Kolonel, Sali Onuzi: E vërteta e Luftës së Madhe të Mushqetasë

Beteja e Mushqetasë , që u zhvillua ne kuadrin e operacionit  për çlirimin e Tiranës  gjatë Luftës së Dytë Botërore, është padyshim beteja më e madhe që  është bërë në Shqipëri aso kohe, ndofta edhe nga më të mëdhatë në Ballkan. Në atë Betejë u shkatërrua dhe gati asgjësua tërësisht grupimi i forcave gjermane “Steyrer” prej mbi 2000 vetash të nisur nga Elbasani për te goditur nga shpina forcat e UNÇSH që kishin rrethuar  kryeqytetin dhe po luftonin për çlirimin e tij. Në Mushqeta luftuan 9 batalione te  Brigadës 17, të Br.4,  Br.8 dhe te Brigadës së Parë  sulmuese.

Fitimtare dhe në përmasa të mëdha beteja e Mushqetasë, i ka bërë xheloz disa  autore  të huaj që kanë dashur  t’i japin autorësinë e tyre. Kanë  shkruar   sikur aviacioni aleat, britanik, me kërkesën e misioneve britanike ne Shqipëri, bombardoi kolonën gjermane te grupit “ Steyrer” dhe beri kërdinë mbi të. Partizanet shqiptarë, në të dy anët e rrugës  paraqiten ose si faktor i dorës së dyte ose si dekor. Këtë e ka paraqitur kështu edhe  Peter Lucas, në botimin e tij “ Misioni Amerikan në Shqipëri” ( 2008), ku shkruan se sado trima te ishin partizanët ata nuk kishin atë  fuqi zjarri për të shkaktuar kaq shumë dëme mbi gjermanët. Ishte forca ajrore Aleate që shkatërroi kolonën gjermane, ndërsa partizanët kryen ç’kishte mbetur për tu bërë në këtë operacion. Por ajo , vijon Lucas, ishte një fitore dhe Shehu ishte aq i zgjuar sa ta pretendonte si fitore të tijën dhe të partizanëve. Aleatët duket nuk kundërshtuan” ( f. 245)

Vërtetë aviacion nuk kishin, por brigadat partizane kishin artileri dhe ajo u përdor, sië do ta shohim, me efektivitet ne Mushqeta. Nga ana tjetër referenca e Lucasit tek R. Hibbert nuk është e saktë. Ky i fundit nuk ka shkruar për sulmin aleat mbi Mushqeta , por për sulmin  brenda në qytetin e Tiranës dhe  mbi rrugën Tiranë-Elbasan para datës 28 tetor 1944.( shih “ Fitorja e Hidhur..”Tiranë. 1993 fq .326  përkthyer nga Xhevat Lloshi)

Tani kohët e fundit kete meritë e kerkon per  aviacioni italian nje autor italian, Franko Benanti ne librin e tij “ Lufta ime më e gjate. 1943-l948” Ja ëfarë shkruan tekstualisht autori ne fjalë : “Kolonat gjermane  që marshonin drejt Tiranës, me të arritur në Qafën e Kërrabës, pësuan një sulm të dhunshëm ajror të realizuar, edhe pse në kushte atmosferike të stërkëqija, nga një skuadrile gjuajtësish italianë, të dërguar nga komandanti i RAF-it nënmarshalli Eliot, sipas kërkesës së Misionit Ushtarak Anglez dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Kolonat e motorizuara gjermane u dërmuan nga aviacioni italian. Gjermanët pësuan në këtë sulm 1300 të vdekur. Një pjesë e te mbijetuarve arriti të kapë Tiranën, të tjerët u sulmuan nga partizanët e brigatës së 15-të dhe u zunë robër. Për aksionin e shkëlqyeshëm skuadrilja e gjuajtësve italianë mori një lavdërim të nxehtë nga nënmarshalli Eliot.” ( f 181)Këtë  të ashtuquatjur sukses të aviacionit italian autori e permend edhe dy here te tjera në librin e tij. Dhe  po të ish i vërtetë s’do mend se meritonte edhe me shume.

Historiografia shqiptare  e ka thënë që herët se kjo betejë e madhe  e Mushqetasë, ishte vepër e brigadave te Ushtrisë Nacional Çlirimtare. E ka shkruar komandanti i Shtabit operativ për çlirimin e Tiranes, Mehmet Shehu, dhe te gjitha botimet e bera jo vetem para viteve 90 , por edhe ne shume prej atyre  të pas viteve 90. Argumenetet kane qenë e janë të tilla që nuk te lënë  vend per dyshime. Për më tepër që kanë jetuar dhe ende jetojne per fat te mire nje pjesë  e ish partizaneve që morën pjesë në këtë beteje te Madhe dhe kjo nuk mund te zhbëhet.

Megjithatë le të shohim se c’thonë vete  ushtarakët gjermanë pjesëmarrës dhe komandues ne  këtë Betejë.  Komandanti i kësaj kolone për luftimet e zhvilluara në Mushqeta, 13-15 nëntor 1944 u raportonte eprorëve të vet  si më poshtë :

 Marshimi i pararojës ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, duke kaluar në një rrugë të zjarrtë prej 6km. që rrihej me armë të rënda. Pati humbje si në pararojë, ashtu edhe ne grupin e motorizuar. Armët e tyre të rënda ishin kalkuluar me mjeshtëri…U vura në dijeni rreth orës 10.00 të datës  15 . 11.1944 se grupi i mesit dhe prapavija po luftonin me çetat partizane dhe se avancimi i mëtejshëm i këtyre forcave ishte i pa mundur. I shoqëruar nga katër tanke dhe një autoblindë, që m’u dërgua nga Tirana, shkova të kontrolloj gjendjen. Forcat kishin mbetur në vend  nga një zjarr i forcave partizane nga më të vështirët. Rruga rrihej nga të shtënat e armëve të rënda nga lartësitë dhe ishte mbuluar me automjete të shkatërruara të të gjitha llojeve, me të plagosur, të vdekur dhe ushtarakë që po vdisnin…

E njëjta gjë ishte edhe për kuajt dhe mjetet tërheqëse… Morali i trupës, duke përfshirë edhe oficerët, ishte i dyshimtë…Udhëheqësit nuk po gjenin rrugëdalje që të vazhdonin përpara…Pjesa kryesore e praparojës kishte zënë vend në oborret e fshatarëve, në banesat dhe shpellat për tu mbrojtur nga sulmet e dendura, të organizuara nga të gjitha anët. Edhe këtu automjetet e shumta dhe armët e rënda kishin mbetur plotësisht të shkatërruara në rrugë dhe nëpër hendeqe. Humbjet në ushtarë te vdekur e të plagosur dhe në kafshë e mjete tërheqëse qenë të mëdha… Shkëputja e kontaktit me armikun nuk qe e mundur me gjithë zjarrin e tankeve dhe të mjeteve të blinduara…” ( AIH, DUGJ, 27.11.1944. T. 311/184 )

Lexuesi mund të shohë vete  se në këtë raport nuk bëhet fjalë gjëkundi për avionë luftarakë që të kenë bombarduar kolonën gjermane. Bëhet fjalë, siç ka qenë, për partizanë, për armët e tyre te rënda etj etj. Avionë nuk ka në këtë raport. Edhe historiani amerikan i ditëve tona Bernd Fischer  ne librin e tij Shqipëria  gjatë luftës 1943-1945” nuk shkruan për aktivitet të aviacionit luftarak britanik kundër kolonës gjermane ne Mushqeta. Ai shkruan aty  për bombardime te aviacionit britanik në qytetin e Tiranës, ku RAF-i brenda një dite hodhi në veprim 28 avionë raketalëshues beaufighters, të cilët  i shkaktuan  dëm të madh kazermave të fortifikuara  dhe pozicioneve ushtarake që kishin ndërtuar gjermanët.( pozicionet e topave, saktëson R. Hibbert).

Është e vërtetë  kërkesa që Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i kishte bërë Misionit Ushtarak britanik për të dërguar aeroplanë luftarakë që të bombardonin e mitralonin  kolonën gjermane në rrugën Elbasan – Tiranë, por këto aeroplanë ( që tani marrim vesh se paskan qene italianë, silur shkruan F, Benanti) erdhën me 16 nëntor mbi  hapësirën e fushës se betejës, që kishte përfunduar një ditë më parë .( Historia e LANC te popullit shqiptar,v.4.Tirane,1989,f.803)

 Me 15 nëntor 1944, komandanti i Divizionit I të UNÇSH , Mehmet Shehu, personalisht ndodhej ne qytetin e Tiranës . ( Jecobs ne Raportin e tij dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit në verën e vitit 1945).Këtë e pranon edhe  Lucas :” Më 15 nëntor ai ( M. Shehu) shkoi në qendër  ku një forcë fanatike e praparojës priste partizanët.”

Ushtarakët anglezë dhe amerikane ashtu dhe aviacioni aleat kanë dhënë një  ndihmese te vyer ne Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare te popullit shqiptar. Historiografia shqiptare e dy dekadave te fundit me të drejtë  është duke e rivlerësuar këtë kontribut historik që qëndron ne themelet e Luftës së përbashkët antifashiste dhe te miqësisë mes popujve tanë. Por kjo vepër duhet ndriçuar realisht, pa mohime e  zvogëlime  si në të kaluarën, por edhe pa teprime.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …