këtu mendoj se duhet të ndryshojë një nga strategjitë e NATO-s në Afganistan. Aktualisht në Afganistan ekzistojë katër lloj ushtrish, thënë ndryshe forca të armatosura. Dhe ato janë: Forcat e NATO-s dhe Ushtria Afgane, të cilat janë në bashkëveprim me njëra tjetrën dhe përbëjnë një palë, madje Ushtria Afgane komandohet nga ajo e NATO-s. Në anën tjetër kemi forcat e Talebanëve që janë kundërshtarët kryesorë të dy ushtrive të mësipërme, pasi janë ato që i rrëzuan nga pushteti. Aktualisht Talebanët i kanë sfiduar forcat e Aleancës, duke marrë nën kontroll edhe periferitë e qyteteve. Forca e katërt e armatosur kundër dy të parave janë ato të ashtuquajturve “Baronët (lordët) e luftës (ose drogës)”. Kjo e fundit është një lloj ushtrie e cila mbron nga ushtria e NATO-s dhe ajo Afgane parcelat e mbjella me opium të fshatarësisë afgane, ia blen asaj opiumin si dhe siguron transportin e tij deri në pikat e nxjerrjes jashtë Afganistanit. Njëkohësisht forcat e baronëve të luftës bashkëveprojnë me ato të Talebanëve për sigurimin e transportit të opiumit nga zona në zonë, deri sa e nxjerrin në destinacion, si dhe kur  këto ndeshen me dy të parat, por asnjëra prej tyre nuk varet nga tjetra. Për sigurimin e rrugëkalimit të opiumit, Baronët i shpërblejnë komandantët e talebanëve me financa jo të pakta, përveç atyre që ata marrin nga Alkaeda përmes qendrës së tyre shpirtërore.

Gjithashtu duhet patur parasysh se forcat e baronëve të opiumit nuk varen nga ajo që mund të quhet udhëheqja qendrore e rezistencës së Talebanëve, por as edhe nga Alkaeda, ata nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, pasi janë në konkurrencë për zgjerim territori midis tyre, dhe kjo pikë e dobët e tyre duhet gjetur mënyra si të shfrytëzohet. Forca e baronëve dhe e personave të armatosur të tyre, qëndron në atë se përmes tregtimit të opiumit, sigurojnë financa të fuqishme, dhe përmes tyre realizojnë besimin dhe nënshtrimin e fshatarëve që kultivojnë opiumin, pasi ua blejnë atë drejtpërsëdrejti me para në dorë.

Cila mund të jetë strategjia e re?

E përmblodhëm këtë informacion për ta bërë më të qartë sugjerimin për një strategji të re të mundshme të NATO-s, dhe konkretisht: Krahas luftës me armë kundër forcave talebane dhe të “baronëve të luftës”, duhet zhvillimi i një politike ekonomike dhe diplomacie ushtarake në përputhje me traditat dhe zakonet “arkaike”. Ndoshta kjo përbën një aspekt të ri dhe të papraktikuar nga ushtarakët tanë dhe shumica e atyre të NATO-s. Aleanca duhet të mendojë se si të shkëputë fshatarësinë afgane nga ndikimi i “baronëve të luftës” dhe i komandantëve Talebanë të zonave. Kjo mund të realizohet duke u futur në veprim përfaqësuesit e OKB-së, duke përdorur politikën ekonomike dhe diplomacinë ushtarake, duke ia blerë prodhimet bujqësore dhe opiumin fshatarësisë drejtpërsëdrejti me para në dorë, përmes kryetarëve të fiseve, si dhe me talebanët  në zonat e kontrolluara prej tyre, duke dhënë kredi për shtimin e prodhimeve bujqësore dhe investime të tjera. Opiumi i blerë le t’i jepet industrisë farmaceutike, gjë që financat mund të zëvendësohen. Duke u harmonizuar të tre strategjitë (ushtarake, diplomatike dhe ajo e politikës ekonomike) në një mënyrë të tillë që të mos synojnë në zhdukjen e talebanëve dhe të mbështetësve të tyre, por në kultivimin tek ata të sa më shumë virtyteve, fitorja do të jetë më e shpejtë sesa mendohet.

Që të realizohet kjo strategji, duhet, së pari të bëhet e pamundura, që të mund të kontaktohet me pleqësitë e fiseve si dhe me autoritetet Talebane (atje ku ato sundojnë), me të drejtën për të bërë takime për marrëveshje, si i barabarti me të barabartin, ndryshe ajo luftë do të zgjasë. Forcat “NICHE”, të ngjashme me forcat speciale amerikane, porsa të kapin një pikë të përparuar, menjëherë duhet t’u hapin rrugën përfaqësuesve të OKB-së të ndërmarrin veprime të politikës ekonomike, pasi kontributet e anëtarëve të Aleancës nuk janë dhe nuk duhet të jenë vetëm kapacitete ushtarake.

Në 28 janar 2010, në Londër u zhvillua një mbledhje e posaçme për situatën në Afganistan, ku morën pjesë 60 vende. Veç të tjerave, atje u vendos që t’i jepen Qeverisë Afgane 140 milionë Euro, që t’i përdorë “për të blerë Talebanët e moderuar”12) Kjo do të thotë: Të luftohet korrupsioni me korrupsion! Kësaj i thonë t’i  varësh ujkut mëlçitë në qafë. Po a është Departamenti Amerikan që ka dhënë alarmin për korrupsionin e paimagjinueshëm për Qeverinë e Karzait?! Edhe deklarimi i qëllimit është gabim. Kjo ndihmë e madhe 140 milionëshe do të ishte më mirë të realizohej nëpërmjet përfaqësuesve të OKB-së, drejtpërsëdrejti me komandat e forcave të vendeve nga jepen ato para, duke anashkaluar jo vetëm Qeverinë Afgane dhe jo për atë qëllim që u deklarua.

Një rast afërsisht të tillë kemi patur gjatë muajit janar 2010 midis forcave speciale Amerikane dhe fisit pashtun Shunvaris në Luginën Momand, duke e anashkaluar Qeverinë Afgane dhe OKB. Marrëveshja u nënshkrua nga oficerët amerikanë dhe 50 pleqve të fisit (shumica firmosën me gisht)13), në të cilën theksohet se fisi Shinvaris do të qëndrojë i bashkuar kundër të gjitha grupeve të armatosura dhe në veçanti kundër talebanëve. Në shkëmbim të kësaj marrëveshjeje, amerikanët do t’u lëvrojnë  një milionë dollarë në projekte zhvillimi që quhet “Programi për Solidaritet Kombëtar”, i cili ka fituar admirim për shkak të efiçensës së tij gjatë shpërndarjes së ndihmave(14). Këtë përvojë amerikanët e kanë praktikuar në vitin 2006 në Irak dhe pati sukses, ndërsa këtu është rasti i parë që një fis i tërë pashtun u shpall luftë talebanëve, por duhet të kihet parasysh se kemi një ndryshim në Afganistan për arsye se Talebanët në raste të tilla i kanë shpallur udhëheqësit e fiseve tradhtarë, dhe i kanë ekzekutuar dhe i kanë zëvendësuar me  luftëtarë talebanë duke krijuar një hierarki talebane. Njëkohësisht, si rasti i parë që është, duhet treguar kujdes që të realizohet e plotë, ndryshe fisi kalon me Talebanët. Jo më kot thuhet nëpër doktrinat ushtarake, se beteja e parë duhet fituar me çdo kusht. Mirëpo, duke u shmangur OKB-ja, amerikanëve u duhet të rrinë gjatë në Afganistan po vepruan gjithandej në këtë mënyrë. Po ashtu, nuk do të ishte gabim sikur në të tilla  marrëveshje të bëhet ç’është e mundur që të angazhohen edhe  komandat zonale talebane. E them këtë edhe për faktin se atje ka 30 vjet që po luftohet, si rrjedhojë shumë shoqëri tradicionale në këtë vend janë dobësuar ose janë shkatërruar, në shumë rajone talebanët janë bërë më të fortë se fiset, duke sfiduar kështu forcat amerikane dhe Qeverinë Afgane.

Bazuar nga kjo nismë amerikane, harxhimi i shumës 140 milionëshe duhet të konsistojë jo me para kesh në dorë, (përjashtuar blerjet e opiumit), por kryesisht me farëra bujqësore dhe blegtori, ngritje qendrash grumbullimi e përpunimi të prodhimeve bujqësore e blegtorale, me ndërmjetësinë direkte ose indirekte të komandave talebane, në prezencën e OKB-së, pasi është misioni i saj lufta kundër varfërisë dhe zhvillimi. Edhe ndihmat mjekësore, ngritja e shkollave si dhe asetet e tjera civile do të ishte më dobiprurëse që të kryheshin nga personel me uniformë ushtarake, në praninë e përfaqësuesve të OKB-së, kryetarëve të fiseve dhe komandantëve talebanë të zonave përkatëse, pasi OKB-ja do të jetë ajo që do qëndrojë pas tërheqjes së forcave të Aleancës.

Cilat do të ishin rezultatet e kësaj strategjie?

Në rast se vihet në zbatim një politikë ekonomike dhe diplomaci e tillë, arrijmë; së pari, eliminimin e baronëve si klasë; së dyti, eliminohet “ushtria” e baronëve të luftës, pra kemi një ushtri më pak, dhe, së treti, fillon e zbutet gradualisht armiqësia e fshatarësisë ndaj forcave të NATO-s dhe ushtrisë Afgane, pasi do të jenë komandantët dhe oficerët e tyre ata që do të ekzekutojnë blerjet e prodhimeve të reja bujqësore dhe hashashit, në kontakt të drejtpërdrejtë me fshatarësinë dhe kryetarët e fiseve. Po bëre për vete kryetarët e fiseve ke bërë për vete tërë fisin. Këtu do të fillojë kthesa e të menduarit pozitivisht nga fshatarët afganë për forcat shumëkombëshe, pasi fshatarësia kur ta shohë se janë këta që do t’ia blejnë prodhimin, natyrshëm që do të kërkojnë edhe të mbrohen prej tyre, kur komandantët talebanë apo Lordët lokalë do t’i kërcënojnë. Në momentin që popullsia e këtyre fshatrave do të fillojë të kërkojë ndihmën e forcave shumëkombëshe, nga ky moment NATO ka filluar të shndërrohet për afganët në ushtri çlirimtare. Me t’u arritur ky moment, fundi i luftës do të shihet qartë. Në rast se angazhimi në Afganistan do të përfundojë i tillë, ai do të jetë një prezantim që do të sigurojë panoramën për vlerësimin strategjik të së ardhmes së NATO-s, dhe një mirëkuptim të aplikimeve koresponduese ushtarake të saj. Një gjë e tillë do t’i kapërcejë kufijtë tradicionalë të mëparshëm të Aleancës, duke kaluar sa nga niveli politik në atë ushtarak, e anasjelltas.

Së katërti, duke shmangur qeveritarët lokalë afganë, fillon e zbutet epidemia e korrupsionit galopant që ekziston atje. Së pesti, komandantëve lokalë u ke eliminuar një rrugë financimi që e marrin prej Lordëve. Paratë në dorë do t’i marrin drejtpërsëdrejti fshatarët.  Kjo politikë ekonomike ushtarake do të fillojnë të sjellë reduktimin e urrejtjes dhe aksionet luftarake e aktet terroriste nga talebanët, si dhe do të bëhen më shumë të dëgjueshëm ndaj drejtimit qendror. Në këtë mënyrë drejtimi qendror do të fillojë të ketë më shumë autoritet ndaj komandantëve zonalë të talebanëve, dhe në momentin që ne hyjmë në bisedime me këto autoritete, ndikimi i tyre te komandantët zonalë do të ketë më shumë gjasa. Së gjashti, duke ua blerë OKB-ja opiumin dhe prodhimet e tjera, (fjala është për këtë sasi parash që u vendos në Londër), do të bjerë në mënyrë të ndjeshme eksportimi i drogës në Evropë, ku 90% e drogës vjen nga Afganistani(15), gjë që do të na sjelli edhe rënien e këtij lloj trafiku të rrezikshëm si në Ballkan ashtu edhe në Evropën Perëndimorë.

Drejtuesit kryesorë të rezistencës talebane, duke e parë se do fillojë të bjerë mbështetja aktuale e fshatarësisë afgane ndaj tyre, (si në rastin e fisit Shinvaris), pasi fshatarësisë nuk do t’i shkojë më ushtria e NATO-s apo ajo Afgane që t’i prishë të mbjellat me opiumin, nuk përjashtohet mundësia që komandantët talebanë të urdhërojnë t’u prishin të mbjellat me farërat e dhëna dhe ato me opium. Po qe se talebanët bien në këtë kurth, gjë që vështirë se ndodh, atëherë fitorja e NATO-s është e shpejtë dhe e sigurtë, pasi fshatarësia jo vetëm që do të jetë tërësisht me ata, por do të fillojë të kërkojë edhe mbrojtjen e NATO-s e të ushtrisë vendase. Në të tilla kushte do të jenë vetë drejtuesit kryesorë të forcave të ndryshme Talebane që do të nisin emisarët e vetë, për të kërkuar uljen në tavolinën e bisedimeve, sikundër edhe ndodhi në 8 janar 2010.

Po, a mund të pranojnë drejtuesit kryesorë të talebanëve të ulen në bisedime?

Në Mbledhjen e Londrës më 28 janar 2010, krahas rënies dakord për dhënien nga Fuqitë e Mëdha të 140 milion Eurove, u pranua kërkesa e Presidentit Hamid Karzai që të nisë një proces bisedimesh midis Qeverisë së Karzait dheTalebanëve, i quajtur Këshilli për Paqe (Loya Jirga), ku si ndërmjetës të jetë Arabia Saudite, i vetmi vend arab që Talebanët i besojnë. Mirëpo në këtë Jirga amerikanët dhe aleatët e tyre në Afganistan deklaruan se nuk do të marrin pjesë, duke u justifikuar se kjo është detyrë e vet Afganistanit. Nga ana tjetër Karzai ka vendosur kushtin që në këtë Jirgë të vinë vetëm ata talebanë që nuk bashkëpunojnë me Alkaedën dhe të moderuarit. Duke qenë kështu, përfaqësuesi i Udhëheqjes Talebane këtë nismë me të drejtë e quajti thjesht një propagandë, pasi ajo udhëheqje ka kërkuar vetë dhe ka realizuar një takim me të Dërguarin Special të OKB në Afganistan, Kai Eide, dhe takimi është realizuar në 8 janar 2010 në Dubai, gjë që tregon se ata janë të gatshëm të ulen në bisedime. Po në rast se ato 140 milionë dollarët do të përdoren sikundër kanë filluar të veprojnë amerikanët, a nuk do të jetë një garanci më shumë për Talebanët që të ulen në bisedime? Mosmpjesmarrja e Amerikanëve në këtë Jirgë nuk u jep garanci Talebanëve, prandaj domosdoshmërish duhet të marrë pjesë OKB. Kush do t’i garantojë talebanët nëse dorëzojnë armët dhe nuk do të arrestohen nga trupat e NATO-s, por edhe nga Qeveria Afgane, kur dihet që Talebanët e luftojnë NATO-n si pushtues që u hoqën pushtetin dhe ia dhanë Karzait, dhe me forcën e tyre ai qëndron në pushtet? Në rast se do të veprohet kështu me 140 milionëshin e dollarëve dhe nëse në Jirgë-n që propozohet do të marrin pjesë amerikanët dhe të tjerë, në këto kushte do të kemi shpresë për mirëkuptim dhe paqe.

Nëse zhvillohet në këtë mënyrë Jirga, më e pranueshme do të ishte  një bashkëqeverisje Talebanë-Qeveri, të paktën në zonat që kontrollohen nga Talebanët. Çdo lloj oferte tjetër për paqe si kjo që kërkon Karzai, e cila u kërkon Afganëve të njohin Qeverinë e tij dhe të dorëzojnë armët, do të thotë të pranojnë një kapitullim pa kushte. Një politikë dhe një diplomaci e tillë ushtarake nuk më duket as mua serioze dhe jo më atyre që janë duke luftuar në malet e Vaziristanit e gjetkë. Këtë mendim timin e mbështes në deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Francës, z. Bernard Kushner, bërë në Mbledhjen e lartpërmendur të Londrës, i cili tha: “Zgjidhja e një konflikti kalon gjithnjë përmes një dialogu me armikun. Nuk ka dialog vetëm në rastet kur njëra palë arrin të triumfojë, ndërsa këtu duket që askush nuk po triumfon.”16) Po kështu shprehet dikur edhe Moshe Dajan: “Nëse dëshiron paqe mos fol me miqtë e tu, por me armiqtë e t’u”.

Dy fjalë për ofensivën e 13 shkurtit 2010

Ofensiva e forcave të SHBA dhe të Aleancës që ka filluar kundër forcave Talebane në 13 shkurt 2010 për marrjen nën kontroll të qytetit Marzha, në provincën Helmand, ëshë identike si ofensiva e ndërmarrë po nga kërto forca në 11 nëntor të vitit 2001 për të marrë qytetin Mazar e-Sharif. Talebanët atwherw rezistuan në qytet deri sa e panë se nuk mund të rezistonin më tej dhe urdhëruan abandonimin e pozicioneve, u shpërndanë në zonat rurale dhe më pas u rigrupuan. Dhe, me të rimarrë veten, talebanët aplikuan një strategji të re: tërhiqu, rigrupou dhe zhvillo luftë gurtile të planifikuar. Në këtë mënyrë vepruan muxhahedinët edhe me sovjetikët.

Kjo lloj stategjie e afganëve tregon se  atje qytetet janë çmimi që duhet të fitohen pas luftës. Qytetet atje nuk përbëjnë qëllim për të fituar luftën. Luftrat në Afganistan fitohen dhe humben në zonat rurale, në male. Mbjatja e qyteteve atje nuk tregon fitoren e luftës; vetëm mbajtaja e zonave rurale e fiton luftën e atjeshme. Ky ishte gabimi strategjik që bënë sovjetikët, të cilët rrethuan dhe  mbajtën qytetet e atjeshme për të zbuluar aftësinë e afganëve për luftë. Ishte vonë kur sovjetëikët zbuluan se ndodheshin të rrethuar në qytete me një popullsi që duhej ta ushqenin. Armiqtë e tyre, muxhahedinët, mundën të mbijetonin pafundësisht jashtë qyteteve dhe në mënyrë të ngadaltë mundën t’i gjakosnin sovjetikët deri në vdekje, të cilët nuk iu afruan kurrë fitores së luftës. Vetëm pasi i mundën sovjetikët dhe fituan luftën civile, vetëm atëherë talebanët i muarrën qytetet. Pikpamja talebane është se ata nuk mund t’i mbajnë qytetet; më së shumti ata mund ta detyrojnë kundërshtarin të bëjë një luftë urbane, duke e detyruar atë të angazhojë të gjitha forcat e tij për të eleminuar forcat talebane të angazhuara në qytet, dhe aktualisht kemi 15 mijë forca të Aleancës me dymijë forca talebane. Talebanët ndjekin këtë strategji, pasi kanë përvojën se mbajtja e qytetit nuk i ndihmon ata të fitojnë luftën. Këtë përfundim ata e kanë nxjerrë si nga lufta me Britaninë, e cila dështoi në Afganistan në shekullin e XIX, kur ishte perandori; me perandorinë Sovjetike në shekullin e XX dhe po e zbatojnë në shekullin e 21 me SHBA. Çelsi i fitores në Afganistan është zotërimi i zonave rurale.

Pra, talebanët nuk i kanë vënë vetes qëllim që ta mbajnë me çdo kusht qytetin Marzha. Në momentin kur ata do të përballen me një siytuataë që nuk mund të rezistojnë më, do të kalojnë në strategjinë që përmendëm. Sigurisht, njësoj si me sovjetikët, shumë talebanë do të vriten, shumë do të dorzohen dhe shumë do zhduken, por ata nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi janë duke zhvilluar njëkohësishtë dy lloj luftrash: luftë civile dhe luftë ndërkombëtare. Dhe, e vetmia strategji fituese për ta është: tërhiqu, shpërndau, rigrupou dhe ndërmerr luftë guerile, pavarësisht se u merr kohë të gjatë.

Nuk duhet të harrojmë edhe një fakt tjetër: sovjetikët angazhuan në Afganistan 300 mijë ushtarë dhe nuk e fituan luftën; ndërsa SHBA dhe tërë Aleanca ka 150 mijë trupa dhe jo të gjithë ushtarë të aftë për luftë; ndër kohë që talebanët janë po ata ushtarë që kanë luftuar edhe kundët sovjetikëve, ndërsa ushtarët e NATO-s që po luftojnë sot në qytetin Marzha shumica dërmuese e tyre nuk janë ata që luftuan në vitin 2001.

Përfundime

“Afganët janë një popull i pavarur. Ata respektojnë traditën, por i urrejnë rregullat. Anglezët e kishin mësuar këtë qysh në fillim të shekullit, rusët do ta mësonin në fund të viteve ’80. Rregullat janë të thjeshta: Asnjë rregull. Dhe kjo nuk është rregull, është traditë”. Khaled Hosseini

Analiza dhe sugjerimet e mësipërme janë bazuar kryesisht mbi ngjarjet luftarake që kanë ndodhur dhe po ndodhin aktualisht në Afganistan, por historia tregon se lufta përfundon kur forcat, që kanë ardhur për të luftuar, tërhiqen. Lufta në Afganistan po hyn në vitin e 9-të të saj, gjë që tregon se Aleanca Shumëkombëshe nuk ka patur një strategji daljeje nga kjo luftë. Në çdo lloj sulmi, të çdo niveli, para se ta realizosh atë, duhet të mendosh edhe daljen prej tij. Nëse koalicioni i Aleancës nuk e ka planin e daljes, duhet ta hartojë. Natyrisht që instancat e larta politike e ushtarake të NATO-s e kanë në konsideratë këtë çështje, por nuk guxojnë të tërhiqen, pasi mendojnë se vihet në pikëpyetje ekzistenca e mëtejshme e Aleancës, dhe natyrshëm, forcat Telebane do të deklaronin se e fituan luftën me SHBA, sikundër u deklarua në fund të viteve ’80 nga muxhahedinët kundër ish Bashkimit Sovjetik. Kjo është ajo që e bën problemin shumë të komplikuar. Mirëpo përgjithësisht gjërat janë më të thjeshta nga  sa duken.

Problemi mendoj se është fare i thjeshtë: Forcat shumëkombëshe dhe NATO hynë në Afganistan me vendim të OKB për të realizuar tre detyra:

Të shkatërronin atje bazat e Alkaedës, e cila bëri 11 Shtatorin;

Të largonte nga pushteti Talebanët, të cilët fshihnin Alkaedën dhe bazat e saj atje;

Të vendosnin një qeveri demokratike properëndimore, si dhe të ngrihej një ushtri dhe polici e rregullt.

Aktualisht koalicioni ushtarak ndërkombëtar i ka realizuar të tre këto detyra. Ky koalicion nuk kishte dhe nuk ka detyrë të rindërtojë Afganistanin, kjo i takon OKB-së, e cila nuk duhet të heq dorë nga strategjia që sugjeruam më lat. Në këto kushte NATO do të ishte e arsyeshme të planifikojë strategjinë e tërheqjes prej Afganistanit.  Ndalimi i luftës nuk ka nevojë për shumë argumente, argumentet nevojiten për shpërthimin e saj. Nëse lufta do të vazhdojë, ajo do ta ashpërsonte edhe më tej luftën civile atje.

