Komandanti i Kontingjentit Gjerman të KFOR-it, nënkolonel Eric Offermann, ka bërë të ditur se ky kontingjent do të largohet së shpejti zyrtarisht nga Prizreni dhe deri në fund të këtij viti do të zhvendoset në Prishtinë ku do të vazhdojë të japë kontributin për një ambient të sigurt dhe të qetë në Kosovë. Ushtarët gjermanë, në kuadër të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s këshillojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe i përkrahin ata në zhvillimin e saj, në proceset e brendshme dhe në bashkëpunimin me autoritete civile, thuhet në një komunikatë për media të KFOR-it. Offermann falënderoi qytetarët e Kosovës në emër të të gjithë ushtarëve gjermanë, të cilët kanë shërbyer në Prizren që nga viti 1999. Ai theksoi me këtë rast veçanërisht mikpritjen, bashkëpunimin dhe përkrahjen pa rezervë. “Ne jemi krenarë me të arriturat, të cilat kemi mundur t‘i arrijmë vetëm së bashku me popullatën vendase. Qyteti i Prizrenit shumë ushtarëve gjermanë do t’u mbetet gjithmonë në kujtimet më të mira. Ju uroj gjithë të mirat për të ardhmen“, tha nënkolonel, Eric Offermann.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …