Koloneli Çlirim Toci, përfaqësues i forcave të armatosura shqiptare, ka komentuar reagimin e Beogradit zyrtar ndaj marrëveshjes ushtarake të nënshkruar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. “Jam shumë i çuditur pse presidenti Vuçiç shqetësohet për një marrëveshje që është nënshkruar ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë dhe ka të bëjë me fushën e mbrojtjes, një marrëveshje që është e drejta e çdo shteti që ta nënshkruaj”, ka thënë Toci. Ai ka shtuar se kjo marrëveshje është transparente dhe nuk paraqet kërcënim për asnjë vend të Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë. Toci ka theksuar se Serbia, sipas tij, gjithmonë gjen një “armik” për të justifikuar reagimet e saj dhe ka përmendur fjalët e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq, i cili e ka komentuar gjithashtu këtë situatë. Ai ka shpjeguar se në këtë rast, Serbia ka përdorur marrëveshjen në fushën e mbrojtjes si një arsye për të justifikuar pasigurinë dhe situatën jostabile që ka pasuar për shkak të protestave të shumta në Beograd në dy muajt e fundit.