Nëse Aleanca do të vijojë luftën me Talebanët, (gjë që fiset malore afgane këtë kërkojnë, pasi “tmerret e jetës, sikundër thotë Balzaku, s’e trembin dot një shpirt të mësuar me tmerret e vdekjes”), do të vijë një moment jo i largët që NATO do detyrohet të ulet në tavolinën e bisedimeve me Talebanët. Nëse ndodh kjo, të detyruar nga armiku i tashëm, ajo ditë do të jetë edhe fundi i ekzistencës së Aleancës. Jo më kot Stacioni Televiziv Gjerman “Alfa”, emisionin për luftën në Afganistan e emërton: “Afganistani – varreza e superfuqive.”17).

Historia e koalicioneve na tregon se pas luftërave me Napoleonin, erdhi Kongresi i Vjenës; pas Luftës së Parë Botërore lindi Lidhja e Kombeve; pas Luftës së Dytë Botërore lindi OKB; pas Luftës së Ftohtë doli Rregulli i Ri Botëror. Në secilën nga këto luftëra një koalicion ka mundur një armik dhe dihet që koalicionet bëhen së bashku për të mundur armikun. Edhe paslufta e koalicionit të Aleancës që po vepron në Afganistan, i cili ndeshet me një armik të padukshëm, do të na sjellë ndoshta ndryshimin e misionit të NATO-s.

Shënim: Autori i këtij shkrimi ka qenë anëtar i SHP të UÇK-së dhe oficeri i bashkëveprimit midis saj dhe aviacionit të NATO-s që vepronte në Kosovë, në periudhën e luftës 78 ditore Mars – Qershor 1999.

 

 

 

Referencat:

 

) Karle-Heinz Kamp, “The way of a NATO’s new Strategic Concept”, 2009, botuar edhe në “Revista Ushtarake”, nr.3/2009, f.280

 

2) Shkrimtar afgan, autori i librit  “Gjuetari i balonave” (The Kite Runner)

 

3) Për njohuri të hollësishme rreth kapaciteteve “NICHE”, lexo Revista Ushtarake nr.1/2009, shkrimin e autorit Thimi Hudhra

 

4) Xhon Masters, “Bulges and a Tiger”, Londër, 1955

 

5) Trasmetim direkt nga  RAI Due, datë 02.01.2010, ora 20.30

 

6) Trasmetim TV “Top Chanal”  dhe Rai Due, date 18.01.2010

 

7) Xhon Masters, po aty

 

8) Kanuni i Lek Dukagjinit, neni 97

 

9) Kanuni i Lek Dukagjinit, neni 207

 

10) Xhon Masters, vepër e cituar

 

11) Kanuni i Labërisë, neni 45

 

12) Agjensia ANSA, Romë, 28.01.2010

 

13) Kjo tregon analfabetizmin e thellë, por mos të ngatërohet me inteligjencen e lartë të tyre

 

14) Alissa J. Rubin dhe Sangar Brahimi, gazeta New York Times, 27.01.2010

 

15) Agjensia ANSA, dt. 12.02.2010

 

16) Agjensia ANSA, Romë, 28.01.2010

 

17) STV “Alfa”, Gjermani, datë 30.01.2010, ora 20.00

 

 

 

Bibliografia:

 

NATO  Handbook, Brussels, 1999.

Karle-Heinz Kamp, “The Way of a NATO’s New Strategic Concept”, 2009.

Khaled Hosseini: “Gjuetari i balonave” (The Kite Runner), Tiranë, 2007.

Revista Ushtarake nr.1/2009, nr.2/2009, nr.3/2009, organ shkencor i KDS.

Xhon Masters, “Bulges and a Tiger”, Londër, 1955.

E drejta zakonore shqiptare, Kanuni i Lek Dukagjinit, Akademia e Shkencave, Tiranë 1989.

Kanuni i Labërisë, Toena, 2006.

Agjensia ANSA, Romë, 28.01.2010.

Alissa J. Rubin dhe Sangar Brahimi, gazeta New York Times, 27.01.2010.

STV “Alfa”, Gjermani, datë 30.01.2010.

Revista bimestrale “Limes”, nr. 1/ 2008, Romë.

Revista “Për mbrojtjen e atdheut”, nr.3/1987, Tiranë.

George Friedman: America’s secret wars, Great Britain, 2007.

 

 

Tiranë, shkurt 2010

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …